Qytetarët e Kosovës me 12 tetor i janë drejtuar kutive të votimit për të zgjedhur kryetarët e komunave dhe asamblistët.

Procesi zgjedhor i cili ka nisur në ora 07:00 ka përfunduar në ora 19:00, pa ndonjë incident.


Të drejt vote në këto zgjedhje kanë pasur 2 milionë e 025 mijë e 105 votues.

Kryetari i KQZ-së njoftoi se deri në këtë orë kanë votuar gjithsej 791 mijë e 123 qytetarë, që përbën 39.07% të votuesve nga 2 milionë e 25 mijë e 105 persona me të drejtë vote.

Krahasuar me zgjedhjet lokale të vitit 2021, ku deri në të njëjtën kohë kishin votuar 770 mijë e 171 qytetarë apo 43%, pjesëmarrja është pak më e ulët.

Këtu edhe ne po e përmbyllim raportimin në këtë LIVE për të gjitha zhvillimet e sotme. /Telegrafi/

🔴LIVE/ Mbyllen qendrat e votimit -39,07% pjesëmarrja e qytetarëve në zgjedhje telegrafi.com

13/10/2025 01:07- Zgjedhjet lokale: 17 komuna shkojnë në balotazh më 9 nëntor, 21 përfundojnë garën në rundin e parë

Pas numërimit të shumicës së votave nga zgjedhjet lokale të 12 tetorit 2025, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka bërë të ditur se një pjesë e mirë e komunave do të organizojnë rundin e dytë të zgjedhjeve më 9 nëntor për të përcaktuar kryetarët e rinj.

17 komunat që shkojnë në balotazh, përballjet kryesore janë:

Prishtinë: Përparim Rama (LDK) – Hajrullah Çeku (LVV)

Prizren: Shaqir Totaj (PDK) – Artan Abrashi (LVV)

Pejë: Gazmend Muhaxheri (LDK) – Taulant Kelmendi (LVV)

Junik: Ruzhdi Shehu (LDK) – Agron Kuçi (AAK)

Dragash: Bexhet Xheladini (LDK) – Shaban Shabani (PDK)

Gjakovë: Ardian Gjini (AAK) – Ardian Gola (LVV)

Kaçanik: Sabedin Vishi (PDK) – Jeton Raka (LVV)

Fushë Kosovë: Valon Prebreza (LVV) – Besnik Osmani (LDK)

Mitrovicë e Jugut: Arian Tahiri (PDK) – Faton Peci (LVV)

Rahovec: Smajl Latifi (AAK) – Ali Dula (LVV)

Suharekë: Bali Muharremaj (AAK) – Ardian Shala (LDK)

Gjilan: Alban Hyseni (LVV) – Arbër Ismajli (LDK)

Viti: Sokol Haliti (LDK) – Arsim Ademi (LVV)

Vushtrri: Ferit Idrizi (PDK) – Sylejman Meholli (LVV)

Obiliq: Xhafer Gashi (LDK) – Halil Thaçi (LVV)

Klinë: Zenun Elezaj (AAK) – Sokol Bashota (PDK)

Kllokot: Bozhidar Dejanoviq (Lista Serbe) – Sreqko Spasiqi (Uniteti Kombëtar Serb)

Ndërkohë, 21 komuna përfunduan garën në rundin e parë pa balotazh, duke shpallur fituesit e tyre:

Ferizaj: Agim Aliu (PDK)

Lipjan: Imri Ahmeti (LDK)

Kamenicë: Kadri Rahimaj (LVV)

Deçan: Bashkim Ramosaj (AAK)

Istog: Ilir Ferati (LDK)

Podujevë: Shpejtim Bulliqi (LVV)

Skënderaj: Sami Lushtaku (PDK)

Malishovë: Ekrem Kastrati (Nisma Socialdemokrate)

Drenas: Ramiz Lladrovci (Për Drenasin Kampion)

Në komunat me shumicë serbe, Lista Serbe ka fituar zgjedhjet në:

Veriore: Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok

Tjera: Novobërdë, Shtërpcë, Graçanicë, Ranillug dhe Partesh

Dalja në votime ka qenë rreth 39%, ndërsa sipas të dhënave të KQZ-së, të drejtë vote kishin 2.069.098 qytetarë, përfshirë rreth 44,000 votues me postë nga jashtë vendit (17 shtator – 11 tetor).

Procesi zgjedhor është zhvilluar i qetë dhe pa incidente të mëdha, duke reflektuar një organizim të rregullt dhe transparent.

13/10/2025 00:41- Zgjedhjet lokale 2025: 21 komuna përmbyllin garën në rundin e parë, 17 të tjera shkojnë në balotazh

Nga 38 komunat e Kosovës, 21 prej tyre kanë përfunduar garën për kryetarë komunash në rundin e parë të zgjedhjeve lokale të mbajtura më 12 tetor.

Në disa nga komunat kryesore, rezultatet e radhës tregojnë fitore të qarta:

Ferizaj: Agim Aliu (PDK) fiton me mbi 56% të votave.

Lipjan: Imri Ahmeti (LDK) fiton me mbi 51% të votave.

Podujevë: Shpejtim Bulliqi (LVV) fiton me mbi 53%.

Skenderaj: Sami Lushtaku (PDK) fiton bindshëm me mbi 83% të votave.

Kamenicë: Kadri Rahimaj (LVV) fiton mbi 50%.

Istog: Ilir Ferati (LDK) siguron 58% të votave.

Shtime: Qemajl Aliu (LVV) fiton mbi 50%.

Malishevë: Ekrem Kastrati (Nisma Socialdemokrate) fiton mbi 53%.

Deçan: Bashkim Ramosaj (AAK) fiton mbi 51%.

Drenas: Ramiz Lladrovci (Për Drenasin Kampion) fiton mbi 52%.

