Komuna e Shtimes organizon ceremoni për diplomimin e maturantëve

Në një atmosferë festive, në shtëpinë e kulturës në Shtime, komuna ka organizuar ceremoni solemne për diplomimin e maturantëve të gjeneratës 2024/2025.
Kjo ngjarje është cilësuar mjaftë e rëndësishme nga komuna e Shtimes.
"Maturantët e sotëm janë liderët e së nesërmes; puna dhe përkushtimi i tyre janë investimi më i sigurt për zhvillimin e vendit tonë. Ju jeni krenaria jonë dhe shpresa për të ardhmen", ka thënë midis të tjerash nënkryetari Beqa.
Ndërkaq, udhëheqësi i sektorit të arsimit në Komunën e Shtimes, Lulzim Sahiti, vlerësoi kontributin e mësimdhënësve dhe përkrahjen e familjeve në rrugëtimin arsimor të nxënësve, duke u bërë thirrje maturantëve që të ndjekin ëndrrat e tyre me guxim dhe përkushtim.
Për të gjithë maturantët u shpërndanë diplomat, ndërsa mësimdhënësit e dalluar u nderuan me mirënjohje për kontributin e tyre.
Në fund të ceremonisë, të gjithë maturantët hodhën kapelat si simbol i përfundimit të shkollës së mesme.
Ngjarja u shoqërua me një program të pasur kulturo-artistik që i dha një atmosferë të veçantë festës së diplomimit./Telegrafi/




















































