LAJMI I FUNDIT:

Miku ynë serb, glorifikuesi kryesor i gjenocidit

Miku ynë serb, glorifikuesi kryesor i gjenocidit
Kalendari me portretin e presidentit serb Aleksandar Vuçiq, pranë kalendarit me një ikonë ortodokse dhe portretit të presidentit rus Vladimir Putin (foto: Shutterstock)

Nga: Leon Hartwell / New Eastern Europe
Përkthimi: Telegrafi.com

Në prag të votimit në Kombet e Bashkuara (OKB) të Rezolutës për caktimin e 11 korrikut si “Ditë ndërkombëtare e reflektimit dhe përkujtimit të Gjenocidit të Srebrenicës më 1995”, presidenti 54-vjeçar i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, doli në qendër të skenës si kundërshtari kryesor i kësaj nisme. Teksa disa atë e karakterizojnë si mohuesin kryesor në Serbi të gjenocidit, realiteti është më tinëzar. Vuçiqi jo vetëm që e mohon gjenocidin e Srebrenicës, por ai shpeshherë ka lavdëruar mizoritë e Ballkanit dhe ideologjitë e aparteidit të viteve 1990.

Pasi OKB-ja e miratoi Rezolutën, udhëheqësi autoritar bëri një shfaqje teatrale duke qarë me flamurin serb, përpara se të ngrinte në mënyrë dramatike dorën e vet me përshëndetjen serbe me tre gishta – simbol ky i fuqishëm i nacionalizmit dhe supremacisë serbe. Në kontekstin e luftërave ballkanike dhe të gjenocidit të Srebrenicës, ky gjest i ngjan tmerrit të zyrtarit nazist që përshëndetjen e bën me Sieg Heil.


Pse Vuçiqi e kundërshtoi kaq ashpër Rezolutën e OKB-së? Përtej fyerjes së hapur ndaj viktimave të gjenocidit të Srebrenicës, pse kanë rëndësi veprimet e tij? Dhe, pse qeveritë perëndimore duhet të kenë kujdes?

Kundërshtimet e serbëve ndaj rezolutës së OKB-së

Serbia dhe Republika Sërpska – një nga dy entitetet që përbëjnë Bosnjën dhe Hercegovinën – me mbështetjen e Rusisë e kundërshtuan Rezolutën e OKB-së mbi disa premisa të rreme.

Së pari, ata e cituan një raport fals të financuar nga Republika Sërpska, duke pohuar se mizoritë në Srebrenicë nuk përbënin gjenocid. Edhe patriarku i Kishës Ortodokse Serbe derdhi ujë të shenjtë mbi narrativën e OKB-së, duke e dhënë një deklaratë në ditën e Rezolutës, duke bërë thirrje për “lutje për popullin besimtar, për qetësi, solidaritet të ndërsjellët dhe këmbëngulje për të bërë të mirën, pavarësisht akuzave krejtësisht të rreme dhe të padrejta ndaj të cilave ata janë ekspozuar në Organizatën e Kombeve të Bashkuara”. Kisha Ortodokse Serbe është një nga institucionet më të besueshme në shoqërinë serbe, ndaj fjalët e patriarkut kanë peshë të madhe.

Fakti mbetet se Gjykata Ndërkombëtare Penale për ish-Jugosllavinë (ICTY), Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (ICJ) dhe gjykatat në Bosnje, në Serbi dhe në Kroaci kanë shpallur të paktën 54 individë fajtorë për kryerjen e akteve të gjenocidit, të krimeve kundër njerëzimit, dhe për krimet e tjera kundër boshnjakëve (myslimanëve boshnjakë) në Srebrenicë. Për më tepër, mund të argumentohet bindshëm se ajo që ndodhi në Srebrenicë ishte pjesë e një gjenocidi më të gjerë – drejtuar posaçërisht ndaj boshnjakëve e që është kryer nga serbët e Bosnjës, me mbështetjen e Jugosllavisë e cila në atë kohë përbëhej vetëm nga Serbia dhe Mali i Zi.

Së dyti, serbët e kundërshtuan Rezolutën me arsyetimin se ajo gjoja i ka paraqitur të gjithë serbët si autorë dhe se e ka imponuar fajin kolektiv. Rusia madje e etiketoi rezolutën e OKB-së si “përpjekje perëndimore për të eliminuar serbët”, duke u përafruar me qëndrimin e Vuçiqit dhe të Dodikut kundër pranimit të të vërtetave historike.

