Site icon Telegrafi

Kush do të shpallet kampion: Parashikimi statistikor i ‘CIES Football Observatory’ për renditjen finale në ligat kryesore evropiane

Sezoni 2020/2021 ka hyrë në fazën finale dhe liderët nëpër ligat kryesore evropiane, por përpiqen të qëndrojnë në krye deri në xhiron e fundit.

Aktualisht Atletico Madridi (La Liga), Manchester City (Liga Premier), Inter (Serie A), Lille (Ligue 1) dhe Bayern Munich (Bundesliga), udhëheqin në ligat përkatëse.

Mirëpo, kush do të përfundojë në krye të tabelës në muajin maj? Kësaj përgjigje është përpjekur t’i përgjigjet CIES Football Observatory (Qendra Ndërkombëtare për Studime Sportive).

“Projeksioni është kalkuluar duke përdorur modelin statistikor duke marrë për bazë goditjet në kuadratin e portës dhe përpjekjet nga brenda zonës apo golat e shënuar, posedimi i topit, si edhe pasimet e skuadrave dhe kundërshtarëve të tyre në 1/3 e pjesës kundërshtare të fushës”, thuhet në shpjegimin e tyre.

La Liga: Atletico Madridi do të shpallet kampion

(Foto: CIES)

Parashikimi e shpall Atletico Madridin kampion për herë të parë që nga sezoni 2013/2014. Në anën tjetër, Barcelona, Real Madridi dhe Sevilla, do të përfundonin në top-katërshe, kurse Huesca, Real Valladolid e Elche, do të bien nga liga.

Liga Premier: Manchester City do të qëndrojë në krye deri në fund

(Foto: CIES)

Manchester City mbetet favorit për të mos e lëshuar vendin e parë deri në fund të sezonit në Ligën Premier duke e kthyer titullin. Parashikimi befasues për kampionatin anglez është që Tottenham Hotspur mbetet jashtë zonës për Ligën e Evropës.

Bundesliga: Një tjetër titull për Bayern Munichun

(Foto: CIES)

Nuk ka ndonjë befasi parashikimi se Bayern Munichu mund ta fitojë titullin e radhës në Bundesliga, porse befason renditja e Borussia Dortmundit që është parashikuar të mbetet jashtë Ligës së Kampionëve. Ndërsa Schalke është parashikuar të përfundojë krejt në fund të tabelës duke rënë nga liga.

Serie A: Juventusi nuk e fiton titullin e 10 radhazi

(Foto: CIES)

Juventusi është në kërkim të titullit të dhjetë radhazi në Itali, mirëpo në bazë të këtij parashikimi do ta përfundojë sezonin në vend të tretë. Në ndërkohë, Interi parashikohet ta mbyllë këtë sezon si kampion me dy pikë më shumë se rivali i qytetit, Milan.

Ligue 1: Titulli i parë për Lyonin që nga sezoni 2007/2008

(Foto: CIES)

Paris Saint-Germaini nuk pritet ta fitojë titullin e radhës në Ligue 1 në bazë të këtij parashikimi që për kampion nxjerr Lyonin me një pikë më shumë se kampioni në fuqi. Lille dhe Monaco janë dy skuadrat tjera që do të kualifikoheshin në Ligën e Kampionëve.

/Telegrafi/

Exit mobile version