Eksperti i sigurisë Agim Musliu, ka theksuar se propaganda serbe ka një histori të gjatë dhe se ajo ka filluar shumë më herët se sa krijimi i shtetit të Serbisë.


Ai ka kujtuar një episod të njohur të propagandës serbe, të cilin e lidh me gazetën "Borba" dhe fejtonin e vitit 1989, që i kushtohej atdhetarit të njohur Adem Demaçi.

Musliu ka theksuar se këtë fejton, me titullin "DIRIGJENTI NGA BURGU", e paraqiste Demaçin si një "armik të rrezikshëm" për regjimin serb, duke u munduar ta mbyllte jo vetëm figurën e tij, por dhe aspiratat liridashëse të popullit shqiptar.

"Më 20 mars 1989, në faqen e parë të gazetës serbe 'Borba', kishte nisur fejtoni 'DIRIGJENTI NGA BURGU', i cili i kushtohej Adem Demaçit. Atëbotë, Demaçi 53-vjeçar, kishte 27 vjet vuajtje dënimi në burgjet e Serbisë”, theksoi Musliu në një postim të tij në rrjetet sociale.

Ai theksoi se, pavarësisht përpjekjeve të Serbisë për të mbyllur Adem Demaçin dhe luftën për liri, ky nuk ka mundur ta ndalë aspak popullin shqiptar.

"Pra, pavarësisht përpjekjes së Serbisë që ta mbyllë DEMAÇIN dhe njëkohësisht ta mbyllë edhe aspiratën liridashëse shqiptare, BACA ADEM u lirua pas një viti nga burgu! Populli shqiptar e ndoqi rrugën e tij!", theksoi Musliu.

Sipas tij, ky akt i Serbisë dhe përpjekjet për të ndaluar aspiratat shqiptare për liri janë ende të pranishme, veçanërisht në formën e luftës hibride që zhvillohet sot.

Musliu theksoi se është e domosdoshme që të mbrohet shtetësia dhe liria e Kosovës nga këto përpjekje të vazhdueshme.

"Nuk duhet të lejojmë që lufta hibride serbe të na dëmtojë as shtetin e as lirinë tonë! Këtë ia kemi borxh Bacës Adem dhe fëmijëve tanë!", përfundoi ai. /Telegrafi/