Dy ditë para votimit në OKB, në Kullën e Beogradit u shfaq një tekst dixhital: “Nuk jemi njerëz gjenocidalë. Mbajmë mend. Serbia dhe [entiteti i mbizotëruar nga serbët e Bosnjës, Republika] Sërpska krenare”. Ky mesazh përkoi me fushatat e tjera që përhapnin mesazhe të ngjashme nga Beogradi për Srebrenicën.

Për dallim, Rezoluta nuk përmendi “serbët” apo “serbianët” si autorë. Në vend të kësaj u përqendrua te viktimat – te boshnjakët – dhe inkurajoi vendet anëtare që t’ia japin fundin mosndëshkimit, që të promovojnë pajtimin dhe besimin dhe të edukojnë publikun për gjenocidin e Srebrenicës.

Në Bosnje dhe Hercegovinë, mohimi i gjerë i gjenocidit vazhdon pavarësisht ndalimit të vendosur nga ish-Përfaqësuesi i Lartë, Valentin Inzko. Tekstet shkollore të serbëve të Bosnjës janë të mbushura me revizionizëm historik, duke lënë pas dore diskutimet rreth gjenocidit të Srebrenicës. Kurrikula e serbëve të Bosnjës i trajton të dënuarin për gjenocid, si Radovan Karaxhiqin dhe gjeneralin Ratko Mlladiq, si shpëtimtarë dhe jo si autorë. Në mënyrë alarmante, Milorad Dodiku, presidenti i Republikës Sërpska, kërkon tekste të reja të historisë që lavdërojnë në mënyrë eksplicite veprat e serbëve gjenocidalë të Bosnjës.

Është i domosdoshëm edukimi për gjenocidin, pasi ndihmon shoqëritë të pranojnë gabimet e së kaluarës dhe mbron kundër përsëritjes së mizorive të tilla. Arsimimi shërben si mjet jetik për pajtim, veçanërisht në shtetet dhe territoret përgjegjëse për këto krime. Për shembull, mësimdhënia për Holokaustin është temë thelbësore për edukimin gjerman. Dy dekada më parë, Gjermania e ngriti Memorialin e Holokaustit mu në zemër të Berlinit, pranë Portës së Brandenburgut. Për më tepër, për të studiuar mizoritë naziste, Gjermania financon udhëtimet e studentëve dhe studiuesve për në ish-kampet e vdekjes. Larg nga sugjerimi se të gjithë gjermanët janë gjenocidalë, këto programe arsimore promovojnë idenë se mizoritë ishin të gabuara dhe se nuk duhet të përsëriten.

Së fundmi, serbët argumentuan se rezoluta e OKB-së do të krijonte përçarje mes boshnjakëve dhe, sipas fjalëve të Vuçiqit, do “të hapte plagët e vjetra dhe do të krijonte kërdi të plotë politike”. Megjithatë, përballja me të vërtetën e ka shansin shumë më të mirë për ta nxitur pajtimin. Veprimet e vazhdueshme nga Republika Sërpska dhe nga Serbia në promovimin e mohimit të gjenocidit, janë ato që ndajnë kombin boshnjak dhe rajonin e Ballkanit, pasi praktikisht nuk ka asnjë ndjenjë zyrtare për përgjegjësi apo pendim.

Çuditërisht, autoriteti shumë i respektuar për qeverisje, pushtet dhe politikë, Politico, e lejoi Marko Gjuriqin – ministrin e Jashtëm të Serbisë dhe mbështetësin e zellshëm të Vuçiqit – të botonte një artikull që avanconte dezinformimin serb. Përveç gënjeshtrave të përmendura më parë, Gjuriqi citoi në mënyrë të mbrapsht kryepeshkopin e ndjerë Desmond Tutu, duke thënë se nuk ka rrugë të shkurtër për shërim.

Megjithatë, Gjuriqi e anashkalon faktin se Kryepeshkopi Tutu, i njohur nga respekti si “Peshkopi”, ishte kampion i deklamimit të së vërtetës, si pjesë e procesit të shërimit. Duke folur për Komisionin e së Vërtetës dhe Pajtimit të Afrikës së Jugut (TRC), të cilin ai e drejtoi dhe i cili mblodhi bashkë mbi 21 mijë viktima dhe autorë për të diskutuar krimet e aparteidit, Tutu tha: “Nevoja jonë ishte të pranonim se e kishim një të kaluar të tmerrshme … Duhej ta shikonim bishën në sy, që e kaluara të mos na mbante më peng”.

