Sulmuesi i Përfaqësueses së Kosovës, Lirim Kastrati është bërë subjekt i disa ofertave nga klubet elitare spanjolle në La Liga.
Orët e Lirim Kastratit te skuadra kroate, Lokomotiva Zagreb, duket se janë të numëruara. Forma fantastike e reprezentuesit të Kosovës ka zgjuar interesim te shumë klubeve për të kërkuar shërbimet e tij.
Sipas mediumit kosovar GazetaSheshi, në drejtim të klubit kroat tashmë kanë arritur disa oferta për 20-vjeçarin nga Kamenica.
Skuadra e Mallorcas që është rikthyer këtë edicion në La Liga po e kërkon me ngulm kartonin e Kastratit, derisa ka ofruar katër milionë euro për klubin nga Zagrebi, vetëm e vetëm për ta pranuar ofertën.
Interesim për futbollistin nga Hogoshti ka shfaqur edhe skuadra tjetër e La Ligës, Real Betis, por që ende nuk ka ndonjë ofertë zyrtare nga andaluzianët.
Po me një ofertë zyrtare dhe shumë të lartë ka ardhur nga skuadra e Torontos. Ekipi nga MLS ka ofruar gjashtë milionë euro për Lokomotivën dhe një pagë tejet të majme për futbollistin, por duket se dëshira e tij nuk është që karrierën ta vazhdojë në SHBA, prandaj është i përqendruar drejt Evropës.
Pjesën më të madhe të kartonit e zotëron skuadra e Lokomotivës nga Zagrebi, ndërkohë që gjithçka mbetet në duart e presidentit të klubit Tin Doliçki, i cili do të vendos për të ardhmen e futbollistit, gjithmonë në bashkëpunim me yllin e Kosovës dhe menaxherët e tij.
Këtë edicion, Kastrati është paraqitur në 18 ndeshje për Lokomotivën e Zagrebit, derisa ka realizuar gjashtë gola dhe ka shërbyer katër herë për bashkëlojtarët e tij.
Ai gjithashtu ishte pjesë e formacionit më të mirë të vitit në Kroaci.