Shefja e re e diplomacisë së Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, ka zhvilluar të martën takime të ndara me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në Bruksel.
Pas takimit, Kurti shprehu optimizëm për angazhimin e Kallasit, ndërsa kërkoi që Serbia ta dorëzojë në Kosovë, kryeterroristin, Milan Radoiçiq, përgjegjës për sulmin në Banjskë.
“Në takim diskutuam çështjet e progresit të Kosovës sa i përket integrimeve evropiane, por edhe raportet me fqinjin tonë verior. Ia theksova që kemi pasur rritje ekonomike dhe progres demokratik të paparë në Kosovën e pavarur dhe njëkohësisht kemi menaxhuar sfidat më të rënda të sigurisë, kërcënimet më serioze të cilat rezultuan me vrasjen e rreshterit Afrim Bunjaku”.
“Kryekrimineli i bandës që kreu këtë mbahet i lirë dhe mbështetet nga Serbia. Ne kërkuam, si në çdo takim tjetër, dorëzimin e Radoiçiqit tek autoritetet e Kosovës pasi Prokuroria tani ka aktakuzë prej 160 faqësh dhe grupin e tij prej mbi 40 persona”, ka thënë Kurti.
Nga ana tjetër, presidenti Vuçiq e përshkroi bisedën me Kallas si “të hapur dhe të vështirë”. Ai theksoi se diskutuan për dialogun me Kosovën, çështjen e Banjskës dhe sanksionet ndaj Rusisë.
“Unë u përgjigja në përputhje me politikën dhe interesat e Serbisë”, shkroi Vuçiq në Instagram.
Takimet vijnë vetëm disa ditë pas një shpërthimi në Zubin Potok, për të cilin Kosova fajëson Serbinë.
BE e ka cilësuar incidentin e 29 nëntorit si një “akt terrorist” dhe “sabotim të infrastrukturës kritike të Kosovës”.
Tensionet mbeten të larta që nga sulmi i armatosur në Banjskë, ku humbi jetën një polic kosovar. Për këtë ngjarje, Millan Radoiçiq ka marrë përgjegjësinë, por Serbia ende nuk ka marrë vendim për aktakuzën e mundshme ndaj tij.
BE dhe SHBA kanë bërë thirrje që përgjegjësit të përballen me drejtësinë./Telegrafi/