Promovimi dhe lavdërimi i gjenocidit

Përtej fushatës së fundit të Vuçiqit për mohimin e gjenocidit në OKB, lideri autoritar ka një histori të gjatë jo vetëm në falsifikimin, por në lavdërimin e mizorive dhe të gjenocidit të serbëve. Për shembull, në vitin 2007, kur qeveria serbe e riemëroi Bulevardin “AVNOJ” të Beogradit të Ri si Bulevardi “Zoran Gjingjiq” – sipas kryeministrit të vrarë serb i cili ishte i përkushtuar ndaj integrimit në BE, ndaj demokracisë dhe bashkëpunimit me ICTY-në – Vuçiqi reagoi ashpër.

Gjatë ndryshimit të emrit, Vuçiqi i inatosur mbërriti në Bulevardin “AVNOJ”, duke bërtitur përmes megafonit se “ne kemi ardhur [këtu], për ta ngjitur posterët me emrin e Ratko Mlladiqit, për t’u treguar atyre se ne luftojmë për liri, se ne më shumë se gjithçka tjetër e duam dhe e respektojnë shtetin dhe popullin serb”. Më pas e vendosi një poster në një mur me mbishkrimin “Bulevardi ‘Ratko Mlladiq’”. Vuçiqi para kamerave gjithashtu deklaroi: “Kjo është mënyra jonë për të treguar se neve nuk mund të na trembin dhe se liria ishte dhe mbetet gjëja më e rëndësishme për Serbinë, ndaj le të vijnë të na arrestojnë”.

Është interesante se Vuçiqi e përdori kolektiven “neve” kur fliste, thuajse u referohej autorëve të Luftës së Bosnjës të cilët duhej të arrestoheshin. Për më tepër, deklarata e tij mbi “lirinë” duket se nënkupton se gjenocidi i një personi është çlirim i një personi tjetër.

Ndërkohë që jo të gjithë serbët janë gjenocidalë, Serbia aktualisht udhëhiqet nga një mohues dhe lavdërues i gjenocidit. Disa analistë serbë madje do të argumentonin se vetë Vuçiqi është gjenocidal, gjë që pjesërisht shpjegohet me kundërshtimin e tij të fort ndaj Rezolutës së OKB-së.

Konteksti historik i Luftës së Bosnjës dhe roli i Vuçiqit

Pas shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, Lufta e Bosnjës filloi më 6 prill 1992. Serbët e Bosnjës, të udhëhequr nga Radovan Karaxhiqi dhe nga gjenerali Ratko Mlladiq, e formuan Ushtrinë e Republikës Sërpska (VRS) e cila u mbështet drejtpërdrejt nga presidenti i atëhershëm i Serbisë, Sllobodan Millosheviq, si dhe nga Ushtria Popullore Jugosllave (JNA). VRS-ja kryesisht luftoi kundër Ushtrisë së Republikës së Bosnje dhe Hercegovinës (ARBiH) dhe Këshillit Kroat të Mbrojtjes (HVO).

Gjatë kësaj periudhe të trazuar, Vuçiqi i ri, me vendimin e vet u bë “vullnetar lufte” në Sarajevë, gjatë rrethimit të saj famëkeq – më të gjatin në historinë moderne. Megjithatë, qëndrimi i Vuçiqit në vijën e parë të frontit rezultoi i shkurtër dhe ai e zgjodhi një rol tjetër në konflikt. Narrativa zyrtare e përshkruan si “gazetar” për televizionin Channel S, ku i përdori aftësitë në anglisht për ta mbuluar luftën për audiencën ndërkombëtare.

Megjithatë, skeptikët i sfidojnë kredencialet gazetareske të Vuçiqit, duke pretenduar se ai ishte zëdhënës i serbëve radikalë në Pale (që ndodhet në juglindje të Sarajevës) – në bastionin e serbëve të Bosnjës që kërkonte shkëputjen nga Bosnja dhe Hercegovina. Ky dyshim fiton besim duke pasur parasysh trajektoren politike të Vuçiqit pasi iu bashkua Partisë Radikale Serbe (SRS) në vitin 1993. Në veçanti, Vuçiqi është mburrur haptazi për intervistën me Radovan Karaxhiqin dhe që luajti shah me gjeneralin Ratko Mlladiq – dy nga figurat më të njohura ICTY-së për aktet që përfshijnë gjenocidin gjatë Luftës së Bosnjës.

