Bankat qendrore në mbarë botën janë bashkuar për të deklaruar se qëndrojnë në “solidaritet të plotë” me kryetarin e Rezervës Federale pas nisjes së një hetimi penal ndaj Jerome Powell nga Shtetet e Bashkuara.

Kreu i Bankës së Anglisë, i Bankës Qendrore Evropiane dhe i Bankës së Kanadasë janë ndër 11 bankierët e lartë që kanë nënshkruar një deklaratë, duke theksuar rëndësinë e pavarësisë në vendosjen e normave të interesit.


“Kryetari Powell ka shërbyer me integritet, i fokusuar në mandatet e tij dhe me një përkushtim të palëkundur ndaj interesit publik”, thanë ata.

Hetimin po e kryen Departamenti i Drejtësisë. Presidenti amerikan, Donald Trump ka deklaruar se nuk “di asgjë” për hetimin. Hetimi lidhet me dëshminë që Powell dha para një komiteti të Senatit mbi rinovimet e ndërtesave të Rezervës Federale.

Ky zhvillim vjen pas një viti sulmesh të pandërprera ndaj kryetarit të Fed nga Trump, i cili ka ushtruar presion që Rezerva Federale të ulë më agresivisht kostot e huamarrjes, raporton bbc.

Përveç kritikave për vendimet e Powell mbi normat e interesit, Trump ka bërë edhe komente personale, duke e quajtur kryetarin e Fed një “humbës të madh” dhe një “kokëfortë”.

Duke komentuar mbi kryetarin e Fed, bankierët qendrorë globalë thanë në deklaratën e tyre të përbashkët “për ne, ai është një koleg i respektuar, që mbahet në konsideratë të lartë nga të gjithë ata që kanë punuar me të”.

Deri në fundjavë, Powell kishte qëndruar kryesisht i heshtur përballë sulmeve të Trumpit, por të dielën reagoi publikisht dhe paralajmëroi se pavarësia e bankës qendrore amerikane është në rrezik.

“Kjo ka të bëjë me faktin nëse Fed do të mund të vazhdojë të vendosë normat e interesit bazuar në evidencë dhe kushtet ekonomike, apo nëse politika monetare do të udhëhiqet nga presioni politik ose intimidimi”, tha Powell.

Fed ka ulur normat e interesit tre herë që nga shtatori, duke lënë normën kyçe të huamarrjes rreth 3.6 për qind.

Por, politikanët janë të ndarë mbi hapat e ardhshëm. Disa shqetësohen se ulje të mëtejshme mund të përshkallëzojnë inflacionin, i cili vazhdon të rritet.

Çmimet e konsumit u rritën me 2.7 për qind gjatë 12 muajve deri në dhjetor, sipas të dhënave zyrtare të publikuara të martën. Kjo ishte e njëjta normë si në nëntor dhe mbeti më e lartë se objektivi 2 për qind i Fed.

Në deklaratën e tyre të përbashkët të martën, institucionet financiare ndërkombëtare thanë “pavarësia e bankave qendrore është një gurthemeli i stabilitetit të çmimeve, financiar dhe ekonomik në interes të qytetarëve që ne shërbejmë. Prandaj është thelbësore të ruhet kjo pavarësi, me respekt të plotë për sundimin e ligjit dhe llogaridhënien demokratike”.

Powell, i cili u nominua nga Trump si kryetar i Fed në 2017 gjatë mandatit të tij të parë në Shtëpinë e Bardhë, pritet të largohet në maj.

Trump pritet të emërojë pasardhësin e tij në javët e ardhshme.

Powell është mbështetur gjithashtu nga tre ish-kryetarë të Fed – Janet Yellen, Ben Bernanke dhe Alan Greenspan. Disa zyrtarë të tjerë të shquar kanë deklaruar publikisht mbështetjen e tyre për të dhe për pavarësinë e bankës.

Nënshkruesit në tërësi janë:

Andrew Bailey, guvernator i Bankës së Anglisë

Christine Lagarde, presidente e Bankës Qendrore Evropiane

Erik Thedéen, guvernator i Sveriges Riksbank

Christian Kettel Thomsen, kryetar i Danmarks Nationalbank

Martin Schlegel, kryetar i Swiss National Bank

Michele Bullock, guvernator i Reserve Bank of Australia

Tiff Macklem, guvernator i Bank of Canada

Chang Yong Rhee, guvernator i Bank of Korea

Gabriel Galípolo, guvernator i Banco Central do Brasil

François Villeroy de Galhau, kryetar i Bank for International Settlements

Pablo Hernández de Cos, menaxher i përgjithshëm i Bank for International Settlements. /Telegrafi/