Poezi nga: Gioconda Belli Përktheu: Maksim Rakipaj

Kur të arrij pleqërinë - në arrifsha të plakem -
në pasqyrë do të shihem e rrudhat do të numuroj,
gjeografinë e brishtë të lëkurës sime të çtendosur.
Atëherë do të numuroj dhe gjurmët që lotët dhe ankthet
lanë në këtë trup që ngathtësisht dëshirave të mia u përgjigjet,
jetën do të shoh të rrjedhë nëpër rrëmbat blu,
rrathët e zinj poshtë syve …
E di që zemra ime - kryeneçe - ende do të dërgojë tiktakun e saj -
dhe dyshimet e horizontet pafund
përsëri do të përshëndesin
mëngjezet e mia.