Analistët politikë kanë ndarë mendimet e tyre mbi zgjedhjet e ardhshme parlamentare, duke parashikuar rezultatet e mundshme.
Analisti politik Dardan Gashi ka shprehur mendimin e tij në lidhje me fituesin e mundshëm të zgjedhjeve të ardhshme parlamentare në Kosovë, duke theksuar se votuesit nuk duhet të përsërisin “gabimin” e zgjedhjeve të kaluara.
Sipas Gashit, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka përçarë shoqërinë dhe dëmtuar marrëdhëniet me ndërkombëtarët.
“Varet nga votuesit nëse duan të mirën e Kosovës apo jo. Nëse mendojnë mirë dhe duan të mirën e vendit, nuk do të bëjnë të njëjtin gabim. Edhe nëse LVV merr më shumë vota, nuk do të fitojë. Nuk është mirë të votohen njerëzit që krijojnë armiqësi dhe përçarje me të gjithë botën,” tha ai.
Gazetari Lirim Mehmetaj në emisionin “Debat Plus” u shpreh se në zgjedhjet e ardhshme “Kosova do të humbë, ndërsa LVV do të fitojë”.
Ai nuk beson se Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) do të marrin më shumë vota se herën e kaluar.
“Humb Kosova dhe fiton LVV, s’ka diskutim. Është e vështirë të kuptohet pse dikush që nuk i ka votuar PDK-në ose LDK-në më parë, do t’i votojë tani,” tha Mehmetaj.
Ai shtoi se një dalje e vogël në zgjedhje do t’i konvenonte më shumë LVV-së dhe se zgjedhjet lokale nuk do të reflektojnë në zgjedhjet qendrore.
Ndërkohë, analisti Dibran Hoxha kritikoi qeverisjen e Vetëvendosjes, duke theksuar përkeqësimin e arsimit dhe mungesën e rritjes së pagave, megjithë mundësitë e qeverisë për të vepruar.
“Pas katër viteve kemi shtrenjtim të rrymës, arsim të dobët dhe mirëqenie në nivel të ulët. Qeveria ka pasur kapacitetet për të rritur pagat, por nuk e ka bërë,” tha ai.
Analisti Ylli Hoxha deklaroi se LVV ka një avantazh të dukshëm ndaj partive të tjera, por suksesi i saj varet nga dalja në zgjedhje.
“Sa më e madhe të jetë pjesëmarrja në zgjedhje, aq më e madhe është mundësia që LVV të arrijë fitoren e parashikuar në sondazhe,” tha ai.
Ish-deputeti Visar Ymeri sugjeroi se është koha për të bërë një bilanc të politikave të ndjekura deri tani dhe për të menduar se çfarë lloj ministrash i duhen Kosovës në të ardhmen.
“Çfarë duhet me prit nga njerëzit që marrin institucionet. Pra i kemi provua politikat zhvillimore, ato të bashkëpunimit me ndërkombëtarë, pushtetin që ka premtuar parajsën etj. Tash është koha për të menduar se çfarë ministra na duhen neve”, ka deklaruar Ymeri./Telegrafi/