Marca është gazeta më e madhe sportive spanjolle dhe ndër më të mëdhatë në botë.
E përditshmja madrilene ka publikuar një artikull special për ndeshjen Zvicër – Serbi, por duke e përfshirë në artikullin e tyre edhe Kosovën.
“Ishte ndeshje e dy ekipeve përfaqësuese, por në të cilën luajtën tri. Rivaliteti mes Zvicrës dhe Serbisë që një kohë të gjatë ka përfshirë edhe Kosovën”, kështu fillon shkrimin gazeta e madhe spanjolle Marca.
Ka qenë një ndeshje spektakolare ku Zvicra arriti të fitonte me rezultat 3-2, në një duel ku Xherdan Shaqiri realizoi gol, derisa Granit Xhaka bëri njërën nga paraqitjet e tij më të mira në karrierë, duke fituar edhe çmimin si lojtari i ndeshjes.
Tutje gazeta spanjolle e ka cilësuar duelin Zvicër-Serbi-Kosovë si më të mirin e këtij edicioni deri më tani në Kupën e Botës ‘Katar 2022’.
“Ndeshje e çmendur! Ishte një ndeshje ndërmjet dy rivalëve por në fakt luajtën tre, sepse rivaliteti midis Zvicrës dhe Serbisë ka përfshirë prej kohësh Kosovën”.
Mediumi spanjoll e pranon se Serbia e ka humbur Kosovën, edhe pse Spanja vazhdon ta mos e njoh pavarësinë e vendit tonë.
“Serbia e humbi Kosovën, Shaqiri dhe Xhaka i hedhin çdo herë kripë në plagë kundërshtarëve. Serbia nuk heq dorë nga Kosova, por që të gjithë e dinë që tashmë e kanë humbur”, shkruan Marca.
Më tej Marca ka raportuar se më shumë se përballje serbo-zvicerane ka qenë një përballje shqiptaro-serbe.
“E gjithë kjo situatë na bëri të kemi një spektakël fantastik në këtë ndeshje, një nga ndeshjet më të mira të këtij botërori. Ne i shikojmë të gjitha që ndodhën në fushë, por në këtë ndeshje ne pamë rastin e serbëve dhe shqiptarëve”.
“Kjo duket se nuk do të shërohet gjatë, mllefi ndaj njëri tjetrit është shumë i madh. Shaqiri kur shënoi shkoi para tifozëve serbë dhe i heshti ata, derisa Xhaka gjatë gjithë kohës ishte në shënjestër të serbëve”, ka shkruar ndër të tjera Marca.
Zvicra për herë të dytë radhazi e eliminon Serbinë nga grupet e Kupës së Botës, pasi hera e parë ishte katër vite më parë në Rusi.
Në 1/8 e finlaes së Kampionatit Botëror, Zvicra do të përballet me Portugalinë. /Telegrafi/