Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, gjatë një interviste në emisionin “Përballje” në Telegrafi.com me kryeredaktorin Muhamet Hajrullahu, i ka komentuar kërkesat e politikanëve dhe qytetarëve në Kosovë që dialogu me Serbinë të zhvendoset në Uashington.
Në këtë intervistë, Haziri ka thënë se presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, është i përfshirë në dialog pasi e ka caktuar Gabriel Escobar si emisar për Ballkanin Perëndimor.
Sipas tij, ekziston koordinim më i fuqishëm i SHBA-së me Bashkimin Evropian dhe se Escobar po vazhdon t’i japë mobilizim këtij bashkëpunimi.
“Ka pasur shumë spekulime dhe kërkesa në Kosovë që dialogu të zhvendoset në Uashington. Por, Biden e ka caktuar emisarin e vet. Biden për Kosovën është Escobar, i cili në dialog ka mbështetjen e plotë me Sekretarin e Shtetit dhe komunikim të rregullt me të dhe me Shtëpinë e Bardhë”, është shprehur nënkryetari i LDK-së.
“Ky progres i vogël ka filluar t’i frustrojë partnerët tanë edhe pse takimi i fundit është vlerësuar si pozitiv duke krahasuar takimet tjera që kanë qenë dëshpëruese”, ka shtuar ai.
Haziri tutje ka folur edhe për targat e automjeteve, çështje kjo e cila sipas tij pritet të zgjidhet mes Kosovës dhe Serbisë sipas modelit evropian.
“Po afrohet një momentum i ri për dialogun dhe këtu duhet pasur parasysh që çështja e targave të automjeteve pritet të zgjidhet me model evropian – ashtu siç ndodhi edhe me letërnjoftimet si dhe pritet të ketë lëvizje në zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese”.
“Natyrisht që Serbia do të tentojë që ta ngadalësojë procesin e dialogut. Por, ne duhet t’i përshpejtojmë hapat dhe t’i eliminojmë bombat e kurdisura në tavolinë dhe ta krijojmë hapësirën ku drafti i një marrëveshje gjithëpërfshirëse duhet të diskutohet”, ka thënë ai.
Mes tjerash, ka theksuar se Kurti përveç dialogut të brendshëm, duhet guximshëm t’i largojë “bombat| në tavolinën e bisedimeve me Serbinë dhe të merret me marrëveshjen gjithëpërfshirëse.
“Do të vijë një pikë kritike që do të thuhet ‘merre ose leje’. Nuk ka pafund pritje. Dialogu është shtyrë pafund dhe paarsye. Fillimisht rezultati zgjedhor iu ka rënë në kokë dhe thanë se nuk është prioritet i parë, por i katërt. Mandej doli prioritet i parë, por u vonuan”.
“Ekskursionet politike po ashtu humbën kohë. Kjo humbje kohe sidomos nga janari është vonese është e pajustifikueshme. Por, do të ketë presion më të madh. Zbarkim më i madh i partnerëve në Prishtinë”.
Haziri është shprehur optimist se në fund të procesit të dialogut, Kosova do të dalë fituese, anise “kësaj radhe nuk do të jetë lehtë”.
“Kosova s’duhet të ketë asnjë lloj frike se nga ky proces do të dalë humbëse. Nuk kemi humbur as në Rambuje. Aty ku ka hyrë me garanci SHBA-ja, Kosova ka dalë gjithmonë mirë. Kësaj here nuk do të jetë lehtë, por parimet e negociatave i kemi vendosur ne”.
Sa i përket Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë, Haziri ka deklaruar se është koha që Prishtina të draftojë kornizën e statusit, e cila garanton respektimin e Kushtetutës së Kosovës, vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe të marrëveshjes së arritur.
“Asociacioni është kushti që Kosovën e shtyn drejt marrëveshjes finale. Prishtina duhet të draftojë atë kornizën e statusit sepse marrëveshjen e ka kryer dikush tjetër. Pakënaqësia për të është shprehur, por jemi në një situatë kur duhet të punohet draft statuti. E gjitha çka duhet është respektimi i Kushtetutës së Kosovës, respektimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, respektimi i marrëveshjes dhe jo Republika Srpska”.
Në këtë intervistë Haziri ka folur edhe për takimin e djeshëm me kryeministrin Albin Kurti, i cili ftoi liderët opozitarë për t’i informuar lidhur me dialogun me Serbinë.
Ai e quajti të vonshëm këtë takim, ndërsa akuzoi Qeverinë Kurti se po i fsheh dështimet e saj në politikën e brendshme prapa negociatave me Serbinë. /Telegrafi/