Këshilli i Investitorëve Evropianë (EIC) në Kosovë ka bërë thirrje për vazhdimin pa vonesa të procesit të anëtarësimit të Kosovës në Zonën e Vetme të Pagesave në Euro (SEPA), duke e cilësuar këtë si një hap kyç drejt modernizimit të sistemit financiar dhe integrimit më të plotë me tregun evropian.

Në komunikatën e publikuar, EIC ka mirëpritur përkushtimin e institucioneve vendore dhe të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), si dhe bashkëpunimin me Komisionin Evropian, duke theksuar se anëtarësimi në SEPA do të sjellë përfitime të drejtpërdrejta për qytetarët dhe bizneset - përfshirë pagesa më të lira, më të sigurta dhe më të shpejta, si dhe qasje më të mirë në tregje ndërkombëtare.


“Sipas vlerësimeve të fundit, vonesat në këtë proces i kanë kushtuar ekonomisë së Kosovës rreth 29 milionë euro vetëm në gjashtëmujorin e parë të vitit, ndërkohë që përfitimet vjetore të mundshme nga përfshirja në SEPA kapin vlerën e 55 milionë eurove”, thuhet në njoftim.

Këshilli vlerëson punën teknike dhe rregullative të realizuar nga BQK, në bashkëpunim me Bankën Botërore dhe Komisionin Evropian, duke theksuar se procesi ka avancuar ndjeshëm.

EIC apelon që shqyrtimi i ligjeve përkatëse nga Gjykata Kushtetuese të mundësojë vazhdimin e reformave “me kohë dhe në përputhje me interesin publik”.

Në fund, Këshilli thekson se Kosova ka mundësinë reale të mos mbetet prapa vendeve të rajonit dhe të përfitojë plotësisht nga përfshirja në rrjetin unik të pagesave evropiane.

“Anëtarësimi në SEPA do të modernizojë infrastrukturën financiare, do të ulë kostot për bizneset dhe qytetarët dhe do ta bëjë ekonominë tonë më tërheqëse për investime të reja,” thuhet ndër të tjera në komunikatë.

Këshilli i Investitorëve Evropianë ka rikonfirmuar përkushtimin e tij për të informuar publikun mbi vlerën dhe përfitimet që SEPA sjell për ekonominë dhe qytetarët e Kosovës. /Telegrafi/