SRS-ja, shtëpia politike e Vuçiqit gjatë Luftës së Bosnjës, përkrahu ideologjinë e ekstremit të djathtë të përqendruar në konceptin e “Serbisë së Madhe” – bashkimi i të gjithë serbëve në të gjithë Ballkanin. Për disa ithtarë, ky vizion justifikonte mizoritë kundër joserbëve në vitet 1990. Vojisllav Shesheli, ish-presidenti i SRS-it dhe mentori politik i Vuçiqit, kërkoi unitet serb dhe luftë kundër “armiqve historikë” të Serbisë, përkatësisht popullatës kroate, myslimane dhe shqiptare brenda territoreve të ish-Jugosllavisë.

Në maj të vitit 1992, gjatë kohës së Vuçiqit në Sarajevë, termi etničko čišćenje (spastrim etnik) u bë i njohur në politikën ndërkombëtare. Në atë kohë, gazetari i shquar Roy Gutman e përshkroi termin “si eufemizëm serb për një fushatë mizorie dhe të dëbimit brutal”.

SRS-ja kultivoi lidhje të ngushta me udhëheqësit serbë të Bosnjës në Republikën Sërpska, të cilët kërkuan shkëputje nga Bosnja dhe Hercegovina. Gjatë kulmit të Luftës së Bosnjës, më 20 mars 1995, Vuçiqi – atëherë Sekretari i Përgjithshëm i SRS-së – mbrojti publikisht konceptin e “Serbisë së Madhe”. Ai la të kuptohej se partia e tij, nëse i fiton zgjedhjet, do ta tejkalonte mbështetjen e regjimit të Millosheviçit për serbët në të gjithë Ballkanin dhe se pa mëdyshje do të ndihmonte në krijimin e një shteti të bashkuar serb.

Nocioni i Serbisë së Madhe nxiti procesin “të tjerët”, duke i ndarë grupet në “ne” kundër “ata” dhe duke e paraqitur “tjetrin” si kërcënim ekzistencial dhe si inferior. Rezultati në Srebrenicë, midis 11 dhe 31 korrikut 1995, ishte ekzekutimi sistematik i mbi tetë mijë burrave dhe djemve boshnjakë pasi ata u ndanë nga grupi ku ishin gratë dhe vajzat.

Disa analistë serbë janë ankuar se ka pak gjëra që e dallojnë Vuçiqin nga kriminelët e dënuar të luftës, kur është fjala për rolet e tyre gjatë Luftës në Bosnje. Më 20 korrik 1995, mu në mes të gjenocidit të Srebrenicës, Vuçiqi – në atë kohë deputet – në mënyrë famëkeqe mbajti një fjalim në Kuvendin e Serbisë duke e dhënë paralajmërimin rrëqethës për këdo që guxonte të ndalonte mizoritë që vazhdonin: “Nëse bombardoni, e vrisni një serb, ne do të vrasim njëqind myslimanë. Pra, të shohim nëse dikush në bashkësinë ndërkombëtare guxon të godasë pozicionet serbe …”!

Ky kontekst historik mbështet kontroversën rreth kundërshtimit të ashpër të Vuçiqit ndaj Rezolutës së OKB-së, veprimeve dhe deklaratave të tij të mëvonshme në lidhje me gjenocidin e Srebrenicës.

Zbërthimi i arsyetimeve të kameleonit politik

Vuçiqi, një kameleon i zoti politik, vazhdimisht ka kërkuar të minimizojë deklaratat e veta nxitëse në lidhje me Serbinë e Madhe, si dhe kërcënimet që bëri gjatë gjenocidit të Srebrenicës. Pavarësisht pamjeve me video të deklaratave të tij, Vuçiqi në media ka mohuar se ka bërë deklarata të tilla. Për më tepër, e ka mbrojtur retorikën e vet duke pretenduar se fjalët e tij janë nxjerrë “jashtë kontekstit”. Ai gjithashtu theksoi se nuk është përfshirë drejtpërdrejt në vrasje.

