Kolegji Zgjedhor shqyrton sot ankesën e PS-së

Në kërkesën ankimore të paraqitur nga PS-ja thuhet se, në përfundim të numërimit të votave për kryetarin e Bashkisë së Tiranës, dhjetë KZAZ-të e kësaj zone aprovuan tabelat pë mbledhëse të rezultateve të qendrave të votimit, ndërsa KZAZ-ja nr.49 nuk e miratoi këtë tabelë.
Bëhej fjalë pikërisht për rezultatin e kutisë së fundit, nga numërimi i së cilës kandidati i PS-së për kryetar bashkie, Edi Rama, i cili e ka mbajtur këtë post për tre mandate rresht, doli në avantazh me dhjetë vota. Në kushtet kur KZAZ-ja nr.49 nuk e miratoi rezultatin e dalë nga kutia e 485-të,
Partia Socialiste i kërkon Kolegjit ta detyrojë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve që ta miratojë këtë rezultat dhe pasi të bëjë shumatoren e procesverbaleve të numërimit të 11 KZAZ-ve, të shpallë rezultatin paraprak për kryetarin e Bashkisë së Tiranës.
Kjo kërkesë ankimore e socialistëve do të shqyrtohet nga Kolegji Zgjedhor dhe në varësi të vendimit që do të marrë ky Kolegj, do të vendoset dhe për fatin e kryetarit të ri të Bashkisë. Fati i kërkesës së parë ankimore do të jetë në duart e katër gjyqtareve, të përzgjedhura nga shorti, Entela Prifti, Sashenka Jonuzi, Dhurata Haveri dhe Marie Qiriazi.
Kërkesa e dytë ankimore e Partisë Socialiste që i drejtohet këtij kolegji, është të shpallë të pavlefshëm procedurën dhe vendimin e KQZ-së, datë 18 maj 2011, kur u vendos për numërimin e fletëvotimeve të hedhura në kutitë e gabuara. Trupa gjykuese e kësaj kërkese ankimore përbëhet nga gjyqtarët: Astrit Kalaja, Marie Qirjazi, Meriban Mullaj dhe Entela Prifti, ndërsa relator shorti ka përzgjedhur Sashenka Jonuzi, raportoi të enjten e përditshmja Gazeta Shqiptare./Telegrafi/





















































