Kurti u mirëprit nga zëvendëspresidenti i Bosnjës, Refik Lendo

Takimet zyrtare në Sarajevë, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i vazhdoi me zëvendëspresidentin e Federatës së Bosnjës dhe Hercegovinës, gjeneralin Refik Lendo, me të cilin diskutuan rreth marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve dhe rreth mundësive për shtim dhe thellim të bashkëpunimit.Kryeministri Kurti e falënderoi zëvendëspresidentin Lendo për mikpritjen e institucioneve të Bosnjës dhe Hercegovinës në Sarajevë. E njoftoi atë për përgatitjet që institucionet e Republikës së Kosovës po bëjnë për fillimin e zbatimit të marrëveshjes së Procesit të Berlinit për lëvizje me letërnjoftime të qytetarëve të Bosnjës dhe Hercegovinës në drejtim të Kosovës, duke filluar nga 1 janari 2025.

Zëvendëspresidenti Lendo falënderoi kryeministrin Kurti dhe Qeverinë e Republikës së Kosovës për vendimin në lidhje me lëvizjen e lirë me letërnjoftime dhe shprehu shpresën që edhe vendi i tij të zbatojë masë reciproke për qytetarët e Kosovës në një të ardhme të afërt.






















































