Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka zhvilluar një takim me kandidatët e partisë që garojnë në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale.

Në takim u diskutua për mobilizimin e strukturave dhe përgatitjet për balotazhin që do të mbahet më 9 nëntor, përcjell Telegrafi.





Gjatë takimit, Abdixhiku ka kërkuar angazhim maksimal nga të gjithë kandidatët dhe ekipet e tyre në terren, duke theksuar rëndësinë e një fushate të koordinuar dhe pozitive.

Ai ka vlerësuar entuziazmin dhe energjinë që po shfaqin degët e LDK-së nëpër komuna, si dhe mbështetjen në rritje nga qytetarët në gjithë vendin.

Në takim është theksuar se LDK ka dëshmuar aftësi qeverisëse me përgjegjësi dhe rezultate konkrete, duke sjellë zhvillim, mirëqenie dhe stabilitet në komunat ku udhëheq.

Po ashtu, është nënvizuar se partia mbetet e përkushtuar ndaj qeverisjes lokale që vendos qytetarin në qendër të vendimmarrjes dhe punon për përmirësimin e shërbimeve dhe zhvillimin ekonomik të qëndrueshëm.

LDK shprehet e bindur se me unitet, profesionalizëm dhe përkushtim të përbashkët do të arrijë fitore në shumicën e komunave ku garon në balotazh. /Telegrafi/