Instituti i Shëndetësisë Publike (IKSHPK), në kuadër të mbrojtjes së shëndetit publik dhe garantimit të sigurisë në ambientet ujore, u bën thirrje të gjithë qytetarëve që përdorin pishinat publike duke respektuar disa udhëzime.

Sipas IKSHPK-së, qytetarët duhet të ruajnë higjienën personale.


“Para hyrjes në pishinë, bëni gjithmonë dush me ujë të rrjedhshëm, përdorni rroba banje të pastra dhe mos hyni në ujë me rroba të zakonshme, ndalohet hyrja në pishinë nëse vuani nga sëmundje infektive , të lëkurës apo të traktit tretës (p.sh. diarreja), nëse keni plagë të hapura, mos hyni në ujë – ato janë portë për infeksione, sjellje e përgjegjshme në pishinë, respektoni rregullat dhe shenjat sinjalizuese, mbani fëmijët nën mbikëqyrje të vazhdueshme, shmangni sjelljet e rrezikshme si vrapimi, zhytjet e papritura apo hedhjet pa kontroll”, thuhet në njoftim.

Po ashtu IKSHPK rekomandon që të ndalohet ndotja e ujit.

“Mos urinoni në ujë – dobëson efektin e klorit dhe përhap infeksione, mos fusni ushqim ose pije në zonën e ujit  – kjo rrit rrezikun për ndotje dhe tërheq insekte, fëmijët e vegjël të përdorin pelena të posaçme për ujë, zgjidhni ambiente të sigurta dhe të mirëmbajtura, frekuentoni vetëm pishinat që plotësojnë kushtet sanitare dhe janë të licencuara, nëse vëreni ujë të turbullt, erë të rëndë apo mungesë pastërtie, mos hyni në ujë dhe raportoni menjëherë”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/