Anglia mund të ketë siguruar kualifikimin në Kupën e Botës, por legjenda e Manchester Unitedit, Paul Scholes, beson se “Tre Luanët” nuk kanë asnjë shans për të triumfuar në turne, nëse Thomas Tuchel nuk rikthen “tre lojtarët e tij më të mirë” në skuadër.

Kombëtarja angleze mposhti lehtësisht Letoninë me rezultat 5-0 të martën në mbrëmje, duke siguruar kualifikimin për në Botërorin e ardhshëm dy ndeshje para fundit të grupit.


Ish-trajneri i Chelseat, Thomas Tuchel, është në kërkim të trofeut të parë madhor për futbollin anglez që nga viti 1966, pasi mori drejtimin e kombëtares pas epokës së Gareth Southgate.

Nën drejtimin e Southgate, Anglia arriti dy finale të Kampionateve Evropiane dhe dy gjysmëfinale të Kupës së Botës, por pa arritur ta ndërpresë pritjen e gjatë për një trofe.

Paul Scholes

Megjithatë, ish-mesfushori i Anglisë dhe legjenda e United, Paul Scholes, thotë se “Tre Luanët” nuk kanë “asnjë shans” për sukses nëse Tuchel nuk rikthen tre lojtarët e tij kryesorë, si Jude Bellingham, Phil Foden e Jack Grealish.

“Isha pak i befasuar. Këta tre lojtarë duhet të jenë në skuadër dhe do të jenë për Kupën e Botës”.

“Nëse e shikon formacionin aktual, mund të thuash se nuk kanë asnjë shans të fitojnë Kupën e Botës. Edhe me këta tre lojtarë, do të ishte një sfidë e madhe — por të paktën do të kishin më shumë gjasa për ta fituar”.

“Jude Bellingham ka munguar për shkak të një dëmtimi, por tashmë është rikthyer në formë, kështu që unë do ta kisha ftuar sërish”.

“Thomas Tuchel nuk ka shumë ndeshje në dispozicion deri në nisjen e Botërorit – vetëm periudhat e nëntorit dhe marsit – prandaj është koha që këta lojtarë të kthehen në skuadër”, tha Scholes në podcastin The Overlap

Bellingham iu nënshtrua një operacioni në shpatull gjatë verës, por ishte rikthyer në fushë me Real Madridin përpara se Tuchel ta linte jashtë listës së fundit të kombëtares./Telegrafi/

telegrafi sport app