Megjithatë, përpjekjet e Vuçiqit për ta distancuar veten nga përgjegjësia, anashkalojnë dy dimensione kritike ligjore. Së pari, Konventa e Gjenocidit përcakton se “nxitja e drejtpërdrejtë dhe publike për të kryer gjenocid” është, në vetvete, një akt gjenocidi. Kjo do të thotë se edhe nëse Vuçiqi nuk e ka kryer vetë vrasjen faktike, veprimet e tij në nxitjen e urrejtjes dhe të dhunës kundër boshnjakëve mund të shihen si kontribut në gjenocid.

Në veçanti, individët si Ferdinand Nahimana, Jean-Bosco Barayagwiza dhe Hassan Ngeze u dënuan nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për Ruandën, për nxitje të gjenocidit përmes gjuhës së urrejtjes në media. Rastet e tyre ilustrojnë se nxitja për të kryer gjenocid është vepër e rëndë sipas ligjit ndërkombëtar, pavarësisht nëse autori i krimit i kryen personalisht aktet e dhunës.

Së dyti, për sa i përket kontekstit, deklarata e Vuçiqit e vitit 1995 në Kuvendin e Serbisë, nuk mund të ndahet nga implikimet që ka. Duke pasur parasysh kohën e këtij fjalimi – 20 korrik – një prokuror i zoti do të mund të lidhte veprimet dhe retorikën e Vuçiqit me ngjarjen e gjenocidit të Srebrenicës, duke u thirrur Konventën e Gjenocidit që mandaton shtetet “të parandalojnë dhe ndëshkojnë” gjenocidin.

Kur e themi këtë, kërcënimi i Vuçiqit drejtuar komunitetit ndërkombëtar, gjatë diskutimeve rreth ndërhyrjes së mundshme ushtarake në kohën e gjenocidit të Srebrenicës, pa dyshim që ishte menduar si pengesë, duke përfituar kështu nga kërcënimet e dhunës së mëtejshme kundër boshnjakëve. Për më tepër, kjo retorikë e kalkuluar duhet kuptuar në kontekstin e veprimeve të Ushtrisë së Republikës Sërpska në atë kohë, përfshirë këtu marrjen peng të personelit të OKB-së, gjë që pacifizoi dhe frenoi ndërhyrjen e NATO-s në pjesën më të madhe të luftës. Ky kontekst tregon se si fjalët dhe veprimet e Vuçiqit ishin pjesë e një strategjie më të gjerë për të mbështetur fushatën gjenocidale.

Në karrierën e tij politike të pasluftës, mohimi i Vuçiqit dhe revizionizmi historik i kanë rrënjosur më tej këto narrativa të dëmshme, duke kontribuar në tensionet e vazhdueshme rajonale dhe duke penguar përpjekjet për pajtim. Mohimet e tij, pavarësisht provave të qarta, pasqyrojnë strategjinë e qëllimshme për të shmangur përgjegjësinë dhe për të ruajtur mbështetjen nacionaliste, duke nënvizuar ndikimin e qëndrueshëm të retorikës dhe të veprimeve të tij të luftës në peizazhin politik të Ballkanit.

Zjarrvënësi ballkanik në liri

Aleksandar Vuçiqi iu shmang përgjegjësisë për rolin në nxitjen e urrejtjes gjatë Luftës së Bosnjës, konflikt që mori mbi 100 mijë jetë dhe zhvendosi 2.2 milionë njerëz, kryesisht boshnjakë. Por, ky është vetëm një kapitull në historinë problematike të Vuçiqit. Ai gjithashtu shpëtoi nga pasojat pasi shërbeu si ministër i Propagandës së Sllobodan Millosheviçit, gjatë Luftës së Kosovës – konflikt që rezultoi me mbi 13 mijë vdekje dhe shpërngulje të mbi 1.2 milion shqiptarëve të Kosovës. Imagjinoni për një moment sikur – nën një fasadë liberale – Joseph Goebbelsi të bëhej kancelar i Gjermanisë pas Luftës së Dytë Botërore. Po të mos ishin ndërhyrjet ushtarake të NATO-s, fillimisht në Bosnje dhe Hercegovinë dhe më vonë në Kosovë, të dy vendet do të kishin përjetuar gjenocid në shkallë edhe më të gjerë.

