Ekzekutivi i komunës së Lipjanit po vazhdon të kritikohet nga opozita lidhur me mungesën e ujit të pijshëm në fshatin Shalë. Ky lokalitet që nga paslufta e ka të vendosur sistemin e ujësjellësit nga një organizatë e huaj, por uji i pijshëm gjithmonë ka munguar.

Lumturie Bytyqi-Hasani, kuvendare nga radhët e PDK-së në Lipjan, ka thënë se bashkëvendësit e saj në Shalë prej vitesh po e ngritë shqetësimin për mungesë të ujit të pijshëm.


Ajo ka thënë për Telegrafin se ujësjellësi në Shalë prej shumë vitesh është jashtë funksionit, ani pse është adresuar disa herë në komunë.

“Kemi kërkuar nga komuna që të ndërmerr hapa në rifunksionalizimin apo futjen në rrjetin e ujësjellësit rajonal “Prishtina”, por fatkeqësisht nuk është bërë asnjë hap në këtë drejtim. Ky rrjet i ujësjellësit ka edhe disa prishje të vogla dhe ka nevojë për një investim nga ana e Komunës në mënyrë që kompania që e merr në mirëmbajtje dhe furnizim ta ketë të gatshëm. Ekzekutivi i Lipjanit ka dështuar ta përmirëson gjendjen me ujë të pijshëm në këtë lokalitet”, ka thënë Bytyqi.

Sipas saj ka disa vjet që qeverisja lokale ka larguar nga prioritetet, çështjen e ujësjellësit, si një ndër elementet kryesore për jetesën e qytetarëve.

“Fatkeqësisht Lipjani si komunë është kampion i mos shtrirjes së rrjetit të ujësjellësit dhe mungesës së ujit të pijes ani pse jemi në vitin 2025 dhe kjo gjendje do të vazhdojë edhe për 3 vitet e ardhshme sipas planifikimit të buxhetit komunal për vitet në vijim”, ka thënë më tej Bytyqi.

Në anën tjetër Telegrafi është në pritje të një përgjigjeje nga Komuna lidhur me shqetësimet e ngritura nga opozita/Telegrafi/