Korrupsioni po pengon sektorin private

Osna Lubrani nga UNDP-ja tha se sektori privat ka një rol shumë të rëndësishëm në krijimin e vendeve të reja të punës në Kosovë. “Sektori privat gjithashtu është mbështetur dhe duhet të mbështetet si një mjet i fuqishëm për avancimin njerëzor. Ai mund ta bëjë një gjë të tillë duke kontribuar në barazi, duke krijuar më shumë mundësi për më të varfrit, duke kontribuar në produktivitetin, duke promovuar inovacione dhe ndërmarrësin, duke kontribuar në qëndrueshmëri përmes sigurimit të asaj se burimet shfrytëzohen në mënyrë të drejtë dhe racionale”, tha ajo.
Lubrani theksoi se ato shtete që janë fokusuar në politikat makrofiskale kanë arritur zhvillim më të mirë ekonomik dhe më lehtë kanë hyrë në treg. Ajo ka thënë se një shqetësim tjetër i vendeve të BE-së është mosshkollimi i kuadrove, ku mbi 15 mijë vende të punës në Evropë kanë mbetur të zbrazëta, pasi që nuk ka kuadro për t’i plotësuara ato.
Kurse zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari-Lila, tha se ka një numër të madh të grave që punojnë në mënyrë joformale kurse meritat e tyre i marrin meshkujt. Sipas saj, përqindja e lartë e grave që punojnë në mënyrë joformale tregon për sfidat që ballafaqohemi si shtet dhe si shoqëri. “Ekonomikisht fuqizimi i grave është çështje shumë e rëndësishme për reduktimin e varfërisë në Kosovë, veçanërisht për familjet e varfra ku roli i grave është thelbësor për mbijetesën e tyre”.
Zëvendëskryeministrja Kusari-Lila tregoi për miratimin e Strategjisë për Ndërmarrjet e Vogla dhe të Mesme të miratuar vitin e kaluar, Strategjinë për Investime të Huaja, Strategjinë për Arsimin para Universitar 2007-2017 dhe Këshillin Kombëtar për Licensimin e Mësueseve.
Me qëllim të informimit të drejtë, ministrja Kusari – Lila tregoi se punët për lehtësimin e të bërit biznes tashmë po vërehen. Ajo tha se për të pas një rritje të punësimit të qëndrueshëm duhet të angazhohet të gjitha institucionet marrë parasysh që është zingjir që e komplementojnë njëra-tjetrën.
Ndërsa, Markus Beachler nga Zyra Zvicerane, ka thënë se sektori privat është një ndër shtyllat kryesore që ndikon në uljen e varfërisë në vend. Ai ka thënë se sektori privat duhet të zhvillohet në një vend ku praktikat e padrejta të biznesit, siç është korrupsioni, të mos ndodhin apo të minimizohen.
Edhe, ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Nenad Rashiç, ka treguar se Qeveria e Kosovës me kohë e ka vënë theksin tek zhvillimi i sektorit privat, pasi që atë e ka parë si një potencial të mirë për zhvillimin e ekonomisë së vendit.
Raporti i UNDP-së adreson një nga sfidat më të thella të pasluftës në Kosovë. /Telegrafi/




















































