LAJMI I FUNDIT:

Maqedonia e Veriut dërgon ndihmë urgjente në Turqi pas tërmetit katastrofik

Maqedonia e Veriut dërgon ndihmë urgjente në Turqi pas tërmetit katastrofik

Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut mbajti sot pasdite seancë të jashtëzakonshme, me qëllim të ofrimit të ndihmës emergjente për Republikën e Turqisë, pas tërmetit katastrofik që goditi vendin me humbje të mëdha njerëzore, qytetarë të lënduar, si dhe dëme të mëdha materiale, njoftojnë nga shtypi i Qeverisë.

“Ministria e Punëve të Jashtme njoftoi se në zonat e prekura në Turqi ka shtetas nga Maqedonia e Veriut, të cilët ndodhen në vende të sigurta dhe në mesin e të cilëve nuk ka të vdekur apo të lënduar. Sipas informacioneve të Ministrisë së Punëve të Jashtme, Konsullata e Nderit ka përgatitur plane për akomodim, ndihmë mjekësore urgjente dhe mbështetje me ushqime dhe pije për qytetarët tanë, nëse lind nevoja.

Qeveria e ngarkoi Ministrinë e Punëve të Jashtme që përmes përfaqësive diplomatike konsullore të Republikës së Maqedonisë së Veriut në Republikën e Turqisë (Ankara dhe Stamboll) të koordinojë aktivitetet për evakuimin e qytetarëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut nga zonat e prekura.


Qeveria, me sugjerim të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, mori vendim për dërgimin e 40 personave nga Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim, pjesëtarë të forcave të Republikës për mbrojtje dhe shpëtim, për të sanuar pasojat e tërmetit në Turqi. Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim ofron pajisje komplete të specializuara dhe mjete materialo-teknike për kërkim-shpëtim nga rrënojat, gjashtë automjete për transportimin e pajisjeve dhe njerëzve dhe dy automjete zjarrfikëse.

Shpenzimet financiare për këtë qëllim do të sigurohen nga fondet e Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim./Telegrafi/