LAJMI I FUNDIT:

Lamborghini Urus pritet të patrullojë në autostradat italiane

Lamborghini Urus pritet të patrullojë në autostradat italiane

Lamborghini ka përforcuar partneritetin 20 vjeçar me policinë italiane, duke i dorëzuar automjetin e gjashtë Lamborghini Urus Performante të vitit 2023.

Ky model do të integrohet në shërbimet operative të policisë italiane të autostradave në vitin 2024, dhe do të përmbushë detyra të veçanta si transporti urgjent mjekësor i organeve dhe plazmës së gjakut, përcjell Telegrafi.

Urus special kombinon ngjyrën e kaltër klasike, dhe atë të bardhë të policisë së Italisë, me një brez ngjyrë të kuqe, të bardhë, dhe të gjelbër, që përputhet me flamurin italian.


Këto tre ngjyra përsëriten edhe në detajet anësore dhe çatinë e makinës, e cila është e pajisur me një shirit me drita LED.

Brenda ka një kuti armësh, një ekran mesazhesh, dhe çantë të ndihmës së parë.

Gjithashtu, përmban edhe një frigorifer të klasës mjekësore, për të ruajtur organet gjatë rrugës, i cili përbëhet nga një ekran dhe teknologji që monitoron vazhdimisht temperaturën e përmbajtjes së tij.

Me një motor V8 4.0 litërsh me dy turbo, Urus prodhon 490 kW, duke mundësuar shpejtësi maksimale prej 306 km/h.

Megjithëse ende nuk është bërë e ditur për sa kohë do të përdoret nga policia italiane, ky automjet pritet të jetë një pjesë e rëndësishme e flotës së tyre.

Lamborghini të shpejtë nuk duan vetëm policia italiane.

Dubai për shumë vite ka pajisur policinë e tij me makina të fuqishme, duke përfshirë një Aventador të gatshëm për ndjekje. /Telegrafi/