Trajneri i Turqisë, Vincenzo Montella, ka reaguar pas humbjes së thellë 0–6 që skuadra e tij pësoi nga Spanja në xhiron e dytë të kualifikimeve për Kupën e Botës 2026.

“Jemi të gjithë shumë të zhgënjyer, kjo dhemb si për lojtarët ashtu edhe për tifozët. Jam i mërzitur edhe me rezultatin. Në fillim patëm disa raste, por nuk i shfrytëzuam, ndërsa kundërshtari shënoi dy herë. Në një situatë të tillë, besimi zhduket”, tha Montella.


Ai theksoi se Turqia synonte një rezultat krejtësisht tjetër, por zhvillimi i lojës nuk shkoi sipas planeve.

“Ky është një ekip në zhvillim, me hapësirë për t’u rritur. Nëse veprojmë me mençuri, do të nxjerrim mësimet e nevojshme nga kjo humbje".

Montella pranoi se nga pikëpamja taktike ndeshja ishte e vështirë për t’u analizuar, pasi sipas tij, lojtarët nuk shfaqën nivelin e tyre më të mirë për shkak të presionit emocional. “

Spanja fitoi çdo duel në çdo pjesë të fushës, kjo nuk kishte të bënte me taktikat,” u shpreh ai.

Megjithatë, trajneri italian kërkoi që skuadra të mos demoralizohet. “Nuk duhet të na humbasë zemra. Kjo ndeshje do të jetë një mësim i madh për ne. Do të dalim prej saj të bashkuar dhe më të fortë", përfundoi Montella. /Telegrafi/

telegrafi sport app