Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi para nisjes së seancës konstituive tha se kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha nuk i plotëson kriteret për kryetar të Kuvendit, mirëpo sipas tij, nëse LVV nuk ka kandidat më të mirë atëherë do ta votojnë.

Krasniqi theksoi se edhe para kësaj seance kanë kërkuar nga kryesuesi Avni Dehari një konsultë paraprake.


“Kërkesa jonë edhe sot, si pardje por që na u pamundësua në mënyrë arbitrare është që takohemi me grupe parlamentare për të mundësuar konstituimin e Kuvendit dhe për të siguruar se LVV vërtet është e sigurt se nuk dëshiron të jap një kandidat më të denjë dhe më të përgatitur se kandidatin që propozuan për kryetar kuvendi”, tha ai.

Sipas tij, mënyra si e kanë propozuar në mënyrë të befasishme, papritmas dhe tendencioze nuk ishte mënyra për ta zgjedhur vërtet, por siç tha ai më shumë taktizimm për të treguar apo testuar pozicionin e tyre.

“Ne i qëndrojmë besnik qëndrimit tonë që e votojmë një kandidat që nuk ka qenë pjesë e ekzekutivit”, tha ai, raporton Telegrafi.

Krasniqi tutje tha se Basha nuk është i duhuri dhe nuk i plotëson kriteret bazike për të qenë kryetar i kuvendit.

“Nëse Lëvizja Vetëvendosje vërtet konsideron se Dimal Basha apo një i tillë është kandidati më i mirë që ata kanë për këtë pozicion dhe i përfaqëson qytetarët ne do ta votojmë edhe pse nuk besojmë se një gjë e tillë qëndron”, tha ai. /Telegrafi/