Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” tregon hapat se si trajtohet uji nga ana e tyre për t’u bërë i pijshëm.
Me anë të një shkrimi në Facebook, KRU shpjegon procesin teknologjik të trajtimit të ujit derisa të vie në çezmat tona.
“Uji fillestar merret direkt nga liqeni me pompa dhe dërgohet në impiantet e trajtimit të ujit, me ç’rast i nënshtrohet proceseve teknologjike për trajtim. Paraoksidimi i cili bëhet me klor të gaztë për t’i oksiduar materiet organike dhe inorganike. Procesi pasues është ajrimi, qëllimi i të cilit është pasurimi me oksigjen, largimi i erës, shijes dhe oksidimi i manganit dhe hekurit.
Koagolimi është procesi i radhës i cili ka për qëllim kthjellimin e ujit, i cili proces kryhet me anë të sulfat aluminit”, shkruan KRU ‘Prishtina”, përcjell Telegrafi.
Sipas kompanisë, largimi i papastërtive rol të rëndësishëm ka flokulimi, një proces kimik për t’i ndaluar grimcat e formuara.
“Për t’u larguar këto papastërti, rol të rëndësishëm ka flokulimi që është proces kimik që si kemikat përdoret polielektroliti. Grimcat e formuara ndalen përmes procesit të filtrimit, ku ky proces është mjaft i rëndësishëm për pastrimin e ujit që është i përbërë prej rëre dhe antracidit ose karbonit aktiv. Nga filtrat uji shkon në rezervuar grumbullues dhe i nënshtrohet procesit të dezinfektimit ose klorizimit dhe është i gatshëm për pije. Sasia e klorit në ujë prej rezervuarit duhet të del 0.5 miligram për litër dhe te konsumatori i fundit nuk duhet të jetë më pak se 0.2 miligram për litër. Kjo sasi është e mjaftueshme si preventivë gjatë rrugëtimit të tij nëpër gypa shpërndarës, pra si preventivë për kontaminim”, tregon kompania.
Në fund, KRU thotë se i tërë ky proces përcillet me analiza fiziko-kimike dhe bakteriologjike që duhet të jenë brenda kufijve të lejuar për ujin e pijshëm. /Telegrafi/