"Mos na ndëshkoni sërish", Vuçiq i tmerruar nga sanksionet amerikane

Sanksionet e fundit të vendosura nga Shtetet e Bashkuara kanë goditur fort presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.
Vetë kreu i shtetit serb e pranoi këtë gjatë një vizite zyrtare në Uzbekistan, ku deklaroi se tashmë ka marrë “mesazhin e qartë” nga Uashingtoni.
Vuçiç theksoi se nuk është i gatshëm të bëjë asnjë kompromis lidhur me kompaninë e naftës NIS, ku pjesa më e madhe e aksioneve është në pronësi të Rusisë, raporton novosti.
“Imagjinoni sikur unë të dilja e të kërkoja diçka nga qeveria amerikane... Faleminderit shumë, partnerë të dashur, për gjithçka. Jetojmë në një botë realiteti, jo drejtësie, dhe unë e kuptova qartë mesazhin. Nuk kam mashtruar askënd – e kam thënë që amerikanët do të jenë të palëkundur. Ata donin që unë të pranoja se ‘shpëtuam edhe një muaj tjetër’ apo se ‘do të shtetëzonim pronën ruse’. Por unë nuk jam as komunist, as fashist dhe nuk kam marrë asgjë nga askush,” deklaroi ai.
Presidenti serb vijoi me retorikën e tij të zakonshme, duke paralajmëruar qytetarët për një “dimër të vështirë e të ftohtë”, ndërsa premtoi se do t’i mbrojë ata nga pasojat e krizës.
Ai la gjithashtu të kuptohet se SHBA mund të vendosë sanksione të tjera ndaj Serbisë “u kërkoj partnerëve tanë amerikanë të mos vendosin sanksione dytësore ndaj institucioneve tona financiare. Kërkojmë kohë deri në mesin e dhjetorit për t’i zgjidhur problemet tona dhe, nëse sërish vendoset ndryshe, të na njoftojnë të paktën shtatë ditë më parë, në mënyrë që të garantojmë sigurinë e bankave tona”. /Telegrafi/









