Hani i Elezit: Mehmet Ballazi (PDK) fiton mbi 50%.

Mamushë: Abdulhadi Krasniç (KDTP) fiton mbi 50%.

Në katër komunat me shumicë serbe – Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok – fitues kanë rezultuar kandidatë të Listës Serbe, e cila ka fituar gjithashtu edhe në Novobërdë, Shtërpcë, Graçanicë, Ranillug dhe Partesh.

17 komunat e tjera, rundi i dytë i zgjedhjeve do të mbahet më 9 nëntor.

Dalja në votime ka qenë rreth 39%, ndërsa sipas të dhënave të KQZ-së, të drejtë vote kanë pasur 2.069.098 qytetarë, përfshirë rreth 44.000 votues me postë nga jashtë vendit në periudhën 17 shtator – 11 tetor.

12/10/2025 22:15- Haradinaj: AAK ka shënuar fitore historike

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj deklaroi se “Aleanca ka shënuar një fitore historike”. Në Suharekë, Rahovec, Gjakovë, Deçan e Klinë, ai tha se kanë arritur fitore bindëse.

Kështu u shpreh ai në konferencë për media, ku Haradinaj tha se në këto zgjedhje lokale kanë garuar në 25 komuna për kandidatë për kryetar.

12/10/2025 22:14- Abdixhiku: LDK e para dhe në garë në 12 komuna, Përparim Rama fituesi kryesor

Abdixhiku: LDK e para dhe në garë në 12 komuna, Përparim Rama fituesi kryesor

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku në një konferencë të përbashkët me kandidatin për kryetar të Prishtinës, Përparim Rama e ka quajtur këtë “konferencë e fitores së madhe të LDK”.

“Falënderoj dhe uroj qytetarët për një proces demokratik të drejtë. Dua ti falënderoj vëzhguesit dhe komisionserët që vazhdojnë të kujdestarojnë votën e qytetarëve të Kosovës. Kemi fituar, prinë dhe është në garë në gjithsejtë 12 komuna. Pra 12 tetori është i 12 komunave të LDK”, tha Abdixhiku.

12/10/2025 20:58- Memli Krasniqi: Sot fituan qytetarët, demokracia dhe besimi në të ardhmen

Memli Krasniqi: Sot fituan qytetarët, demokracia dhe besimi në të ardhmen

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka falënderuar qytetarët për pjesëmarrjen në zgjedhjet lokale të mbajtura sot në Kosovë, duke theksuar se rezultati i tyre është një fitore për qytetarin dhe demokracinë.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Krasniqi u shpreh mirënjohës për çdo votë të dhënë për PDK-në, duke e cilësuar partinë e tij si modelin më të mirë të qeverisjes lokale.

12/10/2025 20:50- KQZ nis numërimin e votave për kryetarë komunash

Në ueb-faqen zyrtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) kanë filluar të publikohen rezultatet e para të zgjedhjeve lokale që u mbajtën sot në mbarë vendin.

Megjithatë, sipas KQZ-së, përqindja e votave të numëruara është ende shumë e vogël, dhe rezultatet kanë karakter preliminar.

12/10/2025 20:48- Cenimi i votës, dy raste në procedurë të rregull - s'ka të arrestuar

Deri në mbylljen e procesit të votimit në Kosovë, Prokurori i Shtetit njofton se nuk ka ndaluar asnjë person për vepra penale që lidhen me të drejtat e votimit.

Gjatë ditës, janë pranuar disa informata lidhur me parregullsi të mundshme, por vetëm dy raste janë cilësuar si të mbështetura në elemente të veprave penale.

“Rasti i parë është regjistruar në fshatin Bare – Mitrovicë e Jugut, për veprën penale “Cenim i fshehtësisë së votimit”. I dyshuari është liruar në procedurë të rregullt me vendim të prokurorit. Rasti i dytë ka ndodhur në Kllokot – Gjilan, për veprën “Cenim i përcaktimit të lirë të votuesve”. Edhe në këtë rast, e dyshuara është liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në njoftim.

12/10/2025 20:00- Kurti falënderon votuesit: LVV mori mbështetje nëpër komuna

Kryeministri në detyrë i Kosovës dhe lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka reaguar pas përfundimit të procesit të votimit në zgjedhjet lokale, duke falënderuar qytetarët për pjesëmarrjen dhe mbështetjen ndaj kandidatëve të LVV-së nëpër komuna.

Përmes një postimi në rrjete sociale, Kurti theksoi se qytetarët e Kosovës edhe njëherë kanë dëshmuar kulturën e tyre demokratike, duke kaluar ditën e zgjedhjeve me qetësi, dinjitet dhe përgjegjësi.

12/10/2025 19:58- PDK e bindur se Uran Ismaili është në balotazh për Prishtinën

PDK e bindur se Uran Ismaili është në balotazh për Prishtinën

Sekretarja e PDK-së, Vlora Çitaku në një konferencë për media ka bërë të ditur se Partia Demokratike e Kosovës është fituese e këtyre zgjedhjeve.

Ajo shtoi se si subjekt janë të bindur që kandidati i tyre për kryetar të Prishtinës, Uran Ismaili është në balotazh.

“Sa u përket exit polleve me gjithë respektin për to e vërteta është në kutitë e votimit, sa i përket Prishtinës kandidati ynë jemi të bindur se është në balotazh këtë na konfirmojnë ekipet tona nga tereni dhe matjet tona të brendshme, kjo do të konfirmohet edhe brenda pak orësh pas përfundimit të numrit të votave”, tha ajo.

