Libra të përdorur për klasat 6-9, drejtori i Arsimit në Deçan i reagon MASHTI-t: Cilësia e mësimit në rrezik
Drejtori i Arsimit në Komunën e Deçanit, Besnik Hulaj ka reaguar ashpër ndaj vendimit të Ministrisë së Arsimit lidhur me shpërndarjen e librave shkollorë vetëm për klasat 1 deri në 5, ndërsa për klasat 6 deri në 9 është paraparë që të përdoren librat e vitit të kaluar.
Sipas Hulajt, kjo qasje është tërësisht e papranueshme dhe paraqet një trajtim të padrejtë për nxënësit, mësimdhënësit dhe prindërit.
“Librat janë të dëmtuar dhe të përdorur në masë të madhe, shumë prej tyre janë të përshkruar, të grisur apo të pamjaftueshëm për mësim efektiv,” u shpreh Hulaj në një reagim të bërë në Facebook.
Ai thekson se përveç dëmtimeve, problemi shtohet edhe nga mungesa reale e librave për shkak të ndryshimeve në numrin e nxënësve çdo vit.
“Numri i nxënësve ndryshon nga viti në vit, dhe ekziston mungesë reale e librave për të gjithë nxënësit. Kjo praktikë cenon cilësinë e mësimit dhe rëndon barrën mbi nxënësit, mësimdhënësit dhe prindërit”, u shpreh Hulaj.
Drejtori i Arsimit në Deçan tutje theksoi se MASHTI nuk mund të fshihet pas termave si ‘efikasitet’ apo ‘ripërdorim i burimeve’ kur në fakt sipas tij, bëhet fjalë për neglizhencë dhe mungesë planifikimi.
Hulaj i kërkon MASHT-it që ta tërheqë këtë vendim dhe të sigurojë tekste të reja për të gjitha klasat, nga klasa e parë deri në të nëntën.
“Nxënësit meritojnë libra të rinj, të papërdorur dhe të përshtatshëm për një proces mësimor dinjitoz. Kjo është më e pakta që mund të ofrojmë si sistem arsimor. I bëjmë thirrje publike MASHT-it që të tërheqë këtë vendim dhe të sigurojë tekste të reja për të gjitha klasat, nga e para deri në të nëntën. E po ashtu të përfshihen edhe klasat e nivelit parafillorë” shtoi ai. /Telegrafi/






