Sot, kërkimi për llogaridhënie është barrë mbi supet e Vuçiqit si president i Serbisë, një vend që ishte në qendër të konflikteve të trazuara ballkanike të viteve 1990. Partia e tij e kohës së luftës, SRS-ja, mobilizoi mbështetjen rreth idesë së “Serbisë së Madhe”, ndërsa anëtarët e grupeve paraushtarake serbe, veçanërisht Skorpionët që ishin nën kontrollin e ministrisë së Brendshme serbe, kontribuuan drejtpërdrejt në kryerjen e mizorive të mëdha në Bosnje dhe Hercegovinë, përfshirë Gjenocidin në Srebrenicë.

Si i tillë, përkushtimi i Vuçiqit ndaj së vërtetës dhe llogaridhënies përbën precedent të rëndësishëm. Veprimet dhe deklaratat e tij ndikojnë në diskursin publik dhe në politikat kombëtare të cilat ose do të kontribuojnë në shërimin dhe pajtimin në të gjithë Ballkanin, ose do të përjetësojnë ndarjen dhe armiqësinë. Prandaj, përqafimi i së vërtetës për mizoritë e së kaluarës, nuk është vetëm një imperativ moral, por edhe hap praktik drejt sigurimit të ardhmes më të qëndrueshme dhe më paqësore për Ballkanin.

Njeriu i fortë serb e paraqet imazhin e një lideri të reformuar, përparimtar, i cili ishte thjesht i çorientuar në vitet e mëparshme. Megjithatë, siç shihet nga fushata e tij kundër Rezolutës së OKB-së për gjenocidin e Srebrenicës, Vuçiqi nuk e ka ndërmend ta tregojë të vërtetën dhe ta kërkojë pajtimin. Propaganda e Vuçiqit në lidhje me Srebrenicën, rasti i teksteve shkollore të gjenocidit në Ballkan, i rrezikojnë rëndë perspektivat për pranimin, pendimin ose mbajtjen e përgjegjësisë nga ata që janë përgjegjës për mizoritë e kryera në shkallë më të vogël në të gjithë Ballkanin gjatë viteve 1990 – nga Sarajeva në Suharekë.

Pavarësisht kësaj, Vuçiqi e portretizon veten në ShBA dhe në BE si forcë stabilizuese demokratike dhe politikëbërësit perëndimorë kryesisht e kanë përqafuar narrativën e tij, duke e lidhur politikën e tyre të jashtme me Beogradin dhe duke e mbështetur njeriun e fortë. Por, realiteti është se larg nga të qenit zjarrfikës, ai ishte dhe vazhdon të jetë zjarrvënës në liri.

Në vendin e vet, Vuçiqi e ka kthyer Serbinë në autokraci. Pavarësisht pretendimeve të Vuçiqit se dëshiron që Serbia të anëtarësohet në BE, e ka thelluar gjithnjë e më shumë bashkëpunimin me regjimet totalitare, duke përfshirë Kinën dhe Rusinë. Nën sundimin e tij, liritë civile dhe të drejtat politike janë gërryer, ndërsa është zvogëluar hapësira për mediat e pavarura. Këto lëvizje do ta bëjnë më të vështirë, nëse jo të pamundur, anëtarësimin e Serbisë në BE. Siç është rasti me autokratët e tjerë, sapo të zbehet popullariteti i Vuçiqit, për të ruajtur pamjen dhe rendin demokratik ai ka të ngjarë të kthehet edhe më shumë te ryshfeti dhe dhuna.

Pos Serbisë, Vuçiqi vazhdon të ushqejë tensionet në të gjithë Ballkanin. Vetëm vitin e kaluar, veprimet e tij rezultuan në plagosjen e mbi 93 paqeruajtësve të Forcave të Kosovës (KFOR) të udhëhequra nga NATO-ja, duke vënë në dukje ndikimin e tij përçarës. Për më tepër, ka indikacione të forta se regjimi i Vuçiqit e mbështeti sulmin terrorist të Banjskës në Kosovë, një incident ky i rrezikshëm që kërcënoi të përshkallëzohej në konflikt më të gjerë rajonal. Autorët gjithashtu nuk janë mbajtur përgjegjës për veprat e veta. Në vend të kësaj, terroristët e Banjskës u lavdëruan përsëri në Beograd.

