Sasia e mbeturinave për kokë banori në Kosovë vlerësohet të jetë e lartë, ndërsa klasifikimi i tyre shihet si një mekanizëm drejt përmirësimit të menaxhimit të tyre.
Ndonëse është iniciuar para shumë vitesh, Kosova ende nuk ka bazë për klasifikimin e mbeturinave.
Drejtoresha e “EcoZ”, organizatë e cila merret me mbrojtjen e mjedisit, Egzona Shala, në një prononcim për Telegrafin tha se fillimisht duhet harmonizuar legjislacioni me direktivat dhe rregulloret e Bashkimit Evropian, “të cilat ndryshojnë me ritëm të shpejtë që Kosova nuk ka arritur t’i ndjekë”.
“Pastaj implementohet zinxhiri i grumbullimit ku fuqizohen bizneset/kompanitë që merren me riciklimin dhe vetëdijesohen qytetarët për këtë proces”, deklaroi Shala.
Sipas saj, Kosova ka ngecje të mëdha në këtë fushë pasi nuk e ka vullnetin e duhur e as buxhetimin adekuat.
“Nuk është proces i cili varet nga donatorët (gjë që aktualisht është duke ndodhur), por është proces ku Ministria e Mjedisit Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës duhet të planifikojë dhe të ndaj buxhetin adekuat për zhvillimin e procesit në bashkëpunim edhe me komunat, bizneset dhe organizatat joqeveritare të arrijë në reduktimin e mbeturinave në vend”.
Shala vlerësoi se klasifikimi i mbeturinave është i domosdoshëm pasi siç tha, pajisjet elektronike dhe e-mbeturinat (pajisjet elektronike të cilat pas përdorimit hedhën) kërkojnë trajtim special sepse përmbajnë substancat toksike, të njohura si ndotës të rrezikshëm për shëndetin dhe mjedisin.
“Nëse ato përdoren ose shkatërrohen në mënyrë të gabuar, mund të shkaktojnë dëme të mëdha për mjedisin dhe njerëzit. Për shembull, substancat si plumbi, kadmiumi, merkuri, dhe reaktorët e ndryshëm me përmbajtje të metaleve të rënda mund të shkaktojnë probleme të shëndetit mendor dhe fizik, si kancerin dhe dëmtimet e sistemit nervor”, u shpreh ajo.
Drejtoresha e “EcoZ” tutje tha se pajisjet elektronike dhe e-mbeturinat kur përdoren në mënyrë të gabuar, mund të shkaktojnë ndotje të tokës dhe ujit, si dhe mund të lënë pas toksina që mund të ndikojnë në shëndetin e njerëzve e kafshëve.
“Kur ato shpenzohen në mënyrë të gabuar, ose vendosen në një vend për ta zvogëluar hapësirën që e zënë, ato mund të rrezikojnë jetën e kafshëve dhe mund të shkaktojnë dëme të mëdha për ambientin”, deklaroi Shala, duke shtuar se ato gjithashtu mund të pengojnë proceset ricikluese sepse “shpesh nuk ndahen saktësisht në kategori të ndryshme, duke i bërë më të vështirë riciklimin e tyre”.
Ajo tutje tregoi edhe se si mund të minimizohet ndikimi i këtyre pajisjeve dhe mbeturinave si dhe foli për rolin e qytetarëve në këtë aspekt.
“Ndikimet e pajisjeve elektronike dhe të e-mbeturinave mund të minimizohen duke i trajtuar ato në mënyrë të duhur. Kjo përfshin mbledhjen dhe riciklimin e tyre nga organizata dhe agjenci/biznese të specializuara, duke i shmangur trajtimet e gabuara si heqjen e komponentëve në mënyrë të pasigurt dhe zbarkimin e tyre në ujëra dhe tokë”.
“Roli i qytetarëve është shumë i rëndësishëm në këtë aspekt, ata mund të ndihmojnë duke mbledhur pajisjet elektronike dhe mbeturinat dhe duke i dorëzuar ato në organizata të specializuara për trajtimin dhe riciklimin e tyre”.
Se klasifikimi i mbeturinave është i domosdoshëm thotë edhe eksperti i mjedisit, Behxhet Mustafa.
Për Telegrafin ai deklaroi se mbetjet paraprakisht duhet ndarë, pasi disa pjesë mund t’u shërbejnë teknikave në dyqane që riparojnë pajisje elektronike, ndërsa ato që nuk shërbejnë duhet destinuar për riciklim.
Sa i përket ndikimit të pajisjeve elektronike, Mustafa tha se mund të zvogëlohet duke i riparuar ato në vazhdimësi.
“Pra, duke mos i hedh menjëherë pas defekteve që mund të kenë, por dhe të grumbullohen në vende të veçanta të përcaktuara për riciklim. Për këtë shteti duhet paraprakisht të krijojë kushte për hedhjen në vende të ndara të mbeturinave përkatëse”, u shpreh tutje ai.
Në anën tjetër, nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës thonë se së bashku me GIZ-in janë në fazën e përgatitjes së një studimi, ku do të përfshihen mbeturinat elektrike-elektronike, vajrat, gomat edhe makinat “të cilat janë mbetje në fund, pra që i ka përfunduar jetë gjatësia”.
“Në bashkëpunim me Bashkimin Evropian, po ashtu jemi në fazën krijimit apo përgatitjes së ‘RoadMap’ për mbeturinat e rrezikshme, ku si fushë e veçantë do të përfshihen edhe mbeturinat elektronike dhe ato elektrike. Në kuadër të këtij ‘RoadMap’, për herë të parë në Kosovë do të ketë sistem të përgjithshëm se si do të funksionojë çështja e mbeturinave të rrezikshme”, tha në një përgjigje për Telegrafin zëvendësministrja Linda Çavdarbasha.
Tutje, ajo shtoi se në Strategjinë për Menaxhimin e Integruar të Mbeturinave, parashihet që në të ardhmen të ndërtohen qendrat e riciklimit dhe sortimit si dhe qendrat “drop-off”.
“Qytetarët do të kenë mundësi të dorëzojnë mbeturinat e tyre, të cilat do të trajtohen në forma të ndryshme, ku në këto mbeturinat hyjnë edhe mbeturinat elektronike dhe elektrike”, përfundoi Çavdarbasha.
Ky artikull është mbështetur nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) në Kosovë përmes Projektit Climate Promise financuar nga Qeveria e Japonisë. Përmbajtja e tij është përgjegjësi e autorëve dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e UNDP-së ose të Qeverisë së Japonisë. /Telegrafi/