Kuvendi i bllokuar, Gjykata s’mund të veprojë – Koci thotë se vetëm një marrëveshje e madhe politike e zgjidh situatën

Kriza politike në Kosovë po thellohet, derisa Kuvendi ende nuk është konstituuar dhe nuk shihet ndonjë zgjidhje e afërt.
Analisti i çështjeve politike, Melazim Koci në një deklaratë për Telegrafin, ka thënë se situata aktuale është rezultat i mungesës së shumicës parlamentare dhe boshllëkut kushtetues në nenin 67, që nuk e parasheh një skenar kur partia e parë nuk arrin ta krijojë shumicën për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.
“Kemi Kuvendin ku as pozita dhe as opozita e deritashme nuk e kanë shumicën dhe këtu është thelbi i krizës së tashme. Nëse kësaj i shtohet deficiti në Kushtetutën tonë, që në nenin 67 është e heshtur për rastet kur partia e parë nuk ka shumicën, atëherë bëhet e qartë se kemi të bëjmë me një krizë që do të jetë vështirë të tejkalohet”, ka thënë Koci për Telegrafin.
Sipas tij, zgjidhja nuk pritet të vijë as pas afatit 30-ditor të paraparë në procesin e konstituimit. Ai sugjeron që e vetmja rrugëdalje afatgjatë është një marrëveshje e gjerë politike për të shkuar në zgjedhje të reja, por duke amandamentuar paraprakisht Kushtetutën.
“Zgjidhja mbase është te një marrëveshje e madhe ndërmjet të gjitha partive politike që vendi të dërgohet në zgjedhje të reja parlamentare. Por, ka rrezik që skenari i tashëm të përsëritet edhe pas zgjedhjeve të reja, nëse paraprakisht nuk do të ketë amendamentim të Kushtetutës, që pjesërisht ka shkaktuar këtë krizë,” thekson ai.
Koci propozon që amendamentimi të mundësojë që, nëse partia apo koalicioni i parë nuk arrin të zgjedhë kryetarin e Kuvendit brenda 15 ditëve, atëherë kjo e drejtë t’i kalojë partisë apo koalicionit të dytë.
Nëse as kjo përpjekje nuk prodhon shumicë, atëherë të shpallen zgjedhje të reja. Por, për këtë sipas analistit Koci duhet më parë të konstituohet Kuvendi, që aktualisht është i bllokuar.
“Vetëm një marrëveshje e madhe politike për konstituim të Kuvendit, që do të bënte amendamentimin e Kushtetutës, mund të ofrojë zgjidhje dhe Kosova të mos ballafaqohet me bllokada të tilla në zgjedhjet pasuese,” shton ai.
Nga ana tjetër, edhe Gjykata Kushtetuese, sipas Kocit është në pozitë të vështirë.
Ai shpjegon se, për shkak të mungesës së qartësisë në Kushtetutë, gjykata nuk ka mundësi të japë zgjidhje, pa hyrë në kompetenca që i tejkalojnë funksionin interpretues.
“Gjykata Kushtetuese është me duar të lidhura, sepse neni 67 i Kushtetutës sonë të drejtën e zgjedhjes së kryetarit/kryetares së Kuvendit ia jep vetëm partisë/grupimit të parë. Kushtetuta jonë është e heshtur për rastet kur partia e parë nuk arrin të bëjë shumicën në Kuvend,” ka deklaruar Koci.
Në këtë kontekst, ai paralajmëron se një interpretim i zgjeruar nga gjykata do të përbënte rishkrim të Kushtetutës, gjë që nuk është në mandatin e saj.
Zgjidhja sipas tij duhet të vijë përmes Kuvendit dhe një marrëveshjeje politike që çon drejt amendamentimit kushtetues.
“Gjykata është në situatë shumë të rëndë: të bëjë rishkrim të Kushtetutës (që nuk do të duhej) apo të pohojë se çështja mund të zgjidhet vetëm me amendamentim të Kushtetutës, që ajo nuk mund ta bëjë,” përfundon Koci.
Koci tërheq vërejtjen se nëse nuk ndërmerren hapa konkretë për ndryshimin e Kushtetutës, Kosova rrezikon të përballet me të njëjtin bllokim institucional edhe pas zgjedhjeve të reja eventuale.
Gjykata Kushtetuese e Kosovës, në fund të javës së kaluar, vlerësoi se Kuvendi i Kosovës duhet të konstituohet brenda 30-ditësh, se kryetari i këtij institucioni duhet të zgjidhet me votim të hapur dhe se për një kandidat nuk mund të votohet më shumë se tri herë.
Afati fillon të rrjedhë sapo aktgjykimi të publikohet në Gazetën Zyrtare, gjë që ende nuk ka ndodhur. /Telegrafi/






