12/10/2025 19:50- Zgjedhjet lokale 2025 përfundojnë pa incidente, mbi 791 mijë qytetarë votuan deri në orën 19:00

Në një konferencë për media, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka bërë të ditur se procesi i votimit për zgjedhjet lokale ka përfunduar në orën 19:00 dhe, sipas të dhënave nuk janë evidentuar incidente që do të mund të cenonin integritetin apo besueshmërinë e zgjedhjeve.

Kryetari i KQZ-së njoftoi se deri në këtë orë kanë votuar gjithsej 791 mijë e 123 qytetarë, që përbën 39.07% të votuesve nga 2 milionë e 25 mijë e 105 persona me të drejtë vote.

12/10/2025 17:48- Pjesëmarrja në zgjedhje arrin 32,55% - të dhënat deri në orën 17:00

Deri në orën 17:00, në zgjedhjet e sotme në Kosovë kanë votuar gjithsej 659,044 qytetarë, që përfaqëson 32.54% të votuesve të regjistruar në Listën e Votuesve.

Sipas të dhënave të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), numri i përgjithshëm i qytetarëve me të drejtë vote është 2,025,105.

Po ashtu, deri në këtë orë janë procesuar 2,426 nga gjithsej 2,571 vendvotime, që përbën 94.36% të vendvotimeve të rregullta.

12/10/2025 17:44- Ambasadori britanik viziton qendrat e votimit në Drenas: Të lumtur që më shumë njerëz po dilnin për të votuar në pasdite

Ambasadori britanik në Kosovë, Jonathan Hargreaves pas vizitave në disa qendra të votimit në veri të Mitrovicës dhe në Zveçan vizitoi edhe disa nga qendrat e votimit në Drenas.

Hargreaves tha në rrjetin social "X" se është i lumtur që po sheh kaq shumë njerëz duke ushtruar të drejtën e tyre të votimit.

"Ndalesa jonë e radhës ishte në Drenas, të lumtur që më shumë njerëz po dilnin për të votuar në pasdite. Shpresoj që të gjithë kosovarët do ta përdorin të drejtën e tyre për të votuar dhe për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre lokalë komunalë", ka shkruar ai në "X".

12/10/2025 17:39- Çitaku: Vazhdoni të votoni, PDK po fiton besimin e Kosovës

Sekretarja e Përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku në konferencën e fundit për media për ditën e sotme, ka thënë pjesëmarrja e qytetarëve në votime është e kënaqshme dhe se mbështetja për PDK-në po rritet dukshëm.

Çitaku ka konfirmuar se komunat të cilat shkojnë pa balotazh janë komunat e Partisë Demokratike të Kosovës.

“Në shumë komuna, raportet që po marrim nga terreni janë tej mase pozitive. PDK po prin bindshëm dhe me epërsi të dukshme, falë punës, përkushtimit dhe besimit të qytetarëve tanë”, ka thënë ajo.

12/10/2025 17:19- Zgjedhje pa incidente në veri, Elshani: Procesi po ecën normalisht

Procesi zgjedhor në veri të Mitrovicës po zhvillohet pa ndonjë incident, ndërsa kanë mbetur më pak se dy orë deri në mbylljen e vendvotimeve.

Këtë e ka konfirmuar për Telegrafin zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani.

Elshani ka deklaruar se situata në terren është e qetë dhe nën kontroll të plotë.

12/10/2025 16:38- LDK: Zgjedhje të qeta, qytetarët po votojnë me dinjitet demokratik

Lidhja Demokratike e Kosovës në një konferencë për media ka thënë se procesi zgjedhor po vazhdohet në mënyrë demokratike.

“Të dhënat nga tereni, nga komisionerët dhe vëzhguesit tanë na bëjnë të ditur se procesi deri më tani është i rregullt dhe demokratik, prandaj falënderoj qytetarët e Kosovës për këtë proces demokratik e të rregullt, ftoj ata që ende nuk kanë votuar ta bëjnë këtë”, ka thënë zëdhënësi i kësaj partie Besian Mustafa.

Ai shtoi se për rezultate nuk mund të flas tani, dhe se nuk kanë pasur raportime për ndonjë incident të madh.

12/10/2025 16:10- Pula: Rreth tetë incidente të raportuara, s’ka të arrestuar

Pula: Rreth tetë incidente të raportuara, s’ka të ndaluar

Rreth tetë raste janë raportuar si incidente, por nuk kanë rezultuar me elemente të veprës penale, thotë koordinatorja nacionale për zgjedhje, prokurorja Laura Pula.

12/10/2025 15:46- KQZ: 510 mijë e 525 qytetarë kanë votuar deri në orën 15:00, procesi po zhvillohet i qetë

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), në konferencën e radhës ka bërë të ditur se dalja e qytetarëve në votime deri në orën 15:00 është 25,21%.

Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi ka thënë se procesi po zhvillohet në mënyrë të qetë dhe pa pengesa.

“Sipas të dhënave preliminare që kemi marrë nga rreth 94% të vendvotimeve, numri I qytetarëve me të drejtë vote që kanë votuar deri në orën 15:00 është 510, 525 votues apo 25,21% nga 2 milionë e 25 mijë e 105 votues", tha Radoniqi.

12/10/2025 15:28- Të shtëna me armë para qendrës së votimit në Komoran, s’ka të lënduar

Të shtëna me armë para qendrës së votimit në Komoran, s’ka të lënduar

Të shtëna me armë kanë ndodhur para qendrës së votimit në fshatin Komoran të Drenasit.

Një dëshmitar ka mohuar se rasti ka të bëjë me procesin zgjedhor, duke thënë se të shtënat kanë ndodhur për shkak të një mos marrëveshje të mëhershme në mes dy të rinjve, të cilët fillimisht janë rrahur në mes vete e më pas njëri nga ata ka shtënë me armë zjarri katër herë.

