Me investim 634 mijë euro, përurohet strehimorja në veri të Mitrovicës

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka përuruar të enjten strehimoren e parë institucionale në veri të vendit, e cila është renovuar me një investim prej 634 mijë eurosh.
Sipas njoftimit, Haxhiu tha se vizita në pjesën veriore të Mitrovicës nisi “aty ku shihet qartë dallimi mes shtetit që rikthen ligjin dhe krimit që ka dashur ta mbajë peng”.

“Kjo është strehimorja e parë në rajon sipas standardeve të Konventës së Stambollit. Asokohe si ministre e Drejtësisë, bashkë me ish-kryetarin e Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, dhe ministrin Xhelal Sveçla, e ridestinuam këtë objekt në strehimore për viktimat e dhunës në familje”, ka thënë Haxhiu.
Ajo shtoi se çelësat e objektit iu dorëzuan ministrit Andin Hoti, në mënyrë që hapësira të vihet “plotësisht në shërbim të atyre që kanë nevojë për siguri, kujdes dhe dinjitet”.
Strehimorja në veri synon të ofrojë mbështetje dhe mbrojtje për viktimat e dhunës në familje, në përputhje me standardet e përcaktuara nga Konventa e Stambollit. /Telegrafi/











































