LAJMI I FUNDIT:

Martirizimi i Shën Ursulës: Pikturat e dhunshme të Caravaggios, si frymëzim për kinematografinë

Martirizimi i Shën Ursulës: Pikturat e dhunshme të Caravaggios, si frymëzim për kinematografinë
“Martirizimi i Shën Ursulës” (1610), piktura e fundit e artistit të famshëm italian, Michelangelo Merisi da Caravaggio (1571–1610)

Nga: Cath Pound / BBC
Përkthimi: Agron Shala / Telegrafi.com

Piktura e fundit e Caravaggios, Martirizimi i Shën Ursulës, është përshkrim i përpiktë i çdo gjëje që artistin italian e bëjnë figurë kaq unike dhe përherë magjepsëse – ndoshta artistin më me ndikim që ka jetuar ndonjëherë. Aty është karakteristika e kompozicionit të fokusuar dhe e ndriçimit dramatik – aq shpesh i referuar si “kinematik” – si dhe përdorimi i tij revolucionar i figurave reale si modele, të realizuara me lëkurë të nxirë e me njolla dhe me thonj të pistë.

Aty është vetë artisti i cili shfaqet si shikues i tmerruar i vrasjes së Shën Ursulës. Caravaggio shpeshherë e përfaqësonte vetveten në piktura, dhe jeta dhe vdekja e tij e dhunshme dhe brutale, shumë herë kanë mahnitur audiencën po aq sa vepra e tij – një fakt i vërtetuar së fundmi nga artisti që u bë burim frymëzimi për antiheroin faqezi Tom Ripli, në seritë e fundit të Netflix-it. Ky vend i veçantë ndoshta ka luajtur rol te turmat rekorde që kjo pikturë ka tërhequr në Galerinë Kombëtare në Londër – ku aktualisht shfaqet si pjesë e shënimit të 200-vjetorit të saj. Dhe, një pikturë e re e vërtetuar nga artisti, tashmë po shfaqet në Muzeun Prado në Madrid.


Piktura e Caravaggios e cila gati sa nuk u shit për 1500 euro!
Lexo po ashtu Piktura e Caravaggios e cila gati sa nuk u shit për 1500 euro!
Martirizimi i Shën Ursulës

Drama e viteve të fundit të Caravaggios mund të shihet si në formë ashtu edhe në përmbajtjen e veprës. Është e qartë se ka vrazhdësi në trajtimin e ngjyrës – si rezultat i sulmit të tmerrshëm të cilit i ishte nënshtruar kohëve të fundit, gjatë të cilit fytyra e tij ishte prerë dhe ndoshta shikimi i tij ishte dëmtuar. Identiteti i sulmuesve mbetet i panjohur, por ka të ngjarë të kenë pasur lidhje me një kalorës të cilin Caravaggio e kishte sulmuar derisa ishte në Maltë. Kishte kërkuar strehim në ishull, duke shpresuar të bashkohej me urdhrin e çmuar të Kalorësve të Shën Gjonit, për t’i shpëtuar kështu dënimit për vrasjen e Ranuccio Tomassonit – krim për të cilin ishte në arrati. Sulmi në Maltë e shtyri të arratisej edhe një herë – këtë herë në Napoli. Por, mesa duket, ende shpresonte për faljen papnore, ndaj shpresa e bëri të shkujdesur gjatë mbrëmjes së sulmit.

Caravaggio e bën Martirizimin e Shën Ursulës “shumë intim, shumë brutal, shumë personal, në mënyrën të cilën shumica e artistëve të tjerë nuk e bënin në atë kohë”, thotë kuratorja Francesca Whitlum-Cooper. Në vend që të përqendrohet në motivin e preferuar të 11 mijë përcjellëseve të virgjra të Ursulës, të cilat u masakruan nga hunët, Caravaggio i kushton vëmendje momentit kur vetë Ursula është qëlluar nga mbreti i hunëve – për shkak të refuzimit të ofertës së tij për martesë. Ende e gjallë, ajo e vështron shigjetën që del prej trupit të saj, me duart e mbledhura që evokojnë mjetin e martirizimit të saj.

Pesë veprat e famshme të vjedhura të artit, ende të pagjetura
Lexo po ashtu Pesë veprat e famshme të vjedhura të artit, ende të pagjetura

Whitlum-Cooper vë në dukje kompleksitetin dhe intensitetin e mahnitshëm psikologjik të personazheve të cilët, sipas saj, e shtojnë cilësinë kinematografike të kësaj vepre. “Mbreti i hunëve ia del të duket në të njëjtën kohë i tërbuar dhe i penduar. Të tjerët pranë duken të tmerruar, por edhe sikur duhet të binden, sepse janë ushtarët e tij. Ursula duket e qetë, por edhe e tronditur dhe e befasuar. Të gjithë e kanë këtë mori të emocioneve”, thotë ajo.

