Ndalohen rreth 300 kilogramë eksplosiv në Vërmicë

Sot, rreth orës 16:30, në Pikëkalimin Kufitar Vermicë, zyrtarët doganorë kanë selektuar për kontroll një automjet të tipit furgon, i cili është dërguar në vijën e dytë për kontroll të detajuar, në kuadër të bashkëpunimit ndërinstitucional me Policinë Kufitare.
"Gjatë intervistimit, pala ka deklaruar se nuk posedon mallra për deklarim. Megjithatë, gjatë kontrollit është hasur në mallra të padeklaruara, përkatësisht mallra të ndaluara dhe të rrezikshme (eksploziv), të vendosura në disa thasë dhe pako, me peshë të përafërt rreth 300 kilogramë, të cilat ishin të fshehura në bagazhin e automjetit dhe të kamufluara me pajisje peshkimi", njofton Dogana e Kosovës.
Malli është ndaluar, ndërsa ndaj palës është iniciuar procedurë për kundërvajtje doganore, sipas dispozitave të Kodit Doganor dhe të Akcizave të Kosovës (KDAK), ndërsa rasti i është dorëzuar Policisë Kufitare, e cila po vazhdon me veprimet e mëtejshme ligjore.
Dogana e Kosovës thotë se mbetet plotësisht e angazhuar në parandalimin e çdo forme të kontrabandës dhe në mbrojtjen e qytetarëve nga mallrat e rrezikshme./Telegrafi/



















































