Ditëve të fundit në media dhe rrjete sociale kanë qarkulluar shumë ‘paralajmërime’ të cilat sugjerojnë se një lloj i paracetamolit është i kontaminuar me virusin Machupo, dhe si rrjedhojë duhet të shmanget.
Por faktikisht ky lajm ka filluar të qarkullojë në rrjete sociale në muajt e hershëm të vitit 2017, shkruan Telegrafi.
Me 28 shkurt të vitit 2017, në rrjetin social ‘Twitter’ ishte postuar ky lajm i rrejshëm, ku shkruhej: “Keni kujdes dhe mos e përdorni paracetamolin në të cilin shkruhet P / 500. Ky është një paracetmol i ri, me një ngjyrë shumë të bardhë dhe të shndritshme, për të cilin doktorët kanë dëshmuar se e përmban virusin ‘Machupo’, i cili konsiderohet si njëri nga viruset më të rrezikshme në botë me një shkallë të lartë të vdekjes”.
Stay away from this paracetamol below. Quickly pass this information to save life pic.twitter.com/jmlaF1onr4
— Olawoyin Edris,anipr (@Olawoyin4u) February 28, 2017
Machupo (ndryshe njohur si “virusi bolivian hemorragjik” apo “tifo i zi”) është i përhapur në veri dhe jug të Bolivisë, ndërsa në përgjithësi shpërndahet përmes ajrit apo ushqimit. Sipas raportimeve, lloji i paracetamolit P/500 është i kontaminuar me këtë patogjen, dhe iu rrezikon të infektoheni. Por këto paralajmërime nuk janë të mbështetura nga ndonjë organizatë e shëndetësisë apo nga ndonjë ekspert.
Nuk ka ndonjë të vërtetë në këto paralajmërime, ndërsa zyrtarët e shëndetit publik që atëherë kishin konfirmuar se janë thashetheme dhe s’janë kredibile.
Ndër të parët që kishin reaguar për këtë mashtrim, kishte qenë Administrata e Ushqimeve dhe Ilaçeve të Indonezisë, e cila tregonte se raportimet në rrjete sociale për paracetamolin P/500 janë të rrejshme dhe nuk kanë bazë shkencore.
Edhe me 8 shkurt të vitit 2017, zyrtarët e shëndetit publik në Malajzi e kishin vërtetuar se këto janë thashetheme, duke treguar se virusi i tillë nuk mund t’i mbijetojë procesit të krijimit të pilulës.
Reagim të njëjtë ka pasur sot edhe Ministria e Shëndetësisë së Kosovës, ku ka njoftuar se produkti në fjalë nuk është i regjistruar në Republikën e Kosovës. /Telegrafi/