Megjithatë, kur bëhet fjalë për autoportretin e Caravaggios, emocionet janë më të vështira për t’u lexuar. Whitlum-Cooper është e magjepsur nga fakti se vëmendja e tij nuk del të jetë te veprimi që shpaloset para tij. “Duket sikur shikon përtej pikturës, sepse e di se është gati për t’u falur, thuajse tashmë po e shikon Romën”.

Pse pikturat e burrave kushtojnë dhjetë herë më shumë se ato të grave?
Lexo po ashtu Pse pikturat e burrave kushtojnë dhjetë herë më shumë se ato të grave?

“Është plagosur rëndë në vjeshtën e vitit 1609, ishte shumë i shpërfytyruar në fytyrë, por këtu nuk është. Nuk na e tregon atë shenjë çnderimi”, thotë ajo. “Ka shumë pyetje rreth asaj se çfarë bën ai me atë autoportret. A po përpiqet ta ngjyrosë veten në pikturë, fjalë për fjalë dhe në mënyrë metaforike? A është i fajshëm? Ai nuk e hodhi shigjetën, por nuk ka bërë asgjë për ta ndaluar. Ka shumë psikologji për të trajtuar këtu”.

Caravaggio gjithmonë ka qenë personazh kompleks, i talentuar para kohe, por me dëshirën për të provokuar dhe me talentin për vetëshkatërrim. U pjek në Milano në një kohë kur fryma e kundërreformacionit ishte në lulëzim të plotë. “Ky është momenti në të cilin Kisha Katolike thotë se piktura është aty për t’i shtyrë njerëzit për t’i ndier gjërat. Ajo duhet të jetë e fuqishme dhe të nxisë reagime emocionale te të devotshmi”, shpjegon Whitlum-Cooper.

Pamje nga Martirizimi i Shën Ursulës

Për Caravaggion, kjo nënkuptonte ndjekjen e realizmit shumë tokësor, të drejtpërdrejtë, gjë që ishte risi. “Për shekuj me radhë, roli i artistit ishte të bënte gjëra klasike, ta bënte botën rreth vetes më të bukur, veçanërisht kur tregon histori biblike. Pastaj, befas ke dikë i cili një prostitutë të famshme vendase e bën modele të Virgjëreshës Maria dhe njerëzit nga rrugët si modelë të shenjtorëve”, thotë ajo.

Veprat e artit që “fyejnë” të krishterët konservatorë!
Lexo po ashtu Veprat e artit që “fyejnë” të krishterët konservatorë!

Për popullatën e përgjithshme, e cila thjesht nuk ishte mësuar të shihte në kanavacë njerëzit si ata, efekti ishte “jashtëzakonisht i fuqishëm”, thotë Whitlum-Cooper, e cila e krahason atë me temat rreth përfaqësimit të sotshëm. “Jemi mësuar të shohim njerëz të të gjitha shtresave të përfaqësuara, por nuk ishte kështu më parë. Që nga momenti kur puna e tij u pa për herë të parë në publik, fama dhe ndikimi i tij nisën të përhapen. Kemi biografi të shekullit të XVII të Caravaggios, të cilat flasin për gjithë artistët e rinj të cilët dynden për t’i parë këto piktura”, thotë Whitlum-Cooper.

Një brez i tërë i artistëve në Romë, u ndikuan drejtpërdrejt nga ai, ndërsa brezat pasardhës udhëtuan në qytet për ta parë punën e tij. Situata politike në atë kohë, me Spanjën që qeveriste Napolin – qytet tjetër në të cilin ai ishte aktiv – gjithashtu ndihmoi në përhapjen e ndikimit të tij. Në veprat e saj më të hershme, Artemisia Gentileschi merr qasjen feministe të stilit të tij, ndërsa Rubensi ndihmoi në sjelljen e tij në Holandë ku lindi një shkollë e tërë e Karavaxhistëve Veriorë. Pa të nuk mund të paramendohet kiaroskura dramatike e piktorëve spanjollë Ribera dhe Zurbarán.

E keqtrajtuar, e përbuzur dhe e harruar: Mallkimi që ndjek Artemisia Gentileschin!
Lexo po ashtu E keqtrajtuar, e përbuzur dhe e harruar: Mallkimi që ndjek Artemisia Gentileschin!

Pas vdekjes së tij, një pjesë klasiciste e kritikëve u përpoqën të denigronin stilin e vrazhdët të Caravaggios, por nuk kishin shumë sukses. “Për shekuj me radhë, artistëve francezë u është thënë të rrinin larg Caravaggios”, thotë Andrew Graham-Dixon, biografi i Caravaggios, por kjo pati pak efekt. “Jacques Louis David, [Jean-Auguste-Dominique] Ingres – të gjithë ishin të hipnotizuar nga Caravaggio. Atyre u është thënë se nuk duhet, por ishin”.

“Arti është aq fantastik sa ndikimi i tij shkon deri te Picasso. Njerëzit thonë se Caravaggio u hodh poshtë gjatë periudhës moderniste, por kur Picasso pikturonte Gernikën, Salvador Dalí hyri në studio dhe Picasso i tha atij se kishte dëshirë që të mund të pikturonte një kalë si ai i Caravaggios në Konvertimin e Shën Palit. Tha se e donte një kalë të cilin do kishe mundësi ta nuhasje”, shprehet Graham-Dixon.

