Më 20 janar është caktuar seanca për zgjedhjen e kryetarit të Prokurorisë në Shkup

Këshilli i Prokurorëve Publikë caktoi mbledhje për më 20 janar, ku në rend dite është zgjedhja e drejtuesit të Prokurorisë Themelore Publike në Shkup, pasi më 18 janar i përfundon mandati shefit aktual, Gavrill Bubevski, i cili u zgjodh në vitin 2022.
Kjo pikë është e treta në rendin e ditës, dhe për funksionin në fjalë janë paraqitur pesë kandidatë, përfshirë vetë Bubevskin, i cili gjatë periudhës së fundit ka qenë objekt kritikash nga partia në pushtet, OBRM-PDUKM. Kandidatët e tjerë janë prokurorë me përvojë pune nga gjashtë deri në 20 vjet.
Për këtë pozicion është paraqitur prokurorja Tanja Trajçevska, e cila ka mbi 12 vjet përvojë pune. Nga rastet e ekspozuara publikisht, ajo ka drejtuar rastin për vrasjen e shtetasit kroat Denis Tot, i cili u rrah deri në vdekje para një diskoteke në Shkup.
Pas Trajçevskës, në listë është prokurori Anel Fidoski me 11 vjet përvojë pune, si dhe prokurori Dejan Petreski. Petreski ka përvojën më të vogël – gjashtë vjet, por është i njohur në publik për rastin e rrëmbimit të të riut Samoil, dhe ishte një nga prokurorët që e drejtuan hetimin për zjarrin në spitalin modular në Tetovë, ku humbën jetën 14 persona të shtruar për trajtim nga COVID-19.
Petreski ka marrë pjesë gjithashtu për një periudhë të shkurtër në hetimin për tragjedinë në Koçan dhe ka qenë prokuror i lidhur me iniciativa për mbrojtjen dhe sigurinë e gazetarëve.




















