12/10/2025 15:11- Një person shoqërohet nga Policia në shkollën “Naim Frashëri” në Shtime

Një person shoqërohet nga Policia në shkollën “Naim Frashëri” në Shtime

Një incident i lehtë është raportuar gjatë pasdites së sotme në komunën e Shtimes, ku një person është shoqëruar nga Policia e Kosovës në një nga qendrat e votimit.

Zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli, ka bërë të ditur për Telegrafin se rasti ka ndodhur në qendrën e votimit që ndodhet në shkollën “Naim Frashëri”, rreth orës 14:30, kur një person me inicialet E.M. është shoqëruar në stacionin policor.

12/10/2025 15:07- Qytetarët ankohen në Mitrovicë të Jugut për ndryshim të qendrës së votimit

​Qytetarët ankohen në Mitrovicë të Jugut për ndryshim të qendrës së votimit

Qytetarë në Mitrovicë të Jugut janë ankuar për ndryshim të qendrës së votimit në zgjedhjet e sotme lokale.

KosovaPress ka qëndruar gjatë ditës në qendrën e votimit në shkollën “Migjeni”, ku qytetari Jakup Halili, pasi kishte shkuar për të votuar në këtë qendër, u njoftua se i është ndryshuar qendra e votimit.

12/10/2025 14:50-Ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit vizitoi dhomën operative për monitorimin e procesit zgjedhor

Ushtruesi i Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, z. Besim Kelmendi vizitoi dhomën operative për monitorimin e procesit zgjedhor në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit, ku u prit nga Koordinatorja Nacionale për Zgjedhje, prokurorja nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, znj. Laura Pula.


Me këtë rast U.D. kryeprokurori Kelmendi pa nga afër punën e kësaj dhome, cila është e angazhuar në mbrojtjen e votës së lirë të qytetarëve gjatë procesit zgjedhor, si dhe falënderoi dhe inkurajoi koordinatoren Pula dhe stafin e kësaj dhome operative për punën që janë duke e bërë, me qëllim të sigurimit të integritetit të procesit zgjedhor.

12/10/2025 14:44- “Presion mbi votuesit”- Kuçi akuzon Ramosajn për prezencë në qendrat e votimit

Kandidatja për kryetare të Deçanit nga radhët e PSD-së, Natyra Kuçi ka raportuar sërish për presion ndaj qytetarëve nga kryetari aktual i kësaj komune, Bashkim Ramosaj.

Kuçi ka thënë se Ramosaj është duke qëndruar në qendra të votimit bashkë me zyrtarë të tjerë.

Lajmi i plotë KËTU.

12/10/2025 14:43- Dita e zgjedhjeve, EULEX monitoron situatën e sigurisë

Sot në tërë Kosovën po mbahet procesi i zgjedhjeve lokale, ku do të përcaktohen kryetarët e rinj për 38 komunat.

Në kuadër të kësaj, Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX), në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe KFOR-in, ka angazhuar patrulla mobile në terren për të monitoruar situatën e sigurisë në të gjithë vendin.

12/10/2025 14:38- Orav viziton qendrat e votimit në Prishtinë dhe Mitrovicë të Veriut

Ambasadori i BE-së, Aivo Orav ka vizituar qendra të votimit në Prishtinë dhe Mitrovicë të Veriut.

Përmes një postimi në "X" Bashkimi Evropian në Kosovë ka njoftuar se Orav iu bashkua kolegëve të Bashkimit Evropian në Kosovë dhe përfaqësuesit e Shteteve

"Ambasadori i BE-së, Aivo Orav, iu bashkua #Diplomaticwatch për Zgjedhjet Lokale të sotme së bashku me kolegët e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe përfaqësuesit e Shteteve Anëtare dhe vendeve partnere të vendosura në të gjithë Kosovën", thuhet në njoftim.

Orav tha se këto vizita i ofruan pasqyrë të vlefshme të procesit.

"Vizitat në qendrat e votimit në Prishtinë dhe Mitrovica Veriore ofruan një pasqyrë të vlefshme të procesit", tha ai.

12/10/2025 14:43- Komunat me shumicë të banorëve serbë me pjesëmarrje më të lartë në votime deri në ora 13:00

Sot, e diel, më 12 tetor 2025, qytetarët e Republikës së Kosovës po u drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur kryetarët e komunave dhe anëtarët e kuvendeve komunale në kuadër të zgjedhjeve lokale.

Procesi i votimit ka filluar në orën 07:00 të mëngjesit dhe do të përfundojë në orën 19:00.

Sipas të dhënave nga KQZ, dalje më e madhe e votuesve vërehet në komunat me shumicë serbe.

12/10/2025 14:23- Ambasadori Hargreaves viziton KQZ-në: Tani është radha e qytetarëve të Kosovës të dalin e të votojnë

Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, e ka nisur ditën e sotme me një vizitë në Komisionin Qendror Zgjedhor (KQZ) në Prishtinë, ku ka falënderuar drejtuesit dhe institucionet përgjegjëse për angazhimin në mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, përcjell Telegrafi.

Në një postim në profilin e tij në Facebook, Hargreaves ka shprehur mirënjohje për kryetarin e KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, drejtorin e përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, si dhe për prokurorin kujdestar, për përkushtimin e tyre dhe të ekipeve përkatëse në sigurimin e një procesi të qetë dhe efikas zgjedhor.

12/10/2025 14:19- Dyshime për fotografim të fletëvotimeve në rajonin e Prishtinës, policia konfirmon tri raste

Policia e Kosovës ka konfirmuar se deri tani janë pranuar tri raste ku dyshohet për fotografim të fletëvotimeve në rajonin e Prishtinës. Rastet janë raportuar në tri komuna të ndryshme: një në Podujevë, një në Drenas dhe një në Prishtinë.

Zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, e ka konfirmuar lajmin për Telegrafin, duke bërë të ditur se të gjitha informacionet janë duke u trajtuar në koordinim të plotë me Prokurorinë.

12/10/2025 13:45- Deri në ora 13:30, 16.28% e qytetarëve kanë dalë për të votuar

Në platformën elektronike të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve bëhet e ditur se deri në ora 13:29 pjesëmarrja e qytetarëve në zgjedhje 16,28 për qind.

Procesi zgjedhor ka nisur në ora 07:00, ndërsa përfundon në ora 19:00.

Disa orë pas mbylljes së procesit të votimit pritet të dalin rezultatet preliminare për kryetarët e komunave.

12/10/2025 12:56- Çitaku: Në një qendër votimi në Drenas janë arrestuar tre persona për fotografim të votës

Sekretarja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku tha se në një qendër votimi janë arrestuar tre persona për fotografim të votës.

Në një konferencë për media, ajo shtoi se deri më tani procesi zgjedhor po zhvillohet kryesisht mirë dhe ka dalje të qytetarëve.

12/10/2025 12:34- Voton kryetari i Kuvendit, Dimal Basha

Kryetari i Kuvendit, Dimal Basha pas votimit: "Ftoj të gjithë qytetarët të dalin masivisht dhe të votojnë, sepse vota është zëri juaj që dëgjohet dhe mënyra më e drejtpërdrejtë për të ndikuar në vendimet që prekin jetën tonë të përditshme".

12/10/2025 12:16- Kurteshi: Serbët e veriut qëllimisht kanë shkuar të organizuar për votim për të shkaktuar probleme

Anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje në Komisionin Qendror Zgjedhor (KQZ), Sami Kurteshi, ka vlerësuar se Lista Serbe ka organizuar një tubim masiv në veri të Mitrovicës, duke tejkaluar përqindjen e popullsisë në këtë rajon.

Kurteshi tha se serbët e veriut janë drejtuar në mënyrë të organizuar drejt vendvotimeve, por sipas tij, janë bllokuar qëllimisht korridoret dhe qendrat e votimit për të shkaktuar probleme dhe incidente.

“Kam marrë raportin e sekretariatit dhe kemi bërë përpjekje për të përcjellë ngjarjet. Kam ngritur shqetësimet për atë që ka ndodhur në veri të Mitrovicës, ku Lista Serbe ka organizuar tubim kundër rregullave të procesit zgjedhor”, tha Kurteshi, raporton Telegrafi.

12/10/2025 12:02- Voton Bekë Berisha në Prishtinë

Kandidati i AAK-së për kryetar të Prishtinës, Bekë Berisha, sot hodhi votën për zgjedhjet lokale në shkollën “Meto Bajraktari” në Kryeqytet.

Berisha i uroi qytetarëve shëndet dhe bëri thirrje për një fillim të mbarë

“Qytetarë të nderuar të Prishtinës, ju njoftoj që të dalim të shfrytëzojmë të drejtën që të votojmë… Ju uroj shëndet dhe suksese të gjithë juve”, tha Berisha.

12/10/2025 12:01- Beqiri: Votoni për Prishtinën që do t’i ngjajë ëndrrave tona

Kandidati për kryetar të Prishtinës nga Alternativa, Merkur Beqiri ka votuar sot në zgjedhjet lokale, gjersa ftoi qytetarët që të votojnë për Prishtinën që do t’i ngjajë ëndrrave.

“Sot votova. Në të njëjtin vend ku, shumë vite më parë, nisa rrugëtimin tim profesional — në Fakultetin Teknik të Prishtinës. Sot, jo si student, por si qytetar që beson në dijen, në punën e ndershme dhe në fuqinë e votës për ta ndryshuar realitetin tonë. Çdo hap nëpër korridoret e këtij fakulteti më solli kujtime të rinisë, të shpresës dhe të ëndrrës për një Kosovë që ndërtohet me dije, jo me mashtrime”, shkruan ai. /Telegrafi/

12/10/2025 11:53- Voton Besa Shahini, fton qytetarët të dalin të ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar

Kandidatja e PSD-së për kryetare të Prishtinës, Besa Shahini ka votuar në shkollën fillore "Iliria".

Shahini ka ftuar të gjithë qytetarët të bëhen pjesë e procesit të votimit sidomos gratë.

"Sapo votova në shkollën fillore 'Iliria', ftoj të gjithë qytetarët të dalin të ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar, sidomos gratë. Kemi fol shumë që në zgjedhjet lokale votojnë më pak sesa burrat, i ftoj të gjitha që sot ta përmbysim këtë statistikë edhe të jemi në numër sa më të madh duke marrë pjesë në zgjedhjet sot që të marrin pjesë në vendimet që na afektojnë jetën e përditshme", tha Shahini.

12/10/2025 11:51- KQZ: Deri në ora 11:00, 7.87% e qytetarëve kanë dalë për të votuar

Kryetari i Komisionit Qendror Zgjedhor, Kreshnik Radoniqi, ka mbajtur sot një konferencë për media lidhur me pjesëmarrjen e qytetarëve në zgjedhjet lokale në Kosovë.

“Nuk ka ndonjë incident. KQZ mbetet në kontakt të vazhdueshëm me trupat zgjedhor për të siguruar që procesi të zhvillohet sipas ligjit dhe rregullave zgjedhore”, tha Radoniqi, raporton Telegrafi.

Duke u bazuar në të dhënat preliminare nga terreni, në rreth 94% të vendvotimeve, numri i qytetarëve që kanë dalë për të votuar është 159,472, ose 7.87%.

12/10/2025 11:49- Fatmir Limaj: Qytetarët kanë mundësinë të vlerësojnë punën e kryetarëve të komunave

Kryetari i Nisma Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka ushtruar sot të drejtën e tij për të votuar në Zgjedhjet Lokale që po zhvillohen në Kosovë.

