Kryetari i Shoqatës së Turizmit: Pavarësisht liberalizimit të vizave, Shqipëria zgjedhje e parë për pushime për Kosovën e diasporën
Kryetari i Shoqatës së Turizmit të Kosovës, Ruzhdi Kurtishaj, ka hedhur poshtë zërat se qytetarët e Kosovës po i largohen Shqipërisë si destinacion turistik.
Në një prononcim në emisionin “Debat Plus”, Kurtishaj theksoi se, pavarësisht liberalizimit të vizave në vitin 2024, Shqipëria mbetet zgjedhja e parë për pushime për kosovarët dhe për diasporën.
“Ka disa qytetarë dhe njerëz të ndryshëm që kanë pasur frikë. Me thënë të drejtën, te unë frika nuk ka ekzistuar dhe nuk do të ekzistojë asnjëherë që shqiptarët e Kosovës do ta braktisin Shqipërinë”, deklaroi Kurtishaj.
“Gjithmonë kam thënë që për shqiptarët e Kosovës dhe për diasporën tonë, destinacioni kryesor është Shqipëria”.
Ai theksoi se liberalizimi i vizave u dha qytetarëve të Kosovës mundësinë të vizitojnë familjarët e tyre në Evropë, por kjo nuk nënkupton braktisje të Shqipërisë si vend i preferuar për turizëm.
Ndryshe, sezoni veror i vitit 2024 sipas të dhënave zyrtare të publikuara për periudhën qershor–gusht tregojnë një fluks të jashtëzakonshëm vizitorësh, me një pjesëmarrje dominuese nga qytetarët e Kosovës.
Sipas statistikave:
Në qershor 2024, në Shqipëri kanë hyrë gjithsej 1,244,967 vizitorë
Në korrik, numri është rritur në 1,818,378
Në gusht, është arritur kulmi me 2,167,665 vizitorë
Në renditjen sipas shteteve, Kosova zë vendin e parë bindshëm:
485,176 qytetarë kosovarë kanë hyrë në Shqipëri gjatë muajit qershor, 710,278 hyrje janë regjistruar në korrik, ndërsa në gusht, shifra arrin ë 943,240 hyrje.
Pas Kosovës, vendet me më shumë vizitorë janë: Italia, Maqedonia e Veriut, Greqia, Mali i Zi, Anglia dhe Serbia.
Këto të dhëna konfirmojnë edhe një herë Shqipërinë si një prej destinacioneve më të preferuara të kosovarëve, ndërsa ndikimi i turizmit kosovar mbetet thelbësor në zonat turistike të Shqipërisë.































