LAJMI I FUNDIT:

Maida Resulbegu: Dolçinea e Ulqinit!

Maida Resulbegu: Dolçinea e Ulqinit!

Nëntëmbëdhjetëvjeçarja nga Ulqini, Maida Resulbegu, është sopranoja e parë shqiptare në Mal të Zi. Ajo, është krenaria e Ulqinit, zëri i shqiptarëve të këtushëm dhe emblema e tyre më e çmuar.

Bisedoi: Shaqir Foniqi

Zëri i saj i kristaltë, pamja deri në fantazi, bukuria mahnitëse, qëndrimi tepër dinjitoz, aristokratik dhe sjelljet e saj në skenë, lënë bindin se zëri i Maides do të dëgjohet larg, madje përtej Atlantikut. Këtyre ditëve sa isha në Ulqin, pata nderin të dëgjoj një koncert të saj madhështor dhe zhvillova këtë intervistë me të, duke ruajtur origjinalitetin e bisedës, tepër miqësore dhe, sikurse thuhet, pa dorëza.


Ulqini është njeri nga qytetet më të vjetra të bregdetit Adriatik. Ai shquhet për historinë krenare, bukuritë natyrore, vetitë çlodhëse dhe relaksuese, e mbi të gjitha për faktin se në këtë qytet, muaji ne mjaltit e kishte kaluar edhe Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, kurse në Ulqin për disa muaj ishte mbajtur si peng shkrimtari i njohur, Miguel De Servantes. Ulqinin e kanë themeluar Kolhidianët qysh në shekullin e pestë para erës sonë. Ai ka patur një histori interesante dhe mjaft të bujshme.

Ulqini njihet për shumë familje të vjetra dhe të respektuara. Njëra nga to është edhe familja Resulbegu. Nga kjo familje kanë dalë figura të shquara, kurse Maida Resulbegu, duket se ka kapërcyer ylberin dhe po ngritët në Olimpin e famës, si sopranoja e parë shqiptare në Malin e Zi. Ajo është vetëm nëntëmbëdhjetëvjeçare dhe prapa vetes ka lënë një gjerdan suksesesh, kurse talenti i saj jep garanci të forta se do të bëhet një Divë e muzikës klasike. Ajo, ka lindur më 14 shkurt 1991, në Ulqin. Ka mbaruar shkollën e mesme në Ulqin dhe atë të muzikës në Kotor.

Maida, nga shumica konsiderohet si Dolçinë e Ulqinit (Dolçinea është sinonim i femrës më të bukur të Ulqinit, sipas mitologjisë), por edhe realiteti i jep një vulë këtij konstatimi. Ajo, sapo ka përfunduar vitin e parë me sukses të shkëlqyeshëm në Akademinë e Arteve të Tiranës, tek profesoresha e njohur dhe zulmëmadhe, Suzana Frashëri, e cila tashmë është një emër i madh i botës artistike shqiptare. Maida, deri tashti ka fituar të gjitha çmimet e para në Malin e Zi, ka mbajtur koncert në Vjenë e Kanada, kurse ëndërron dhe shpreson që një ditë të këndojë edhe në Kosovë, të cilën e do aq shumë dhe i gëzohet përtej mase Pavarësisë së saj. Kam dëshirë të këndoj, bashkë me profesorin tim, Kastriot Tusha, bie fjala në manifestimin për shënimin e njëqind vjetorit të lindjes së Nënës Tereze, por edhe me ndonjë rast tjetër. Pra, po e pres rastin dhe uroj që ai të vij sa më parë!

Maida, së bashku me tenorin e njohur Kastriot Tusha dhe me sopranon e njohur nga Mali i Zi, Jadranka Jovanoviq, sapo kanë mbajtur një koncert madhështor, duke hapur kështu Skenën (artistike) verore të Ulqinit, si dhe për nder të 100-vjetorit të lindjes së Nënës Tereze.

Me të përfunduar koncerti, ne biseduam me Maiden dhe me modestinë dhe kënaqësinë më të madhe u përgjigj në të gjitha pyetjet tona.

Maida, kush ju përkrah në rrugën tuaj të famës?
Absolutisht vetëm familja ime dhe i falënderoj shumë që m’i kanë hapur portat dhe më kanë krijuar kushte që të ndjehem e sigurt dhe e dinjitetshme. Që të jam e sinqertë, në fillim, kanë hezituar, sepse iu dukej sikur po iu dal, sikurse thuhet nga dora, sepse për ta ishte një befasi muzika klasike, prej nga kjo, Mida, tashti të dal, nga, soji dhe…Por, duke parë rezultatet e mia, janë pajtuar dhe janë bindur se unë e prezantoj familjen e madhe (aristokratike ulqinake, Resulbegu) në dritën më të mirë.Në fillim doja të merresha me aktrim, pastaj kisha pasion filmin, por zëri im e vulosi edhe përcaktimin tim jetësor artistik, pra muzikën klasike. Dua të them se nga familja ime askush nuk është marrë me këtë lloj të muzikës dhe, disi, ishte befasi që unë, Maida, të shfaq talent për muzikën klasike. Unë jam sopranoja e parë shqiptare në Malin e Zi dhe kjo më bën krenare, por edhe më obligon shumë. Më pëlqen Opera dhe koncerti live, sikurse thuhet, kurse opinioni më i dashur për mua është, ai shqiptar.