Limaj u shpreh se qytetarët kanë mundësinë të zgjedhin ata që do të përmirësojnë jetën e tyre për katër vitet e ardhshme.

“Sot është një moment i rëndësishëm për demokracinë në Kosovë, veçanërisht për demokracinë lokale”, tha Limaj, raporton Telegrafin.

12/10/2025 11:46- Koordinatorja Laura Pula dhe Barbano flasin për mbrojtjen e votës së lirë

Shefi i Misionit të BE-së për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), Giovanni Pietro Barbano, i shoqëruar nga bashkëpunëtorët e tij vizitoi dhomën operative në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit, e cila është e angazhuar për mbrojtjen e votës gjatë procesit zgjedhor, ku u prit nga Koordinatorja Nacionale për Zgjedhje, prokurorja nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, Laura Pula dhe stafi i kësaj dhome operative.

Në njoftim thuhet se Pula informoi të pranishmit për angazhimin e Prokurorit të Shtetit lidhur me mbrojtjen e votës së lirë të qytetarëve të Republikës së Kosovës për zgjedhjet lokale që po mbahen sot.

Ndërsa, shefi i Misionit të BE-së për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), Giovanni Pietro Barbano, përgëzoi punën që është duke u bërë nga sistemi prokurorial në mbrojtje të votës dhe uroi që ky proces zgjedhor të kalojë i qetë deri në përfundim të tij.

12/10/2025 11:38- Abdixhiku: Le të jetë ditë feste, Kosova duhet të jetë krenare me procesin zgjedhor


Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, i ka quajtur ditë feste zgjedhjet e sotme lokale.

“Zgjedhjet në Kosovë gjithmonë kanë qenë, janë dhe do të mbesin festë e madhe e demokracisë. Janë ditë kur vendimmarrja kthehet te qytetarët e Kosovës për katër vitet e ardhshme, për qytetet, lagjet dhe fshatrat e tyre. Le të urojmë, punojmë dhe shpresojmë që Kosova do të jetë shembull i organizimit të zgjedhjeve, demokracisë dhe vullnetit të lirë të qytetarëve të Kosovës... Le të jetë ditë feste dhe ditë e demokracisë. Kosova duhet të jetë krenare me procesin zgjedhor”, tha ai.

I pyetur për mbledhjen e qytetarëve nga Lista Serbe në Mitrovicë të Veriut që të votojnë në mënyrë të organizuar, Abdixhiku tha se ai bazohet në organet zyrtare KQZ-në, Prokurorinë dhe Policinë dhe se iu beson të njëjtave.

12/10/2025 11:28- Rama: Urime për fitoren e Shqipërisë dje, uroj që edhe sot të fitoj kryeqyteti

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryetar të Prishtinës, Përparim Rama pasi hodhi sot votën uroi qytetarët për fitoren historike të Shqipërisë në ndeshjen futbollistike ndaj Serbisë, ndërsa uroi që edhe sot të fitoj kryeqyteti.

Ai tha se në këtë zgjedhje të fitojnë ata që bashkëpunojnë me miqtë ndërkombëtare.

“Urime për fitoren e Shqipërisë dje, një fitore historike, uroj që edhe sot të fitojë kryeqyteti, zhvillimi i vendit tonë. Të fitojë një bashkëpunimi, një unifikim, një zgjidhje e përbashkët për të ardhmen tonë, të ardhmen e fëmijëve tanë... Uroj që fitorja të jetë e atyre që bashkëpunojnë me miqtë tanë ndërkombëtar, që i çojnë proceset përpara me një vizion të mirëfilltë”, tha ai.

12/10/2025 11:08- Kuçi: Zyrtarët e AAK-së po iu bëjnë presion qytetarëve në disa qendra votimi

Kandidatja për kryetare në Komunën e Deçanit, nga Partia Socialdemokrate (PSD), Natyra Kuçi ka thënë se në disa qendra të votimit zyrtarët e AAK-së po iu bëjnë presion qytetarëve.

Kuçi përmes një postimi në rrjetin social në Facebook ka publikuar një video, në të cilën pretendon se kryetari i rinisë së AAK-së, Selim Lokaj është duke iu bërë presion qytetarëve për votim.

Ajo në postim i drejtohet organeve kompetente për reagim.

12/10/2025 10:44- KQZ publikon platformën elektronike për rezultatet dhe pjesëmarrjen në zgjedhje

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka vënë në funksion platformën elektronike për publikimin e rezultateve preliminare dhe statistikave të pjesëmarrjes në zgjedhjet lokale të 12 tetorit 2025.

Përmes kësaj platforme, qytetarët mund të ndjekin në kohë reale rezultatet për çdo komunë, qendër votimi dhe vendvotim. Të dhënat mund të shihen në linkun zyrtar: https://resultslocal2025.kqz-ks.org, raporton Telegrafi.

12/10/2025 10:36- Osmani: Qytetarët të ushtrojnë të drejtën e votës, të vendosin se kush do t’i drejtojë në katër vitet e ardhshme

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka ushtruar të drejtën e saj për të votuar në Zgjedhjet Lokale.

E para e vendit votoi në Fakultetin Teknik, ndërsa deklaroi se të gjithë qytetarët të dalin dhe të vendosin se kush do t’i drejtojë për katër vitet të ardhshme.

“Sot është një ditë e rëndësishme për demokracinë e vendit tonë. Sa më e madhe pjesëmarrja dhe sa ma i rregullt procesi zgjedhor – aq më e fortë është demokracia jonë”, tha Osmani, raporton Telegrafi.

12/10/2025 10:29- Krasniqi: Besoj që jo më larg se në dhjetor do të votojmë edhe për zgjedhjet parlamentare

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka ushtruar sot të drejtën e votës, duke votuar në zgjedhjet lokale.

