Rreth 7 mijë maturantë i janë nënshtruar Testit të Maturës në afatin e dytë që është mbajtur sot (e shtunë). Ministria e Arsimit e vlerësoi procesin si të rregullt, ndërsa u shpreh se në 69 qendra nuk janë shfaqur probleme. Megjithatë, sikurse në afatin e qershorit, ashtu edhe në atë të gushtit, numri i maturantëve që i nënshtrohen testit është i ulët, me nxënësit që shmangin provimin i cili teston njohuritë e fituara në arsimin parauniversitar.

Zyrtari i lartë për vlerësim në Ministrinë e Arsimit, Afrim Rrahmani, thotë se në bazë të raporteve nuk ka pasur ndonjë problem dhe se Testi i Maturës ka përfunduar sipas rregullave të parapara.


“Në afatin e gushtit Testin e Maturës e kanë paraqitur rreth 7 mijë nxënës, që gjithsej kanë qenë 69 qendra në të gjithë Kosovën. Mbarëvajtja e procesit ka qenë në rregull, në bazë të raporteve që i kemi nga tereni, nuk kemi pasur ndonjë ngatërresë, as ndonjë ankesë nga ana e nxënësve, as nga ana e mësimdhënësve dhe administruesve".

"Testi ka qenë i paraparë të zgjasë 150 minuta, pra dy orë e gjysmë. Në të gjithë vendin, testi ka filluar me kohë dhe ka mbaruar sipas kohës së paraparë”, shprehet Rrahmani në një intervistë për KosovaPress.

unnamed 1 5 Afrim Rrahmani

Ai pranon se edhe këtë vit ka pasur rrjedhje të pyetjeve të testit në rrjetet sociale, por sipas tij, një analizë më e detajuar do të bëhet të hënën.

Po në fillim të javës së ardhshme do të kuptohet qartë nëse ka pasur nxënës e monitorues që e kanë shkelur rregullat, e ndaj të cilëve paralajmërohen ndëshkime.

“Në bazë të raportit që kemi, ka pasur rrjedhje të pyetjeve të testit, por ato kanë qenë mbas orës 10:00, nxënësit prapë kanë gjetur hapësirë për të kopjuar. Por, është numër i vogël i atyre që kanë arritur të nxjerrin testin ne rrjete sociale, nuk i kemi raportet e plota se sa nxënës e kanë keqpërdorur këtë, por do ta kemi të hënën pasi t’i mbledhim të gjitha raportet nga tereni dhe do të shohim se cili është numri i atyre që janë larguar dhe a ka nga mësimdhënësit që nuk e kanë kryer punën si duhet dhe janë larguar për shkak të pakujdesisë në punë”, deklaron Rrahmani.

Ai tutje shton se numri i atyre që i janë nënshtruar Testit të Maturës nuk përkon me numrin në total të maturantëve. Sipas tij, nxënësit po heqin dorë nga studimet për të vijuar me punë. Këtë fakt ai e sheh pozitiv dhe vetëdijesim nga nxënësit.

“Edhe në afatin e qershorit, numri i nxënësve që kanë paraqitur Testin e Maturës ka qenë më i madh në krahasim me numrin e atyre që i janë nënshtruar këtij testi, edhe në afatin e gushtit numri ka qenë më i vogël, pra ka pasur më pak të interesuar për Testin e Maturës në krahasim me nxënësit potencialë që është dashur t’i nënshtrohen Testit të Maturës. Tani shkollat profesionale ka gjasë që Testin e Maturës nuk e shohin të rrugës t’i nënshtrohen për shkak se kanë vazhduar në treg të punës, kanë vazhduar karrierën e tyre në tregun e punës dhe nuk e shohin të rrugës të vazhdojnë studimet për shkak se gjenden në punë të ndryshme".

"Unë e shoh vetëdijesim të nxënësve për të mos e ngarkuar veten, mos me u mundu, për shkak se ka shumë nxënës e mbarojnë maturën dhe vazhdojnë vetëm në punë dhe nuk i vazhdojnë studimet. Ndoshta edhe tregu i punës është më absorbues, ka potencial më shumë për t’u punësuar të rinjtë dhe heqin dorë nga Testi i Maturës”, thotë zyrtari i ministrisë.

Pragu i kalueshmërisë në Testin e Maturës është 40 për qind e totalit të pikëve të mundshme. Vetëm kandidatët që e arrijnë këtë prag kalueshmërie mund të aplikojnë për regjistrim në studime në institucionet e arsimit të lartë në Kosovë.

Testi ka pasur gjithsej 100 pyetje apo detyra nga 25 kërkesa për secilën nga katër lëndët e përfshira. Në test janë përfshirë tri lëndë obligative, gjuhë amtare, gjuhë angleze dhe matematikë dhe një lëndë zgjedhore që është përzgjedhur nga vet kandidati nga mesi i lëndëve zgjedhore që i janë ofruar.