Ministria e Mbrojtjes sërish ka reaguar ndaj rezultateve të raportit të Transparency International në fushën e Mbrojtjes dhe Sigurisë, të prezantuara nga Instituti Demokratik i Kosovës, e ku nuk është theksuar se raporti ka të bëjë me vitin 2018-2020.
Ministria e Mbrojtjes përmes një reagimi për media thekson se duke marrë parasysh mundësinë e natyrshme të lëshimit të paqëllimshëm, kanë kërkuar me shkrim nga autoritetet e KDI-së, sqarimin për publikun dhe mediat lidhur me datën e publikimit dhe periudhën që përfshin raporti përkatës.
“Meqë nga ana e KDI-së mungoi një gatishmëri e tillë, Ministria e Mbrojtjes, këtë qasje nga KDI e vlerëson si qasje e qëllimshme dhe tendencioze, si dhe do të iniciojë përgjegjësi ligjore institucionale”, thuhet në reagimin e Ministrisë.
Lexoni të plotë reagimin e Ministrisë:
Më datën 16.11.2021, Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), në konferencë për media, ka prezantuar rezultatet e Raportit të Transparency International në fushën e Mbrojtjes dhe Sigurisë, me titull
“Progresi i (pa)arritur – Ekstrakti për Kosovën”, (linku: https://kdi-kosova.org/wp-content/uploads/2021/11/TIDS-Kosovo-extract-SHQ.pdf ).
Nga përmbajtja e raportit përkatës, shohim se raporti është i publikuar në nëntor 2020, pra, përmban rezultatet e burimeve të hulumtuara të periudhës 2018-2020.
Mirëpo, në konferencë prezantuesja nuk theksoi periudhën kohore që përfshinë raporti përkatës (linku: https://www.youtube.com/watch?v=t3HPSQozMsE), për çka lë të nënkuptohet se përfshinë edhe periudhën e deritashme, pra edhe vitin 2021.
Andaj, si institucion reagojmë ndaj kësaj qasje që lë hapësirë të paragjykimit nga ana e publikut edhe për performancën e Kabinetit të ri të Ministrisë së Mbrojtjes dhe pa kurrfarë baze, lëndon seriozisht integritetin tonë institucional para qytetarëve.
Duke pasur parasysh mundësinë e natyrshme të lëshimit të paqëllimshëm, ne kemi kërkuar me shkrim nga autoritetet e KDI-së, sqarimin për publikun dhe mediat lidhur me datën e publikimit dhe periudhën që përfshin raporti përkatës.
Meqë nga ana e KDI-së mungoi një gatishmëri e tillë, Ministria e Mbrojtjes, këtë qasje nga KDI e vlerëson si qasje e qëllimshme dhe tendencioze, si dhe do të iniciojë përgjegjësi ligjore institucionale.
Një ndër qëllimet kryesore strategjike të ministrit Mehaj është fuqizimi i qeverisjes së mirë, integritetit dhe kredibilitetit institucional, me forcimin e mekanizmave të kontrollit të brendshëm.
Gjithashtu, një ndër parimet kryesore të punës në Ministrinë e Mbrojtjes, që është top-prioritet nga Kabineti Mehaj është forcimi i mekanizmave të transparencës dhe llogaridhënies institucionale para shoqërisë civile, OJQ-ve dhe mediave dhe mbi të gjitha para qytetarëve të vendit, krahas mekanizmave e autoriteteve zyrtare vendore, partnere e ndërkombëtare.
Prandaj, ne jemi të hapur maksimalisht në çdo kohë dhe rrethanë, për secilin çështje nga ana e palëve të interesuara, por duke mos heshtur ndaj të pavërtetave që dëmtojnë imazhin dhe kredibilitetin tonë para qytetarëve dhe partnerëve tanë”. /Telegrafi/