Teksa nuk duket se është zbehur ndikimi i Caravaggios në mesin e artistëve, popullaritetit të tij fenomenal publik global iu desh pak më shumë kohë për t’u arritur. “Është e vështirë të përcaktosh saktësisht se kur u bë kaq i famshëm, por nuk mendoj se është rastësi që kjo ndodhi në gjysmën e dytë të shekullit XX, kur filmi dhe fotografia përhapen shumë e më shumë. Edhe kulti ynë i të famshmëve”, thotë Whitlum-Cooper.

Përdorimi i ndriçimit dramatik dhe njerëzve të paidealizuar nga Caravaggio, pati ndikim të madh në filmat e regjisorit Martin Scorsese, si Djemtë e mirë [Goodfellas]
Piktori i luftës
Lexo po ashtu Piktori i luftës

Ndikimi i Caravaggios në film është veçanërisht i dukshëm në punën e Pier Paolo Pasolinit dhe Martin Scorseseit, të cilët u frymëzuan si nga ndriçimi i tij dramatik, ashtu edhe nga përdorimi i njerëzve realë e të paidealizuar në pikturat e tij. “Pasolini dhe e gjithë kinemaja italiane vijnë përmes Caravaggios. Në Itali ka një rigjallërim të një forme shumë spirituale të krijimtarisë së majtë, e cila ndodhi që të marrë formën e kinemasë”, thotë Graham-Dixon. Për Tundimin e Fundit të Krishtit [The Last Temptation of Christ], Scorsese tha se “ideja ishte ta bënim Jezusin ashtu si Caravaggioja”, por ndikimi i artistit tek ai shkon më prapa, në vitet 1970.

“Kur Scorsese xhironte Rrugët e ligësisë [Mean Streets], tha se ai dhe Paul Schrader gati çdo ditë shkonin në MET [Metropolitan Museum of Art] për ta parë Caravaggion”, thotë Graham-Dixon. “Mendonin për kuadrimin. Në Rrugët e ligësisë kamera është gjithmonë në lëvizje, por Scorsese tha se ndiente se kamera e Caravaggios ishte gjithmonë duke lëvizur, se thjesht ishte bllokuar në një moment të caktuar nga kanavaca”.

Mungesa e emocionit në pikturën “Judita pret kokën e Holofernesit”
Lexo po ashtu Mungesa e emocionit në pikturën “Judita pret kokën e Holofernesit”

Qasja narrative e Caravaggios – tendenca e tij për të portretizuar mesin e një ngjarjeje dhe jo fillimin ose fundin e një skene – ka ndikuar gjithashtu te Scorsese, ndonjëherë në mënyrë grafike. Kryqëzimi i Shën Pjetrit, në të cilin kryqi ku është gozhduar Pjetri tërhiqet me forcë drejt vendit, ishte frymëzim për skenën e Djemve të mirë ku Xhimi dhe Tomi kanë kaq vështirësi që ta vrasin Billi Betsin. “Gjithë kjo vjen nga Pjetri – sa e vështirë është të vrasësh dikë”, shpjegon Graham-Dixon.

Skenaristi dhe regjisori Steven Zailliand tërhoqi paralele midis artistit dhe Tom Riplit për serialin e tij të fundit në Netflix

Duket se dhuna dhe Caravaggio gjithmonë kanë ecur dorë për dore. Shkrimtari dhe regjisori i serisë Ripli [Ripley], Steven Zaillian, ka thënë se paralelet mes artistit dhe Tom Riplit – dy burra që vrasin dikë në Romë dhe pastaj duhej të iknin – ishin ato që e interesuan atë.

Kjo është ndërlidhja që shqetëson Whitlum-Cooperin, e cila ndien se duhet të pranojmë se sa problematike ishte dhuna e tij, “madje edhe sipas standardeve të kohërave të dhunshme. Ai është ‘djali i keq i barokut’, por ne nuk flasim kështu për gra të dhunshme, nuk flasim kështu për zezakët e dhunshëm. Është vërtet interesante se çfarë lejon bardhësia dhe gjenialiteti”, thotë ajo.

Por, ia vlen të kujtojmë se Caravaggio, ndryshe nga Ripli, pagoi çmim të lartë për krimet e veta. Duke vuajtur nga plagët, duket se vdiq pak pasi e përfundoi pikturën e tij të fundit, në kohën kur u përpoq dhe dështoi që të kthehej në Romë.

Ndoshta, në fund duhet të përqendrohemi më shumë te ngritjet artistike sesa te rëniet e dhunshme. Siç përfundon Whitlum-Cooper, “ka shumë pak figura në historinë e artit ku mund të thuash: ‘Ky artist e ndryshoi kursin e pikturës’. Vetëm një person duke bërë një gjë, për dallim nga një lëvizje. Mendoj se ai është njëri nga ata artistë”. /Telegrafi/

Kryevepra që u bë model imitimi
Lexo po ashtu Kryevepra që u bë model imitimi