LAJMI I FUNDIT:

Kuro dhembjen e shpinës me joga

Kuro dhembjen e shpinës me joga

Nëse keni një fëmijë, apo një punë zyre, me siguri e dini ç’është dhembja e shpinës, por në qoftë se shumë medikamente dhe këshilla nuk funksionojnë ndaj dhembjes së shpinës, joga është një alternativë.

Në fillim një pyetësor i thjeshtë: Cilin nga këto aktivitete bën rregullisht?

– Nget makinën
– Kalon orë të tëra para kompjuterit
– Sheh televizor
– Qëndron gjatë ulur në punë
– Qëndron gjatë në këmbë në punë
– Mbledh vazhdimisht sende nga dyshemeja
– Mban çantat e pazarit

Shanset janë që keni zgjedhur disa! Këto aktivitete i bëjmë çdo ditë pa menduar, duke neglizhuar edhe dhembjen që ndjejmë, por pasojat janë mbi kurrizin tonë. Shpesh rruga e kurimit të tyre kalon nga medikantetet mjekësore apo ndërhyrjet kirurgjikale, por zor se kujtohet kush për jogën.


Faktikisht përparësitë e jogës për kurimin e dhimbjeve të shpinës janë të njohura prej shumë kohësh. Në vitin 2011, Arkivat e Mjekësisë së Brendshme publikuan provën më të rëndësishme në SHBA që joga ndikonte në zbutjen e dhimbjeve të pjesës së poshtme të shpinës.

Kjo u ndoq nga një studim në Analet e Mjekësisë së Brendshme, që dëshmoi që seancat e jogës ishin më të efektshme sesa kujdesi rutinë për të përmirësuar funksionet e shpinës.

Joga jo vetëm përmirëson mënyrën e qëndrimit, por na mëson edhe të lëvizim me kujdes dhe të respektojmë limitet e trupit tonë. Ajo na ndihmon për të hequr disa zakone të këqija qëndrimi dhe për të bërë zgjatjet e duhura. Përkulja përpara, për shembull është një nga lëvizjet tona bazë.

Kush e mendon në të vërtetë ta mbajë shpinën drejt kur ulet për të marrë diçka që bie? Shpesh ne e harkojmë shpinën gjë që ushtron presion mbi disqet më delikatë të shtyllës kurrizore. Vite të tëra me këtë lëvizje apo qëndrimi i keq para kompjuterit mund të shkaktojë dhembje shpine.

Uttanasana na mëson që në vend të shpinës, të përdorim bustin, shputat dhe këmbët për të realizuar përkuljen dhe ngritjen. Gjatë uljes pjesën e poshtme të shpinës nuk duhet ta përkulësh, në çastin kur ajo duhet të harkohet, përkul gjunjët, fokusi duhet të jetë në pjesën e sipërme të shpinës. Kur përfundon përkuljen koka duhet të jetë e drejtuar nga dyshemeja dhe qafa të jetë e shtrirë.

Ky është një moment për t’u qetësuar: pesha e kokës dhe tërësia e lëvizjeve e ndihmojnë shtyllën kurrizore të tërhiqet duke i sjellë një qetësim të mrekullueshëm terapeutik. Kjo lloj përkuljeje rekomandohet edhe për ata që kanë dëmtime në shpinë apo rrëshqitje disqesh.

Joga ofron pozicione të pafundme që forcojnë muskujt kryesorë të bustit përfshirë ato të pjesës së poshtme të shpinës dhe abdominalet, shkruan revistaclass. Qëndrimet e përshtatshme, të ashtuquajturat asanas, janë një shembull. Këto përkulje të shpinës i japin energji trupit dhe janë ideale për fillestarët duke qenë që dyshemeja ndihmon për të mbajtur peshën e trupit.

Pozicionet Cobra dhe Qeni me fytyrë lart janë që të dyja pozicione që forcojnë dhe ndihmojnë në tërheqjen e shtyllës kurrizore. Pozicionet mund të modifikohen nëse është e nevojshme dhe me kohë do arrini të fitoni forcë dhe rezistencë.

Këtu është një seancë e shpejtë që ndihmon për të forcuar shpinën dhe mund të japë një qetësim terapeutik për muskujt e dobët dhe të pashkrirë të shpinës.

Nisni me një pozicion mace/lopë (10 frymëmarrje). Fokusohu te busti. Kjo është një mënyrë për të nxehur shtyllën kurrizore. Lëviz në të ashtuquajturin pozicionin e fëmijës.

Surya Namaskar –Duke fituar kohë për frymëmarrjen, bëj rrotullime të ndryshme Përshëndetje Dielli. Ulu në pozicionin Chaturanga dhe më pas në atë Qenit me kokë lart.

Poziconi Plank – Forco këmbët dhe trungun në këtë qëndrim forcues. Qëndro disa frymëmarrje dhe pastaj shfryj në poziconin e Qenit me kokë poshtë.

Locust – Qëndro për 3 frymëmarrje, çoje kokën në një anë. Përsërit qëndrimin dhe frymëmarrjen, pastaj kaloje kokën në anën tjetër.

Ura – Shtrëngo pjesën e brendshme të këmbëve; ngri legenin dhe drejtoje fundshpinën drejt gjunjëve. Ngri kraharorin, sigurohu që nuk ndodh shtypje në pjesën e poshtme të shpinës. Qëndro për 5-10 frymëmarrje; qetësohu; përsërit.

Qëndro me shpinë me gjunjët në kraharor (5 frymëmarrje); merr pozicionin Savasana. /Telegrafi/