KRU “Prishtina”: Furnizimi me ujë i qëndrueshëm, por reshjet mund të shkaktojnë turbullira në Ibër-Lepenc

Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” ka njoftuar sot se furnizimi me ujë në zonën e saj të mbulimit është aktualisht stabil. Megjithatë, reshjet e fundit mund të shkaktojnë turbullira në kanalin Ibër-Lepenc, gjë që mund të ndikojë në procesin e trajtimit të ujit.
Në njoftimin e publikuar, kompania paralajmëroi se këto turbullira mund të reflektohen përkohësisht në cilësinë e ujit të trajtuar, ndërsa po monitorohen nga afër nga ekipet teknike.
Njëkohësisht, KRU “Prishtina” bëri të ditur se ekipet e saj janë vazhdimisht në terren, duke punuar me kapacitet të plotë në hapjen dhe pastrimin e pusetave të ujërave të zeza, si dhe në ofrimin e ndihmës për qytetarët në zonat më të prekura nga reshjet e fundit.
Kompania u bëri thirrje qytetarëve të jenë të kujdesshëm dhe të lajmërojnë çdo problem eventual me furnizimin me ujë apo me rrjetin e kanalizimit. /Telegrafi/



















































