Ass. dr. Memli Morina, mr. sci
gjinekolog – obstetër
tel. 045 725 725
Nëse jeni duke e ushqyer beben me gji menstruacionet do t’ju vijnë më vonë. Nëse e ushqeni fëmijën me gji, në organizmin tuaj prodhohet hormoni prolaktinë i cili e bllokon ovulacionin dhe rrjedhimisht edhe mundësinë që të mbeteni shtatzënë.
Zakonisht menstruacionet e para fillojnë tre deri tetë muaj pas lindjes.
Gjidhënia është një formë e kontracepsionit, që do të thotë se mundësia për të mbetur shtatzënë është e vogël. Konsiderohet se gjidhënia si metodë kontracepsioni është 98% efektive, ndonëse efektiviteti varet se sa shpesh e ushqeni fëmijën me gji.
Rekomandohet që të përdorni ndonjë metodë kontracepsioni dhe të mos bazoheni vetëm në gjidhënien nëse nuk keni në plan që keni një fëmijë tjetër.
Nëse e ushqeni fëmijën me qumësht artificial menstruacionet mund t’ju vijnë pesë javë deri tre muaj pas lindjes.
Te disa gra menstruacionet do të jenë të rregullta që nga cikli i parë, kurse tek disa gra tjera duhet të kalojnë deri në gjashtë cikle që të rregullohen menstruacionet.
Nëse para lindjes i keni pasur menstruacionet me shumë dhimbje dhe gjakrrjedhje, atëherë lajmi i mirë është se pas lindjes kjo do të rregullohet.
Mendohet se për shkak të pozicionit të çrregullt të mitrës (që e vështirëson rrjedhjen e gjakut jashtë mitrës) gratë kanë shumë dhimbje dhe gjakrrjedhje gjatë menstruacioneve. Pas lindjes pozicioni i mitrës ndryshon dhe këto ankesa zhduken. /Telegrafi/