Komuna e Malishevës drejt binjakëzimit me Staten Island në SHBA

Kuvendi i Komunës së Malishevës ka mbajtur mbledhjen e tretë të rregullt për këtë vit, ku janë shqyrtuar disa çështje.
Një njoftimin për media bëhet e ditur se anëtarët e Kuvendit kanë miratuar unanimisht kërkesën e kryetarit të Komunës, Ekrem Kastrati, për fillimin e procedurave për lidhjen e partneritetit apo binjakëzimin e Komunës së Malishevës me Bashkinë e Staten Island në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në këtë mbledhje është shqyrtuar edhe raporti gjashtëmujor financiar për vitin 2025, ku drejtori i Drejtorisë për Buxhet dhe Financa, Blerim Thaçi, u është përgjigjur pyetjeve të anëtarëve të asamblesë dhe ka dhënë sqarimet e nevojshme.
Gjithashtu, janë rishqyrtuar disa vendime të mëhershme, si rezultat i kërkesave nga ministritë përkatëse, ndërsa disa vendime janë shfuqizuar.













































