Site icon Telegrafi

Kurti reagon ndaj debateve mbi doracakët për edukimin seksual në shkolla

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar ndaj kritikave dhe polemikave të ngritura në lidhje me përdorimin e doracakëve ndihmës për mësimdhënësit në sistemin arsimor, duke i cilësuar ato si një “fushatë propaganduese dhe përpjekje për krijimin e kauzave të paqena”.

Në deklaratën e tij në Facebook, Kurti ka sqaruar se doracakët nuk janë pjesë e kurrikulave shkollore, as tekste obligative për nxënës.

“Doracakët në fjalë, asnjëherë nuk kanë qenë kurrikulë, as tekste shkollore, as lëndë obligative, as tekst obligativ apo tekst për nxënës”, shtoi Kurti.

Kryeministri tha se ato janë hartuar që nga viti 2016, kur ministër i Arsimit ishte Dr. Arsim Bajrami nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), dhe janë miratuar më vonë në vitin 2020 gjatë mandatit të ministres Hykmete Bajrami nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK).

Publikimi i tyre, sipas tij, ka ndodhur në gusht të vitit 2023, dhe jo në nëntor të vitit 2024, siç pretendohet nga partitë opozitare.

Duke theksuar angazhimet e qeverisë për familjen dhe fëmijët, Kurti ka përmendur një sërë politikash që synojnë përmirësimin e kushteve të jetesës dhe edukimit.

Lidhur me shqetësimet e ngritura nga prindërit dhe individët, Kurti ka falënderuar ata që kanë shprehur vërejtjet e tyre me sinqeritet dhe ka njoftuar se Ministria e Arsimit ka marrë vendim për largimin e doracakëve nga përdorimi dhe rishikimin e tyre në bashkëpunim me palët relevante, përfshirë Këshillin e Prindërve të Kosovës.

“Në reagimin tonë të parë institucional ne kemi shprehur gatishmërinë për të rishikuar përmbajtjen që nuk e kanë gjuhën e përshtatshme, dhe nuk përputhen me kontekstin apo standardet e edukimit. Të premten, Ministria e jonë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, ka nxjerrë vendim për largim nga përdorimi i doracakëve ndihmës për mësimdhënës dhe rishikimin e tyre, me ç’rast në komisionin përkatës do të jenë të ftuar të gjitha palët relevante, përfshirë natyrisht edhe Këshillin e Prindërve të Kosovës”.

Kurti thotë se lufta hibride kundër qeverisë dhe shtetit është intensifikuar si asnjëherë më parë.

“Kjo fushatë propaganduese është një shembull i luftës hibride kundër qeverisë dhe shtetit tonë. Ne inkurajojmë qytetarët të verifikojnë informacionet dhe të mbështeten në institucionet shtetërore për të dhëna të sakta”, ka përfunduar Kurti./Telegrafi/

Exit mobile version