Ulqinin e keni vendlindje, ndërkohë që studioni në Tiranë, kurse pretendoni edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës?
Unë jam lindur në Ulqin dhe kjo më bën që ta dua këtë qytet dhe njerëzit e tij, por t’ua them të drejtën, nuk më mjafton për ta shfaqur pretendimin dhe talentin tim. Sikur më nevojitet një skenë më e madhe dhe më e formuar. Jam në kërkim të saj dhe, besoj, se me kohë do ta gjejë.

Cili kompozitor ju fle më shumë?
Të gjithë, por më me endje i këndoj operat e Moxartit, sepse më duket se kanë shumë dramaticitet dhe jetë të Moxartit .Por, unë interpretoj edhe veprat e Bethovenit, Puçinit etj.

Keni lindur me 14 shkurt, në ditën e të dashuruarve. Jeni, ju e dashuruar?
Jam ‘single’, Shaqë. Jam e re dhe, aktualisht, çdo ndjenjë e shpreh përmes këngës. Nuk nxitoj në këtë punë dhe…kam kritere të ashpra. Vështirë pushtohem unë, se kam lindur dhe jam rritur në Kalanë e Ulqinit, hhahaa …Preokupimi im është skena dhe afirmimi im sa më i madh dhe më i gjerë. Dëshiroj dhe synoj të shkoj larg, e të shohim. Mund t’ju them se unë nuk bëj jetë të natës, por natën e kaloj, ekskluzivisht në familje dhe duke ushtruar. Të jesh soprano, dmth duhet të sakrifikosh shumëçka nga kënaqësitë e çastit, sepse zëri duhet ruajtur, duhet kultivuar dhe duhet avancuar e kontrolluar. Unë, jam tepër e përkushtuar, prandaj, shpresoj se do ta pushtoj…dua të bëj edhe master dhe të fitoj sa më shumë njohuri në këtë lloj arti, i cili për shumëçka është specifik.

Si e mbani bukurinë dhe pse investoni shumë (pa nevojë) për ta ruajtur bukurinë e lindur?
Hahah, bukuria kërkon të ruhet dhe të mbrohet. Në çdo gjë të bukur, duhet investuar, që ajo të ruhet dhe të mos prishet. Faleminderit për konstatimin, por nuk investoj shumë, po e shihni që nuk kam bërë asnjë trajtim. Kam rregulluar pak flokët për koncert, kam vënë pak buzëkuq, kam veshur një fustan të gjatë dhe kam theksuar vetullat, sepse sopranoja kështu duket në skenë, ose duhet të duket, zakonisht. Përndryshe, jam e thjeshtë në jetë dhe e shoqëruar (për këtë u bindëm edhe vetë, mese njëherë, sepse derisa po bisedonim, që të gjithë dëshironin ta përgëzonin për sukseset, saqë, në një moment më bëhej se po më pengonin për të zhvilluar bisedën…

Po, si arrini ta ruani pamjen e bukur, sepse shpirti juaj, po dihet është plot art?
Unë, pi vetëm ujë, që nga mosha tre vjeçare kam kontakt me ujin, detin dhe frutat e tij. Më kujtohet kur i kisha tre vjeçe, më hodhën në det dhe u deshtë të mësoja të notoja, përndryshe do të zhytesha dhe do të ngufatesha. Unë, ha pemë, perime dhe peshkun e kam shumë afër. Por, mos të harroj se bëj edhe fitnes.

Si ta përfundojmë këtë bisedë, Maida?
Si të doni, por me duhet të them, ndoshta për herë të parë, se, disi, sikur më flenë në shpirt edhe një dëshirë e fjetur që të bëhesha gazetare televizive. Ndoshta një ditë, unë do të pyes ty, e jo ti mua, hahhaa. Sidoqoftë, përshëndes shumë vëllezërit e motrat në Kosovë, e sidomos artistët e shumtë atje. Më prisni, do të jem së shpejti në Kosovë, mes miqsh dhe mes artistëve që unë i çmoj shumë, e janë shumë.
Dua të të falënderoj miku im, Shaqa, që më përkrah dhe m’i shpalos sukseset e mia. Nëse një ditë do të bëhem e dëgjuar në shkallë kombëtare dhe më larg, në këtë sukses keni hise edhe ju.

/Telegrafi/

Në trend

Më shumë
Klubi rumun shkruan pas ndeshjes ndaj Rahovecit: Pritje shumë e mirë, ju falenderojmë për këtë gjë

Klubi rumun shkruan pas ndeshjes ndaj Rahovecit: Pritje shumë e mirë, ju falenderojmë për këtë gjë

Hendboll
Hap historik për ushtrinë amerikane: SHBA fillon prodhimin e eksplozivëve TNT në tokat e saj

Hap historik për ushtrinë amerikane: SHBA fillon prodhimin e eksplozivëve TNT në tokat e saj

Amerika
Gabimi i menaxherit në kontratën e parë profesioniste, si u detyrua Liridon Krasniqi të punojë në ‘baushtellë’

Gabimi i menaxherit në kontratën e parë profesioniste, si u detyrua Liridon Krasniqi të punojë në ‘baushtellë’

Kosovë
Shkencëtarët kanë konfirmuar se çfarë ka brenda Hënës

Shkencëtarët kanë konfirmuar se çfarë ka brenda Hënës

Botë
Zbulohet data e fillimit të edicionit të katërt të Big Brother VIP Albania

Zbulohet data e fillimit të edicionit të katërt të Big Brother VIP Albania

Magazina
Darka e Lamës në Llukë të Deçanit, Haradinaj: Shenjë e jona që na bashkon

Darka e Lamës në Llukë të Deçanit, Haradinaj: Shenjë e jona që na bashkon

Lajme
Kalo në kategori