Kryetari Xheladini raporton për punën gjashtëmujore në takimin me qytetarët

Kryetari i Komunës së Dragashit, Bexhet Xheladini, të premten ka raportuar për ecurinë e punës së ekzekutivit lokal në gjashtëmujorin e parë të vitit 2025. Në takimin e parë publik me qytetarët, Xheladini ka shpalosur aktivitetet dhe projektet e realizuara gjatë kësaj periudhe kohore.
“Gjatë raportimit, kryetari Xheladini u fokusua në aktivitetet kryesore gjatë periudhës gjashtëmujore të vitit, duke përmendur aktivitetet kryesore, nënshkrimin e memorandumeve të bashkëpunimit me organizata dhe institucione të ndryshme, si dhe takimet e shumta me përfaqësues të lartë diplomatikë të nivelit qendror dhe ndërkombëtarë. Gjithashtu, në këtë takim u raportua në pika të përgjithshme edhe për mbarëvajtjen e projekteve kapitale që janë në realizim e sipër dhe ato të cilat pritet të realizohen në bazë të Planit Vjetor të Prokurimit”, thuhet në njoftimin e Komunës, raporton Telegrafi.
Kryetari Xheladini, sipas këtij njoftimi, ka prezantuar para të pranishmëve edhe pasqyrën e subvencionimit të OJQ-ve përmes thirrjeve publike në fushën e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
“Në pjesën e dytë të Takimit Publik u diskutua edhe për Draftin e Kornizës Afatmesme Buxhetore (KAB) 2026-2028, ku qytetarët e pranishëm patën rastin që të paraqesin kërkesat e tyre”, përfundon njoftimi. /Telegrafi/

















































