‘Klasikja’ kosovare, Vëllaznimi pret Prishtinën

Përballja mes dy rivalëve të vjetër të futbollit kosovar njihet ndryshe si ‘klasikja’ e shteti tonë, pasi dy skuadrat me traditë kanë krijuar rivalitet ndër vite. Gjakovarët janë përballur me krizë jashtë fushës, ndërsa pasi kanë lënë anash problemet financiare, janë të gatshëm për ta mirëpritur Prishtinën.
“Edhe pse kemi pasur probleme të mëdha si me kryesi ashtu edhe disa tjera, ne i kemi harruar ato dhe jemi përgatitur maksimalisht për këtë ndeshje. Trajneri ynë na ka motivuar mjaft shumë dhe do të futemi për ta gëzuar popullin gjakovar”, ka thënë mesfushori i gjakovarëve, Alban Dylazeka, për Telegrafi, duke shtuar se synimet e klubit janë mbijetesa në elitën e futbollit kosovar.
Ndërkohë, mesfushori i Prishtinës, Mentor Zhdrella, në një prononcim për Telegrafi, tregoi se e respekton klubin e Vëllaznimit dhe trajnerin e tij, porse Prishtina shkon për fitore.
“Jemi të përgatitur mjaft mirë për këtë ndeshje të madhe që do të luhet. Vëllaznimi është një skuadër e madhe me traditë, dhe do të jetë një ndeshje shumë e mirë. Vëllaznimi ka lojtarë shumë cilësorë dhe një trajner shumë të mirë që e respektoj, mirëpo ne udhëtojmë vetëm për fitore”, tha Zhdrella për Telegrafin.
Interesant pritet të jetë edhe në Vushtrri, ku kampioni aktual Kosova e Vushtrrisë pret kampionin vjeshtor Feronikelin. Ndërsa dy ndeshjet tjera janë ato mes Ferizajt dhe Istogut si dhe në Mitrovicë Trepça pret Besën. Të gjitha ndeshjet fillojnë nga ora 13:00. /Telegrafi/




















































