LAJMI I FUNDIT:

Kurti merr pjesë në hapjen e Selisë Qendrore të Shoqatës Humanitare Bamirëse “Bereqeti”

Kurti merr pjesë në hapjen e Selisë Qendrore të Shoqatës Humanitare Bamirëse “Bereqeti”

Kryeministri Albin Kurti, ka marrë pjesë në ceremoninë e hapjes e Selisë Qendrore të Shoqatës Humanitare Bamirëse “Bereqeti”.

Gjatë fjalimit të tij, ai theksoi rëndësinë e bamirësisë si një akt që fuqizon individët dhe shoqërinë, duke theksuar se vlera e një shoqërie nuk matet me pasurinë që grumbullon, por me kujdesin për më të dobëtit.

“Bamirësia nuk është thjeshtë një akt dhurimi, është forca që i lidh zemrat, që e mbron dinjitetin e secilit pa dallim. Edhe një buzëqeshje, një fjalë e mirë, apo një hap drejt dikujt në nevojë janë bamirësi,” tha kryeministri, duke nënvizuar se këto gjeste të vogla kanë fuqinë për të ndryshuar jetët individuale dhe mbarë shoqërinë.


Në këtë ngjarje, kryeministri ndau detaje mbi mbështetjen që Qeveria e Kosovës i ka dhënë Shoqatës “Bereqeti” në kuadër të Pakos së Ringjalljes Ekonomike.

Ai njoftoi se shoqata është mbështetur me 395 mijë euro për shpërndarjen e pakove ushqimore për familjet në nevojë. Po ashtu, në kuadër të mbështetjes për kuzhinat popullore, “Bereqeti” dega në Pejë është përkrahur me 70 mijë euro, ndërsa dega në Mitrovicë me 74 mijë euro.

“Bashkërisht jemi të përkushtuar për të forcuar vlerat e barazisë dhe drejtësisë, të lirisë dhe dinjitetit njerëzor. Bamirësia nuk është vetëm për ata që e marrin, por edhe për ata që e japin. Ajo që japim, është ajo që mbetet si trashëgimi e përhershme,” përfundoi kryeministri.

Hapja e Selisë Qendrore të Shoqatës “Bereqeti” u shënua me pjesëmarrjen e miqve, bashkëpunëtorëve dhe dashamirëve, duke theksuar rëndësinë e solidaritetit dhe përkushtimit ndaj të gjithë qytetarëve pa dallim.