“I ftoi të gjithë qytetarët e Kosovës të dalin të votojnë masivisht për të vënë drejtimin qyteteve dhe komunave ku jetojnë sepse katër vite janë shumë dhe verdikti i tyre duhet të jetë që vendos për të ardhmen e tyre”, tha ai.

“Besoj dhe shpresoj që do të votojmë jo më larg se në dhjetor edhe në zgjedhjet parlamentare”, u shpreh tutje Krasniqi. /Telegrafi/

12/10/2025 09:42- Ismaili: Sot vendoset për katër vitet e ardhshme për Prishtinën

Kandidati nga radhët e PDK-së për kryetar të Prishtinës, Uran Ismaili, ka ushtruar të drejtën e tij për të votuar.

Ismaili e ushtroi këtë të drejtë nga shkolla “Ismail Qemali” në kryeqytet, ndërsa ka falënderuar të gjithë qytetarët për mbështetjen që i kanë dhënë për më shumë se një muaj.

“Është një ditë e mirë për Prishtinë, ku do të vendoset për katër vitet e ardhshme”, tha fillimisht Ismaili, raporton Telegrafi.

12/10/2025 09:38- Kurti: Qytetarët ta shfrytëzojnë të drejtën e votës, sot vendosim për katër vitet e ardhshme në komunat tona

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka ushtruar të drejtën e tij qytetare duke votuar sot në Fakultetin Juridik në Prishtinë, në kuadër të zgjedhjeve lokale për kryetarë dhe asamble komunale.

Pas votimit, Kurti u prononcua shkurt para mediave duke theksuar rëndësinë e kësaj dite për të ardhmen e komunave në Kosovë.

“Sot është një ditë shumë e rëndësishme. Votojmë për të vendosur për katër vitet e ardhshme në komunat tona – për çerdhet, për shkollën, për ujin, për shërbimet, në lagjet e qytetarëve dhe fshatrat ku jetojmë”, tha Kurti.

12/10/2025 09:26- Mungesë e librit të statistikave në qendrën e votimit të Fakultetit të Filologjisë, kryesuesit e vendvotimeve shkruajnë në fletë të bardha

Në Fakultetin e Filologjisë, qendrës së votimit me numër 1906, të gjitha vendvotimet kanë pasur mungesë të librit të statistikave.

Në Fakultetin e Filologjisë, qendrës së votimit me numër 1906, të gjitha vendvotimet kanë pasur mungesë të librit të statistikave.

Për këtë është dashur që të gjendet alternativ dhe kryesuesit e vendvotime statistikat i shkruajnë në fletë të bardha.

12/10/2025 09:06- Çeku voton në Prishtinë: Sot vendosim për katër vitet e ardhshme

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) për kryetar të Komunës së Prishtinës, Hajrulla Çeku, ka votuar sot në Fakultetin Filologjik në Prishtinë, duke ushtruar të drejtën e tij qytetare në kuadër të zgjedhjeve lokale.

Pas votimit, Çeku dha një prononcim për media ku e cilësoi ditën e zgjedhjeve si një moment të rëndësishëm për demokracinë dhe pjesëmarrjen qytetare.

“Dita e zgjedhjeve duhet të jetë ditë feste dhe besoj që edhe kjo do të jetë e tillë. Pas një fushate të qetë dhe përgjithësisht konstruktive, që realisht u përmbyll në mënyrën më të mirë e më të bukur me fitoren e jashtëzakonshme të Shqipërisë mbrëmë në futboll, sot jemi këtu për ta ushtruar të drejtën tonë demokratike”, deklaroi ai.

12/10/2025 08:33- Elezi: Janë hapur shumica e qendrave të votimit – mbi 2 milionë qytetarë me të drejtë vote

Procesi zgjedhor në Kosovë ka nisur zyrtarisht sot, me hapjen e shumicës së qendrave të votimit në të gjitha komunat e vendit.

Lajmin e ka bërë të ditur zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi, i cili tha se, me përjashtim të ndonjë vonese në qendra të caktuara, procesi ka nisur normalisht.

“Janë hapur qendrat e votimit në Kosovë me përjashtim të ndonjë vonese në ndonjë qendër të caktuar. Sot procesi i votimit zhvillohet në 948 qendra të votimit me gjithsej 2625 vendvotime, prej të cilave 910 janë qendra të rregullta me 2571 vendvotime, ndërkaq 38 qendra të tjera nga një për çdo komunë me 54 vendvotime janë hapur për të mundësuar votimin me kusht”, ka thënë Elezi.

12/10/2025 08:31- Haradinaj voton në Gllogjan: Ndjenjë e mirë me votu ku ka votuar babai e familja

Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj pas votimit në Gllogjan tha se kreu obligimin e tij qytetar, të drejtën për të votuar.

Haradinaj i ftoi qytetarët e vendit të dalin të votojnë.

Kreu i AAK-së tha se u ndje mirë që votoi në vendlindje. “Qenka ndjejë e mirë me votu në vendlindje, ku më ka votuar baba e familja, e pata një përjetim shumë të mirë”, tha ai.

12/10/2025 08:00- KQZ publikon linkun, u bëhet thirrje votuesve të verifikojnë qendrën e votimit

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njofton të gjithë qytetarët me të drejtë vote se përmes platformës elektronike https://qv.kqz-ks.org mund të kontrollojnë me lehtësi se ku është Qendra e Votimit ku është caktuar të votojë.

Në njoftim bëhet e ditur se për t’u qasur në platformën e KQZ-së, votuesi duhet të shënojë numrin personal të Republikës së Kosovës dhe datën e lindjes.

