Mandatari i dytë i propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje për formimin e Qeverisë, Glauk Konjufca, nuk ka marrë votat e mjaftueshme për pozitën e kryeministrit.

Për Konjufcën votuan vetëm 56 deputetë, transmeton Telegrafi.


Më herët, LVV ka tentuar ta formojë Qeverinë me mandatarin Albin Kurti, por që nuk kishte arritur shumicën në Kuvend.

Pas dështimit të Konjufcës, vendi pritet të shkojë drejt zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare.



19/11/2025 15:39-Konjufca dështon të bëhet kryeministër - vendi drejt zgjedhjeve të jashtëzakonshme

Glauk Konjufca, mandatar i dytë i propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje, nuk ka arritur të sigurojë votat e mjaftueshme për kryeministër.

Pas këtij dështimi, vendi do të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare, transmeton Telegrafi.
Pro Konjufcës votuan 56 ,kundër votuan 53 dhe katër deputetë abstenuan.

19/11/2025 15:38- Haradinaj: Mandatari prezanton vetëm planin për vitin 2026, duket si qeveri njëvjeçare

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka kritikuar mandatarin Glauk Konjufca për mungesën e emrave të kabinetit qeveritar gjatë prezantimit të tij.

Sipas Haradinajt, Konjufca gjatë prezantimit të planit të qeverisjes ka folur vetëm për vitin 2026, duke lënë përshtypjen se po planifikon një qeveri njëvjeçare.
“Kritikën kryesore ndaj mandatarit e kam se nuk na dha një listë me emrat e kabinetit. Nuk është çështje sekreti apo dëmshme, por do të ishte një shenjë respekti. Po ashtu, mungon një program i qartë qeverisës. Kandidati foli për disa qëllime, përmendi vetëm vitin 2026 dhe nuk dha vizion për vitet e tjera; duket sikur po aplikon për një qeveri njëvjeçare,” tha Haradinaj.

19/11/2025 15:37-Abdixhiku për Kurtin: Një njeri me apetit të pakufizuar për karrige

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka thënë se duhet bërë gati që vendi të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme.

Para deputetëve, Abdixhiku bëri disa kritika ndaj Albin Kurtit, duke thënë " për dallim prej teje, ne i rrisim fëmijët këtu".
Ai shtoi se Kurti nuk po merret me izolimin, barrën e familjeve kosovare , e skandalet korruptive, por që po merret me shpifje.

Ismaili: Nuk ka njeri në Kosovë, dhe as Glauku vetë nuk beson, se ai do të jetë kryeministër e Kurti zëvendësi i tij

Ka nisur seanca e jashtëzakonshme për votimin e Qeverisë, ku LVV ka propozuar Glauk Konjufcën si mandatar të dytë.

Deputeti i PDK-së, Uran Ismaili tha se " Nuk ka njeri në Kosovë, dhe as Glauku vetë nuk beson, se ai do të jetë kryeministër e Kurti zëvendësi i tij".
PDK ma herët ka deklaruar se nuk do ta votojnë Konjufcën si kryeministër. /Telegrafi/

19/11/2025 15:07- Konjufca prezanton kabinetin qeveritar

Mandatari për formimin e Qeverisë, Glauk Konjufca ka prezantuar kabinetin e tij qeveritar në qoftë se arrin të marrë votat e mjaftueshme për të udhëhequr Qeverinë.

Konjufca tha se nuk dëshirojnë që vendin ta dërgojnë në dy palë zgjedhje.

Lajmi i plotë këtu:

19/11/2025 14:53- Konjufca: Synojmë ta kursejmë vendin nga dy palë zgjedhje

Glauk

Mandatari për formimin e Qeverisë, Glauk Konjufca tha se pa një qeveri të re, vendi e ka të sigurt vetëm thellimin e krizës.

“Synojmë ta kursejmë vendin nga dy palë zgjedhje, do të ishte arrogancë ta dërgojmë vendin sërish në zgjedhje. Kjo për qytetarët është rraskapitëse”, tha ai, duke shtuar se do të shpenzohen dhe tetë milionë euro pa arsye për organizimin e zgjedhjeve.

19/11/2025 14:44- Nis seanca për votimin e Qeverisë

Ka nisur seanca e jashtëzakonshme ku pritet të votohet për Qeverinë e Kosovës.

Para deputetëve do të flas mandatari Glauk Konjufca.

Seanca ka nisur pas një ore me vonesë.

19/11/2025 14:38- Haxhiu: Opozita e ka përmendur Konjufcën si unifikues, është momenti t’i japin mbështetje

Deputetja e LVV-së, Albulena Haxhiu, ka deklaruar se partitë opozitare gjithmonë e kanë përmendur Glauk Konjufcën si person unifikues dhe tash është koha t’i japin mbështetje.

“Ata (opozita) gjithmonë e kanë përmendur Konjufcën si person unifikues. Sot është momenti t’i japin mbështetje. Nuk kemi pse shkojmë në dy palë zgjedhje në një kohë të shkurtër. Por sot, për hir të qytetarëve dhe të shtetit, le ta votojmë mandatarin, personin e dytë më të votuar, zotin Konjufca. Le t’i thërrasin mendjes, le të reflektojnë. Të mos kenë qasje destruktive”, ka thënë Haxhiu.

19/11/2025 14:35- Abdixhiku: LVV nuk i ka numrat për formimin e Qeverisë


Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka thënë se është gabim i madh që LVV-së i është dhënë mundësia për të bërë propozimin e mandatarit të dytë.

Ai para mediave tha se kjo parti nuk i ka votat për formimin e Qeverisë.

“Nuk janë të interesuar për të zgjedhur krizat, nuk kanë interesim për komunikim. Republika e Kosovës është më shumë përgjegjësi, sesa shfaqje teatrale e kundërshtarëve politikë”, tha ai.

Ai tha se 15-ditëshi është vetëm humbje kohe.

Haradinaj: Nga sot, koha fillon të numërohet ndryshe

Ramush Haradinaj, kryetar i AAK-së, është deklaruar pak para seancës së Kuvendit të Kosovës.

Ai tha se zgjidhja e vetme janë zgjedhjet.

“Po i vjen fundi kësaj. Kemi humbur shumë muaj, shumë javë, shumë ditë, të vlefshme për Kosovën, por edhe shumë mundësi dhe sot, besoj se është dita e kthesës. Pra nga sot koha fillon të numërojë ndryshe”, tha Haradinaj para mediave.

Haradinaj po ashtu njoftoi se do të votojnë kundër Konjufcës.

Limaj deklarohet para nisjes së seancës

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, është deklaruar para nisjes së seancës për formimin e Qeverisë.

Para mediave, Limaj tha se është edhe një tentim për të përmbysur praktikat parlamentare.

"Kjo është një tallje. Nuk ka seancë paradite për komisione parlamentare, e pasdite për buxhet", tha ai.