Site icon Telegrafi

Miq jashtë fushës, por kundërshtar në futboll: Osmanollaj i Lirisë dhe Bushati i Ballkanit premtojnë spektakël në ndeshjen e vetme të rrafshit të Dukagjinit

Liria dhe Ballkani do të përballen sot në kuadër të xhiros së parë të IPKO Superligës së Kosovës në futboll.

Kjo ndeshje veçohet edhe për rivalitetin jo vetëm mes dy klubeve, por edhe dy futbollistëve.

Bëhet fjalë për futbollistin e klubit prizrenas, Granit Osmanollajn dhe të skuadrës suharekase, Fatjon Bushatin.

Dyshja janë miq të vjetër dhe së bashku kanë djersitur edhe fanellën e Akademisë së Futbollit Shqiptar.

Por, kjo është hera e parë që të dytë do të gjenden përballë njëri-tjetrit në një ndeshje zyrtare, dhe për më tepër do të luajnë në pozita të njëjta të ekipeve të tyre – qendër të mesfushës.

Granit Osmanollaj (në mes)

E për Telegrafin kanë folur edhe protagonistët e derbit të vetëm të sivjetmë të rrafshit Dukagjinit, të cilët janë të sigurt për fitoret e skuadrave përkatëse.

“Besoj se do të startojmë me fitore në takimin e parë të kampionatit. E di që kemi një skuadër me shumë transferime, por të gjithë janë përshtatur shumë mirë. Atmosfera është fantastike në ekip. Gjithashtu edhe trajnerët po punojnë shumë mirë me ne, besoj se do t’i shpërblejmë me tre pikë. Tifozët e pranishëm nuk do të zhgënjehen në shkallët e stadiumit”, tha Osmanollaj.

Ky i fundit më tutje i uroi fat mikut të ngushtë dhe e siguroj se do të humb, gjersa i premtoj se do ta qeras në rast se do të triumfon Ballkani. “Fatjonit i uroj fat ashtu siç e ka emrin, por ai e di që do të dal kokë ulur prej stadiumit. Do ta qeras me një darkë nëse ndodh e kundërta. Normalisht, i mbetet shokut të përzgjedh vendin”.

Fatjon Bushati 

Ndërkohë, Bushati beson se Ballkani ka skuadër më të mirë se prizrenasit dhe pikët e plota do t’i rrëmbejnë “Xhebrailat”.

“Nuk kam dyshim se fitorja do të na takon neve. Bazohem në atë se kemi skuadër më kompakte dhe me përforcimet e bëra, kualiteti është ngritur në ekip. Shto edhe faktin se kemi një staf profesional të trajnerëve si dhe me mbështetjen e tifozëve, që do të jenë në numër të madh në Prizren, tre pikët do të na takojnë neve”, tha Bushati.

Fatjoni më tutje tha se e pranon me kënaqësi bastin dhe e porositi mikun që të përgatitet për humbjen “E siguroj Granitin se në fund të 90 minutave do të festojmë. Sa i përket bastit, e pranoj me kënaqësi pasi që jam i sigurt se do të triumfojmë ne. Megjithatë, i uroj fat dhe pavarësisht rivalitetit në fushë, ne do të mbetemi miq”.

Graniti dhe Fatjoni në jetën e përditshme

Theksojmë se Ballkani pas shtatë vjetëve të qëndrimit në Ligën e Parë të Kosovës, është rikthyer në Superligë me pretendime që jetë në pjesën e lartë të renditjes tabelore.

Ndërkohë, Liria gjatë afatit kalimtar të verës ka qenë mjaft aktive duke sjell plotë 17 futbollistë, pas largimit të të gjithë lojtarëve të ekipit startues të vitit të kaluar.

Ndryshe, ndeshja do të zhvillohet në stadiumin “Përparim Thaçi” dhe pritet të startojë në ora 16:45. /Telegrafi/

Exit mobile version