Lladrovci thumbon rivalin e PDK-së: Nëse dikush e mendon se “edhe Dada Razë” i fiton zgjedhjet në Drenas kur kandidohet nga PDK, gabohet
Kryetari aktual i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka reaguar publikisht pas shpalljes së kandidaturës nga Petrit Hajdari, një tjetër emër brenda radhëve të PDK-së që synon postin e të parit të komunës.
Në një postim të gjatë, Lladrovci ka konfirmuar kandidaturën e tij për një mandat të ri, duke theksuar se përkrahja që ka marrë nga Kryesia e Degës së PDK-së në Drenas është e pakontestueshme. Sipas tij, në mbledhjen e mbajtur më 9 qershor 2025, 41 anëtarë votuan për rikandidimin e tij, një kundër dhe një abstenim.
“Kam qenë dhe mbetem kandidat i Partisë Demokratike të Kosovës për kryetar të Drenasit... me qeverisjen time e kam bërë PDK-në krenare,” – shkruan Lladrovci, duke iu referuar vlerësimeve që ka marrë komuna për performancën në qeverisjen lokale.
Ai po ashtu përmendi sukseset e komunës gjatë qeverisjes së tij, përfshirë Çmimin Evropian për Qeverisje të Mirë dhe faktin se as ai dhe asnjë zyrtar komunal nuk ka pasur aktakuza apo dënime në ushtrimin e funksionit publik.
Por ajo që tërhoqi më shumë vëmendje ishte thumba e drejtpërdrejtë ndaj rivalëve të brendshëm, ku pa përmendur emra, Lladrovci shkroi:
“Nëse dikush e mendon se ‘edhe Dada Razë’ i fiton zgjedhjet kur kandidohet nga PDK në Drenas, nuk qëndron.”
Sipas tij, uniteti dhe përkrahja e bazës së partisë në Drenas janë të konfirmuara dhe nuk duhet të nënvlerësohen përballë ambicieve të individëve që dalin me kandidatura alternative.
Ai përmbylli reagimin duke shprehur besim te vendimi përfundimtar i kryetarit të PDK-së, Memli Krasniqi, dhe i Kryesisë Qendrore të partisë, duke kërkuar që ky vendim të mbështetet në vepra dhe kontribut të dëshmuar.






