Sa i përket Bosnjës dhe Hercegovinës, Vuçiqi mbetet mbështetës i flaktë i secesionistëve, pavarësisht se publikisht deklaron se respekton integritetin territorial të vendit. Ai shpeshherë bashkëpunon me Milorad Dodikun, me akterin më të shquar që mbron ndarjen e Republikës Sërpska nga Bosnja dhe Hercegovina.

Përtej Dodikut, Vuçiqi vazhdon të mbështesë edhe akterët e tjerë që avokojnë për Serbinë e Madhe” – tani nën maskën e Srpski Svet ose Bota Serbe. Ish-shefi i tij i spiunazhit dhe zëvendëskryeministri aktual, Aleksandar Vulin, e përkrah aktivisht këtë nocion dhe madje – për nxitjen e lidhjeve të ngushta të spiunazhit midis Serbisë dhe Rusisë – në Kremlin u nderua me Urdhrin e Miqësisë.

Bëhu real

Teksa qeveritë perëndimore përballen me realitetin shqetësues të fuqisë së pakontrolluar dhe të veprimeve destabilizuese të Vuçiqit, është e domosdoshme që ato ta braktisin paqësimin. Derisa përpjekjet e ShBA-së janë fokusuar kryesisht në sanksionimin e Dodikut për nxitjen e destabilitetit në Bosnje dhe Hercegovinë, është Vuçiqi ai që paraqet kërcënimin më serioz për stabilitetin rajonal, siç dëshmohet nga fushata e tij e ashpër kundër Rezolutës së Gjenocidit të Srebrenicës.

Është e madhe mospërputhja brenda politikës së jashtme perëndimore. Derisa Dodiku mund të përballet me burgim nga gjashtë muaj deri në pesë vjet për mohimin e gjenocidit në Bosnje dhe Hercegovinë, falë ndalesës nga Përfaqësuesi i Lartë, kjo praktikisht nuk ka pasoja për Vuçiqin për drejtimin e fushatës parësore kundër Rezolutës së OKB-së për Srebrenicën. Ky standard i dukshëm i dyfishtë jep një mesazh shqetësues: mohimi i gjenocidit në Bosnje dhe Hercegovinë do të ndëshkohet për të parandaluar destabilitetin, megjithatë Serbia nuk përballet me pasojat domethënëse për promovimin e mohimit të ngjashëm.

Po kështu, derisa Ambasada e ShBA-së në Sarajevë vazhdimisht thërret Dodikun për kërcënimin e Marrëveshjes së Paqes të Dejtonit (DPA), është e dukshme heshtja nga Ambasada e ShBA-së në Beograd në lidhje me veprimet paralele të Vuçiqit. Kjo mospërputhje pasqyron një formë të skizofrenisë së politikës së jashtme.

Është koha për kontroll të realitetit: nuk ka kuptim që ShBA-ja të sanksionojë Dodikun për “pengim ose kërcënim të zbatimit [të DPA-së]” derisa Vuçiqin e trajton si partner. Pavarësisht propagandimit të tij të mohimit të gjenocidit, të erozionit të demokracisë në vend, mbështetjes për Republikën Sërpska dhe për Srpski Svet, si dhe promovimit të destabilitetit në rajon, Vuçiqi vazhdon të gëzojë nivel angazhimi që bie në kundërshtim me vlerat dhe interesat e perëndimorëve në Ballkan. Kjo ndarë jo vetëm që minon përpjekjet drejt paqes dhe stabilitetit të qëndrueshëm, por gjithashtu përjetëson vuajtjet e popullatave të dëmtuara.

Për më keq, BE-ja nuk e ka vendosur asnjë sanksion ndaj Dodikut apo Vuçiqit. Situatën edhe më shumë e ngatërron ngurrimi i BE-së për të marrë masa kundër këtyre liderëve, pasi lë boshllëk në frontin e unifikuar transatlantik që është i nevojshëm për të trajtuar në mënyrë efektive çështjet e mohimit të gjenocidit dhe të paqëndrueshmërisë rajonale.

Qeveritë perëndimore duhet të pranojnë se stabiliteti afatgjatë i Ballkanit varet nga përkushtimi real ndaj së vërtetës dhe drejtësisë. Si ShBA-ja ashtu edhe BE-ja duhet ta miratojnë një qëndrim të vendosur, duke e kushtëzuar mbështetjen e tyre dhe duke e shtyrë Serbinë për të pranuar dhe trajtuar rolin e vet në mizoritë e kaluara. /Telegrafi/