“Pas kësaj menjëherë do të hapet një faqe e re që do të shfaq të dhënat e votuesit, përfshirë adresën e saktë të Qendrës së Votimit ku është caktuar të votojë, e cila mund të shikohet përmes GoogleMap....”, thuhet në njoftim.

12/10/2025 07:57- Hapen të gjitha qendrat e votimit në Deçan

Hapen të gjitha qendrat e votimit në Deçan

Të gjitha qendrat e votimit në komunën e Deçanit janë hapur me kohë.

Kjo është konfirmuar nga ushtruesi i detyrës së zyrtarit ekzekutiv i Komisionit Komunal të Zgjedhjeve, Fatmir Cacaj i cili tha se materiali sensitiv zgjedhor është shpërndarë me kohë.

“Të gjitha qendrat e votimit në Deçan janë hapur me kohë, edhe materiali sensitiv zgjedhor është shpërndarë me kohë”, tha ai, raporton kp.

12/10/2025 07:56- Peja gati për votim

Në qendrën e votimit në shkollën fillore “Lidhja e Prizrenit”, në Pejë gjithçka është gati për të nis procesi zgjedhor për zgjedhjet lokale të 12 tetorit.

Menaxherja e kësaj qendre, Mejteme Kolica-Shatri tha se materiali sensitiv ka ardhur me kohë dhe tashmë pesë vendvotimet janë gati për tu zhvilluar votimi.

Ajo tha se në këtë qendër votimi kanë të drejtë vote 4 mijë e 84 votues.

12/10/2025 07:32- Radoniqi fton qytetarët të dalin në votim: Presim që sot të dalim me rezultate preliminare

Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi ka ushtruar të drejtën e votës në qendrën "Lidhja e Prizrenit" në Pejë.

Radoniqi tha se qendrat e votimit janë hapur në kohë dhe ka ftuar qytetarët të dalin në votim për të shprehur vullnetin e tyre të lirë.

"Kjo qendër e votimit në Pejë është hapur dhe unë besoj që edhe të gjitha qendrat tjera në Republikën e Kosovës janë hapur deri tani. Ftoj të gjithë qytetarët të dalin në votim, të shfrytëzojnë të drejtën e tyre për të votuar, të shprehin vullnetin e tyre të lirë në këto zgjedhje për të cilat KQZ ka punuar 6 muaj. Kemi bërë përgatitje të shumta, kemi ndryshime në proces sipas ligjit që ka hyrë në fuqi në vitin 2023. Kemi përmirësuar platformën për të cilën në këto zgjedhje presim që sonte të dalim me rezultate preliminare disa orë pas përfundimit të procesit zgjedhor. Edhe qendra komunale të numërimit të gjitha janë të pajisura me pajisje për numërim dhe presim që nesër të nisim procesin e numërimit për asamblistë”, citohet të thënë ai.

12/10/2025 07:12- Rreth 100 prokurorë të shtetit për ta mbrojtur votën e lirë të qytetarëve

Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit ka bërë të ditur se për zgjedhjet lokale në Republikën e Kosovës, të cilat mbahen sot më 12 tetor 2025 janë bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për të realizuar mbrojtjen e votës së lirë të qytetarëve, duke garantuar integritetin e procesit zgjedhor.

Sipas një njoftimi për media bëhet e ditur se në këto zgjedhje janë angazhuar së bashku rreth 100 prokurorë të shtetit dhe zyrtarë të sistemit prokurorial, të cilët do të qëndrojnë kujdestarë në gjithë territorin e Republikës së Kosovës, deri në përfundim të procesit zgjedhor, me qëllim të procedimit të çdo parregullsie që mund të ndodhë në zgjedhjet e sivjetme lokale.

"Prokurori i Shtetit i fton qytetarët e Republikës së Kosovës, të gjitha subjektet politike, institucionet apo organizatat e ndryshme, që të denoncojnë tek prokuroritë përkatëse, çdo rast, për të cilin kanë dyshime se po keqpërdoret ose manipulohet vota në çfarëdo mënyre dhe nga kushdo qoftë", thuhet në njoftim.

12/10/2025 07:08- Policia e Kosovës me urdhrin operativ “Zgjedhjet lokale 2025”

Policia e Kosovës, përmes hartimit të urdhrit operativ policor ka bërë të gjitha planifikimet e saja policore lidhur me zgjedhjet lokale, të cilat do të mbahen me 12 tetor 2025, në Republikën e Kosovës.

Në njoftimin për media thuhet se me qëllim të ofrimit të sigurisë dhe mbarëvajtjes së procesit zgjedhor do të angazhohen një numër i mjaftueshëm i zyrtarëve policorë të profileve të ndryshme, që iu përkasin njësiteve të ndryshme brenda Policisë së Kosovës.

“Planifikimi operativ ka paraparë implementimin dhe realizimin e operacionit policor në katër faza, duke filluar nga periudha parazgjedhore apo përgatitore vlerësuese, pastaj angazhimi në ofrimin e sigurisë gjatë fushatës parazgjedhore, angazhimi dhe garantimi i sigurisë në fazën kyçe të ditës së zgjedhjeve si dita (Z), si dhe periudha pas zgjedhjeve që parasheh transportin nën përcjellje dhe siguri të PK-së të materialit sensitiv e deri në përfundim të procesit”, thuhet në njoftim.

12/10/2025 07:03- 948 Qendra votimi në gjithë Kosovën, qendrat e votimit hapen në ora 07:00

Sot qytetarët e 38 komunave do të kenë mundësi të votojnë për kryetarë dhe përfaqësues të tyre në Kuvende komunale.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se janë 948 qendra votimi në gjithë Kosovën që do të hapen në orën 07:00 të mëngjesit e do të mbyllen në orën 19:00.

KQZ ka njoftuar se janë bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për të siguruar një proces të rregullt, transparent dhe të qetë.