Krasniqi: Gjatë kësaj jave do të ankimojmë vendimin e ZRRE-së në Gjykatën Kushtetuese

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi ka thënë se janë angazhuar që nga fillimi për ta ndalur ZRRE-në nga zbatimi i vendimit të saj të padrejtë.
Krasniqi përmes një postimi në rrjetin social në Facebook ka shkruar se ky vendim i detyron mbi 1,300 biznese të dalin në të ashtuquajturin “treg të lirë” të energjisë – në kohën kur vetë ZRRE-ja nuk ka krijuar as kushtet minimale për një gjë të tillë.
“Këtë betejë e nisëm në gjykatat e rregullta, duke përdorur çdo mjet juridik në dispozicion. Por, edhe pse provat ishin të qarta dhe pasojat për ekonominë e vendit evidente, Gjykata Themelore e refuzoi kërkesën tonë, ndërsa Gjykata e Apelit e legjitimoi këtë refuzim, duke i hapur rrugë zbatimit të vendimit të ZRRE-së”, ka shkruar Krasniqi.
Tutja ia tha se në konsultim me Avokatin Faton Fetahu dhe ekipin e juristëve të PDK-së, kanë konstatuar se tashmë janë përmbushur të gjitha kushtet ligjore që ky vendim i ZRRE-së të ankimohet në Gjykatën Kushtetuese, siç tha Krasniqi “gjë që do ta bëjmë gjatë kësaj jave”.
“Ne do të kërkojmë masë të përkohshme, në mënyrë që ky vendim i dëmshëm të mos zbatohet deri në shqyrtimin përfundimtar të çështjes. Ky nuk është vetëm një proces gjyqësor. Është një betejë për të mbrojtur bizneset tona, ekonominë e vendit, punëtorët tanë dhe familjet e tyre nga një abuzim i pashembullt i pushtetit, i cili i ka detyruar qytetarët dhe ndërmarrjet të blejnë energji me çmime 280% më të larta – vetëm për të mbushur xhepat e kompanive të licencuara nga qeveria”.
I pari i PDK-së tha se do të jenë deri në fund në krah të ndërmarrësve dhe qytetarëve të Kosovës, për ta ndalur këtë padrejtësi të madhe dhe për të mbrojtur interesin publik. /Telegrafi/


















































